“I mori të tëra tani dhe do bëhet tamam Diktator!” Eshtë një shprehje që dëgjohet gjithnjë e më shpesh në diskutimet me njerëz, që janë kundër autokracisë së Ramës. Nuk ka shumë rëndësi se nga ushqehet kjo ide, por le të hedhim një sy në situatën e institucioneve në Shqipëri për të kuptuar nëse kjo ide frikësuese ka një bazë të vërtetë.
Rama kontrollon pjesën kryesore të legjislativit, që është
kuvendi, plotësisht ekzekutivin dhe pjesën më të madhe të shtyllës së katërt të
pushtetit, që është media. Me këtë pushtet që zotëron ka edhe shumë ndikim në
shtyllën juridike të pushtetit, por nuk e kontrollon atë. Një pjesë e vogël e
legjislativit, që është institucioni i Presidentit, nuk është nën kontrollin e
Ramës.
Kjo nuk është një situatë e panjohur në Shqipëri. Një
pushtet të tillë kishte Sali Berisha prej vitit 2005 dhe deri më 2013, e
megjithatë nuk mundi të ishte i përjetshëm. Atij i doli nga kontrolli
presidenti Topi, nuk mundi të komandonte plotësisht gjyqësorin dhe mbi të
gjitha u përball me indinjatën e njerëzve të thjeshtë dhe nuk i fitoi dot
zgjedhjet.
Të gjithë kundërshtarët e Ramës, edhe ata që nuk e kanë
dashur kurrë Metën, janë kundër heqjes së tij nga Presidenca, të cilën e quajnë
pengesën e fundit ndaj pushtetit absolut të Ramës. Pra pranojnë më mirë një
hajdut të diskretituar në postin më të lartë të vendit, se sa largimin e tij dhe
ndëshkimin për korrupsion.
Kjo më kujton një situatë absurd të vitit 1997, ku disa
familje të pasura korçare, nga frika e bandave se mund t’ju vidhnin apo t’ju kërkonin
“haraçe të majme”, morën brenda shtëpive të tyre banditë të tjerë për t’i mbrojtur.
U treguan gjithfarë historish për marëdhëniet e asaj kohe me banditët në shtëpi,
si dhe me “haraçet”, që duhet të paguanin më vonë ndaj banditëve-mbrojtës.
Për Shqipërinë është
shumë më mirë dënimi i Metës për korrupsion se sa qëndrimi i tij edhe një vit
si President, për të bllokuar dekretet e Ramës.
E kam shkruar disa herë, që kjo pranverë solli një lajm të
keq, që ishte fitorja e mandatit të tretë të Ramës, por dy lajme të mira-
shpallja e Berishës “non grata” dhe shkarkimi i Metës nga Kuvendi.
Në pamje të parë mund të duket si jo e besueshme, por edhe
pushteti i Ramës nuk është sot ai që ishte para zgjedhjeve të 25 prillit. Ka
disa shenja për të, të cilat fillojnë me dorëheqjen e Tom Doshit dhe vazhduan
dje me dorëheqjen e Gramoz Rucit. Të dyja dorëheqje të diktuara nga Rama dhe me
qëllim “retushimin” e fytyrës “korruptivo-puniste” të Partisë Socialiste.
Kryeminstri aktor i Shqipërisë do e ketë gjithnjë e më të vështirë
për tu mbrojtur para të huajve për korrupsionin e Rilindjes, për veprimet
aventureske në politikën e jashtme, që lidhen me korrupsionin e tij, për “hyqet”
e pazakonta për një politikan në jetën private. Tashmë nuk ka se kë të bëjë me
faj, për anomalitë në jetën politike të vendit, se Berisha dhe Meta janë jashtë
loje dhe cilido qoftë udhëheqësi i opozitës është më i papërlyer se ata. Duhet
të kujtojmë se gjatë mandatit të tij të parë, Rama sa herë kthehej nga Brukseli
apo Berlini i kujtonte Metës se europianët i kërkonin ta largonte nga
koalicioni dhe ta ndiqte penalisht.
Unë e kam të qartë se tabloja nuk është tërësisht optimiste
dhe se Rama dhe Rilindja do vazhdojnë të vjedhin edhe për disa vjet të tjera, por
nëse krijohen precedentët me dënimin e Metës, fëmijëve të Saliut dhe politikanëve
të tjerë të përzjerë me krime të mëdha, ‘trimëria” e Ramës do vihet në provë.
Dhe hajdutët në përgjithësi
nuk janë trima!
No comments:
Post a Comment