Fjalën-shprehje “çiqitimizëm”, e cila më pëlqeu shumë, e dëgjova për herë të parë nga avokati im. Nuk di nëse ishte e sajuar prej tij apo qarkullon në Tiranë, por ishte vërtet diçka shumë e pranishme në universin shqiptar dhe njëkohësisht i mungonte fjalorit zyrtar të shqipes. Më duhet të përmend se ai e përdori si kritikë ndaj meje, ndërsa ngulja këmbë që nuk ishte e nevojshme të vazhdonte me redaktimin e librit tim, se nuk ishte keq dhe ashtu si ishte.
Unë nuk jam shquar kurrë për përkufizime, edhe kur duhej t’i
thoja të mësuara përmendësh. Nëse përpiqem tani t’ju shpjegoj juve, se ç’kuptohet
me termin në fjalë, do e kisha më të lehtë të mbushja dy tre faqe të stërholluara
se sa të jepja të përqëndruar në një fjali ose frazë të vetme se ç’është. Me një
fjalë të vazhdoja me “çiqitëmizëm”.
Ciqitëmizëm – dukuri a
e të marrit lehtë të gjërave në shoqërinë shqiptare; të vepruarit pa ndjenjën e
përgjegjësisë; prirje për shkeljen e rregullave dhe ligjeve.
Përsëri e zgjerova si shumë dhe i dhashë shumë nuanca, të
cilat edhe mund të keqpërdoren nga të tjerët, por në fund të fundit unë nuk jam
as anëtar i redaksisë së Fjalorit të Shqipes, as akademik dhe as ndonjë autor
serioz. Jam vetëm një bloger, që gëzoj plotësisht lirinë time të të shkruarit.
Dukuria është e hershme, ndoshta shkon edhe thellë në
shekuj, por unë për herë të parë e kam kuptuar, si diçka që nuk shkonte, kur i pranishëm
në një bisedë të tim eti me disa më të mëdhenj në moshë se ai vetë, ai përmendi:
“Ne shqiptarët e kemi kollaj se me një “ç’i
qi tëmën” e shtymë edhe nja gjashtë muaj ndonjë hall që na ka zënë!” Isha
jo më shumë se dhjetë vjet dhe më mbeti në mendje, sepse ishte e pazakontë që
ai të fliste në këtë mënyrë në praninë time. Burrat e tjerë miratonin duke buzëqeshur.
Ishin të arsimuar në Perëndim.
Shumë vite më vonë, kur nisa ta përdorja edhe unë shprehjen
në fjalë, pata kuptuar se shprehja nuk kishte të bënte as me mllefe, as me dëshira
seksuale dhe as me nënat. Kishte të bënte me rrënjët e një problemi apo dukurie
dhe zakonisht për të zbuluar rrënjët e çdo gjëje, e mirë apo e keqe qoftë,
duhet mund. Dhe mundi të mundon.
Popujt e tjerë kanë gjithashtu shprehje të ngjashme si ‘take it easy!” apo “tembellik etmek”, por kjo e jona është gjithpërfshirëse, pikante
dhe “asgjesuese”. Nuk ka më nevojë të shtjellohet se të jep një qetësi të plotë
dhe problemi në vetvete është zhdukur si me magji.
Gjatë dhjetvjeçarit të fundit, ose më parë, VIP-at e Tiranës
kanë nisur të përdorin shprehjen “merre
me sportivitet”, kur dikush të akuzon, fyen apo të bën diçka të padrejtë.
Po ku e ku më e qartë dhe më lehtësuese është po të të thonë “merre me çiqitëmizëm!” se nuk ka nevojë
as të kesh njohuri nga sporti dhe as se çdo të thotë saktësisht sportivitet,
kurse “çi qi tëmën!” e ka përdorur të
paktën një herë në jetë çdo shqiptar që ka kaluar moshën e pubertitetit.
Në kohën e Diktaturës do ta kishim dërrmuar, bashkë me gjithë
“izma-t” e tjera, si indiferentizmin, oportunizmin, revizionizmin,
ekspresionizmin, kubizmin dhe kapitalizmin, por tani gëzojmë të gjitha liritë
dhe bashkë me të edhe të drejtën për ta marrë jetën me çiqitëmizëm.
No comments:
Post a Comment