Wednesday, 24 August 2022

Nga e kemi “peshqeshin” e korrupsionit?


“Peshqeshin e ka pranuar edhe mbreti!”
– ka qënë një shprehje e anëve tona, që justifikonte dhënien e dhuratave në këmbim të një favori. Nuk thuhej e ka pranuar edhe sulltani, ndonëse fjalën “peshqesh” e kishim të huazuar nga turqit. Por mbret ishte edhe më e përdorshme se fjala sulltan në të folurën e përditëshme dhe në folklorin shqiptar.

Ka një prirje tek ne për t’ja lënë të gjitha të metat e shoqërisë shqiptare turqve. Prej korrupsionit dhe dembelizmit e deri tek hakmarrja. Ndërsa të gjitha cilësitë e tjera pozitive i kemi të lindura dhe të trashëguara brez pas brezi!

Po le të shohim disa fakte nga një renditje botërore e vendeve të korruptuara. Turqia,nga e cila i trashëguam të gjitha të këqijat, përfshi këtu edhe peshqeshet, rryshfetet, paratë nën dorë dhe dumbarallëket e tjera të këtij lloji, është të paktën 12 vende më mirë se ne në klasifikimin botëror të vitit 2022. Po kështu të gjitha vendet e Ballkanit që kanë qënë gjithashtu nën Turqinë, duke përjashtuar Bosnjën e cila renditet në të njëjtin vend me ne. Më të korruptuarit, Sërbia dhe Maqedonia, renditen përkatësisht 14 dhe 21 vende më mirë.

Nëse do shohim vendet e tjera europiane, që janë më keq se ne, rezulton se vetëm Rusia dhe Ukraina janë më të korruptuara dhe përkatësisht 25 dhe 12 vende në klasifikimin botëror. Të dyja nuk kanë qënë të ndonjëherë nën administratën otomane. Por të dyja kanë qënë pjesë e Bashkimit Sovjetik të lavdishëm. Po ashtu thuajse të gjitha  ish-Republikat sovjetike të Azisë, që janë edhe më të korruptuara.

Ka një përqëndrim të habitshëm në pjesën e fundit të klasifikimit të vendeve ish-socialiste ose që janë ende socialiste, si Venezuela apo Korea e Veriut. Atje ku ka janë kolektivizuar më shumë pronat, ku shteti ka qënë më i egër, ku ka sunduar ideologjia materialiste dhe ku është goditur feja, korrupsioni është ku e ku më i lartë.

Ndaj nuk ka arsye të shkojmë thellë në histori për të kërkuar rrënjët e korrupsionit tonë të thellë dhe të përhapur në të gjitha qelizat e shoqërisë. Vjen nga varfëria materiale dhe shpirtërore, ku na katandisi sistemi i antivlerave, i shoqëruara edhe me një pushtet të plotë edhe mbi jetën dhe vdekjen, që kishin ata që qenë në majë të piramidës.

Përderisa të mos jenë rrënjosur në mendjen e njerëzve rëndësia e Ligjit dhe Institucioneve, këtë plagë-peshqesh të feudo-komunizmit shqiptar do e kemi gjatë mes nesh. 

No comments:

Post a Comment