Më 1886 u botua në Bukuresht për herë të parë poema më e madhe dhe e rëndësishme e letrave shqipe “Bagëti dhe Bujqësi” e poetit kombëtar Naim Frashëri. Të gjithëve na ka emocionuar, na ka bërë të mendojmë, të ndjehemi krenarë, të krijojmë në mendje vende që nuk i kemi parë dhe ndoshta nuk ekzistojnë më ose nuk kanë ekzistuar kurrë. Tek ajo vepër mishërohet gjenialiteti i poetit të dashuruar me vendin e tij.
Për ta lehtësuar shënimin nga patetizmi dhe për ta
qorrollisur në skërkat e teorive të konspiracionit, më duhet të them se herë
herë kam menduar se mos ndoshta pas vargjeve të frymëzuara të Naimit ka pasur
edhe mesazhe të koduara për ata që i lexojnë dhe i kuptojnë, ose të tjera
kuptime dhe nënkuptime, që ju kanë shpëtuar studiuesve të letërsisë dhe
historisë, ose që i janë fshehur qëllimisht popullit.
Vargjet që më kanë shtënë në të tilla mendime të shtrembërta
janë ato shumë të njohurat:
…Do të këndoj bagëtinë që mbani ju dhe
ushqeni
O vendthit e
bekuar ju mendjen ma dëfreni!
Dyshimi i parë që më ka lindur kohë të shkuara ka qënë: Pse
Naimi ka përdorur foljen “dëfreni”? E ka patur të lidhur me zbavitjen e
mendjes, që është njëkohësisht e shpirtit? Ka qënë ai dëfrim i një natyre
serioze dhe të çiltër apo dëfrim lozonjaro-qesharak? A mundet që diçka e bekuar
nga qiejt të të dëfrejë mendjen?
Të gjitha këto pyetje më shpien në dyshimin e madh, që Naimi
do të thotë se Shqipëria është një vend i bekuar nga Perëndia, me shumë bukuri
natyrore, por…diçka ka brenda saj që bën “t’i dëfrehet mendja”. Dhe ç’mund të
jetë tjetër veç atyre, që ai i përmbledh në një emër të vetëm në numurin njëjës
– Bagëti. Pra mendjen e poetit të madh nuk e dëfrejnë thjesht “vëndthet e
bekuar”, sepse vetë ato mund të sillnin të tjera ndjenja dhe jo dëfrimin. Eshtë
pikërisht lidhja e çuditshme, ose më mirë lidhja e spërdredhur midis Vendit dhe
Bagëtisë, që e sjell këtë. Vendi është i bekuar, por jo e bekuar duket të jetë
Bagëtia.
Po cila është Bagëtia e Naimit, të cilës ai do t’i këndojë?
A janë vërtet vetëm dhentë e dhitë e asaj kohe, (pasi dihet që lopët ishin shumë
të pakta ndërsa buajt në Myzeqe numuroheshin me gishta)? Për më tepër poema nuk
ngjason aspak me një doracak zooteknik. Mos ndoshta të tjera qënie përfshihen në
Bagëtia? Këtu imagjinata më ka shpënë në idenë se vëllezërit Frashëri jo vetëm
ishin tepër të rrallë dhe të jashtëzakonshëm, por ata edhe mund të kenë udhëtuar
në kohë. Në mos të tre, dy më të vegjëlit me siguri ja kanë arritur. Dhe këtë e
vërteton traktati filozofik i Samiut “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të
bëhet”. Një vepër e tillë nuk mund të shkruhej nëse Samiu nuk kishte udhëtuar në
kohë në Shqipërinë e rreth vitit 2050.
Ose Samiu diçka i ka treguar vëllait të tij më të madh, ose
ka qënë Naimi ai që ka bërë i pari udhëtimin në kohë në Shqipërinë e sotme ose të
këtyre dhjetvjeçarëve. Bindjen për këtë udhëtim ma shton similituda shumë e
njohur e poemës, që fillon “Kur dëgjon zërin
e s’ëmës, qysh e le qingji kopenë…”. Pse nëna e qingjit nuk është me kopenë
po diku larg? A është kjo largësi, që kapërcehet vetëm nga shpejtësia e zërit, një
largësi kohore? Po ata “njëzet a tridhjet vetë“, që mundohen t’i presin rrugët
mund të jenë dekadat?
Naimi duhet të ketë bërë udhëtimin nëpërmjet “vrimave hapësinore”
në ditët tona. Nuk mund të gjykoj se sa ka ndenjur pranë nesh dhe nëse ka parë
emisionet televizive “Përputhen”, “Rrethi Katror” dhe atë të Eni Cobanit, por
diçka e ka tronditur fort dhe njëkohësisht e ka frymëzuar që pati shkruar para
135 vjetësh:
“Do të këndoj Bagëtinë që mbani ju dhe ushqeni…”
No comments:
Post a Comment