Tridhjet vjet më parë, Gaqoja i Mitit, që ju ishte afruar të 75-ve, më theshte se tani e rëndësishme është kjo puna e Shqipërisë Etnike. “Do marrim jo vetëm Kosovën dhe Camërinë, po edhe tërë fshatrat përreth Athinës, Usterin dhe një pjesë të Bostonit!” Nuk qeshte, po tundte kokën me të njëjtin seriozitet, si atëhere kur tallej me bëmat e Stalinit dhe Enverit, apo kur vinte në dukje hipokrizinë e njerëzve.
Mu kujtua dje, kur lexoja një Urdhër Ekzekutiv të Gjumashit
Xho, se Shqipëria për shkak të korrupsionit hyn në vendet që mund të cënojnë
Sigurinë Kombëtare të Amerikës. Mu kthjellua edhe ç’ka kisha pasur të turbullt
rreth shpalljes “non grata” të Berishës.
Vërtet duhet të ketë patur një plan afatgjatë të Shqipërisë
Etnike të hartuar nga patriotët më të flakët shqiptarë, mes të cilëve promotor
duhet të ketë qënë Berisha. Më në fund do arrihej të ndërtohej Shqipëria e plotë
në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Kosovë dhe Camëri, Plavë e Guci,
Luginën e Preshevës dhe Strugë, fshatrat përreth Athinës dhe disa ishuj pranë
Peloponezit dhe një pjesë të Kalabrisë dhe Siçilisë. Asnjë pëllëmbë më tepër se
ç’na është dhënë nga vetë Perëndia.
Diçka e tillë si Protokolli i Zionit i hartuar nga hebrenjtë
e Europës Lindore dhe që po zbatohet me zjarr, hekur dhe durim nga shteti i Izraelit.
Po Siguria Kombëtare
e Amerikës ku preket këtu?
Patriotizmi i Berishës dhe i të tjerëve si ai është aq i zjarrtë,
aq i mbështetur në fakte dhe dokumenta, aq i bazuar në të drejtën ndërkombëtare,
sa jo vetëm Usteri (Worcester) ku shqiptarët përbëjnë shumicën, por një pjesë e
mirë e shtetit të Masaçusets do i bashkohet vullnetarisht Shqipërisë Etnike. Këtë
Amerika nuk ka se si ta lejojë dhe po hedh këto hapa ligjore.
Ndoshta një rol “tradhëtor” mund të ketë luajtur edhe
juristja dardhare Eva Millona, e cila ka qënë në dijeni të planit të hollësishëm
të Shqipërisë Etnike dhe krejt papritur, pas shpalljes “non grata” të Saliut,
emërohet pikërisht ndihmëse e sekretarit të Sigurisë të Mëmëdheut në SHBA.
Cilët patriotë të tjerë do goditen nga Amerika si mbështetës
të planit për Shqipërinë Etnike?
Kuptohet që i pari do jetë Ilir Meta, që nga shërbimet e
huaja pat mësuar që ekziston një plan për likuidimin e tij me dron, kur të
shkojë në Mali me Gropa dhe më pas të tjerë patriotë të kulluar dhe të
pakorruptuar. Edhe arrestimi i Thaçit dhe i UCK-istave të tjerë për gjoja “krime
lufte” duhet të jetë pjesë e këtij plani amerikan për të goditur më të
zellshmit shqiptarë që do ndërtojnë Shqipërinë Etnike të së ardhmes.
“Le të bashkohemi si një
trup i vetëm rreth Saliut për të mbrojtur të drejtat tona dhe për t’i dhënë dërmën
Amerikës!”- do theshte Gaqoja i Mitit po qe se do ishte ende mes nesh dhe do
largohej duke tundur kokën dhe duke folur me vete rreth gomarllëkut tonë
legjendar të përzjerë me një hipokrizi të pështirë.
No comments:
Post a Comment