(vijim)
Këtu vijmë në një pikë tjetër të rëndësishme filozofiko-shoqërore: A janë arkitektët në avangardë të zhvillimeve shoqërore dhe teknologjike të njerëzimit apo janë thjesht “shërbëtorë“ të industrisë së ndërtimit?
Tradicionalisht arkitektët kanë pasur një natyrë të dyfishtë
si “shërbëtorë“ të regjimeve dhe njëkohësisht edhe në pararojë të zhvillimeve
teknologjike dhe të atyre shoqërore. Për të ilustruar se sa të përunjur ishin
arkitektët ndaj sunduesve po e një pjesë të hyrjes që i bën librit të tij “Mbi
arkitekturën” arkitekti romak Vitruvi, libër ky në themelet e teorisë së
arkitekturës botërore:
“Ndërsa inteligjenca
dhe vullneti juaj hyjnor, Perandor Qezar, ishte angazhuar në marrjen e së
drejtës për të komanduar botën dhe ndërsa bashkëqytetarët tuaj, kur të gjithë
armiqtë e tyre ishin gjunjëzuar nga trimëria juaj e pamposhtur, po mburreshin
në triumfin dhe fitoren tuaj, - ndërkohë që të gjithë kombet e huaja ishin nënshtruar
duke pritur thirrjen tuaj, dhe populli dhe senati romak, të çliruar nga alarmi
i tyre, po fillonin të udhëhiqeshin nga konceptet dhe politikat tuaja më
fisnike, unë me drojtje guxova, në funksion të arritjeve tuaja serioze, të
botoj shkrimet e mia dhe idetë që kisha prej kohësh mbi arkitekturën, me frikë
se mos përballem me pakënaqësinë tuaj për një ndërprerje të panevojshme.”
E lashë të pandërprerë citatin për të treguar, se edhe nëse
nuk përdorim të njëjtat fjalë, edhe ne arkitektët e sotëm dëshmojmë të njëjtën
përulje ndaj korporatave të ndërtimit, ose njerëzve të gjithëpushtetshëm që
kanë në dorë urbanistikën e qyteteve dhe arkitekturën e tyre. Dhe veprat janë
shumë më të rëndësishme se fjalët.
Por nëse një pjesë e mirë e arkitektëve janë fromuar në
regjimet e shteteve totalitare, ku qysh në shkollë fillonte “përulja” ndaj
teknologjive ekzistuese (kryesisht e betonit) të cilat sillnin ndërtime të
shpejta dhe me kosto më të ulët, më të shumtit e arkitektëve janë formuar në
shoqëri të “lira”, por edhe ata janë të formuar për të ndjekur “ligjet e
teknologjisë të korporatave të ndërtimit”. Kjo ka sjellë fetishizmin e betonit
të armuar, që bëri shumë arkitektë prej viteve ’30 të shekullit të kaluar e
deri më sot ta konceptojnë organizimin e hapësirave nëpërmjet konceptimit
strukturor të betonit të armuar. Deri atje ka shkuar “nderimi” ndaj tij sa
struktura të tëra sot në botë kanë beton të dukshëm në eksterier dhe ndonjëherë
edhe në interiere. Dhe bëhet fjalë për një material artificial, i cili nuk
ekziston në natyrë, por është i shpikur nga njeriu. U arrit deri në një lloj
“poetike arkitekturore të betonit”, por për fat të mirë pas dy tre dekadash të
brutalizmit, ajo prirje u pranua nga të
gjithë që ishte e shëmtuar dhe e sforcuar.
“Largimi psikologjik” nga betoni i armuar nuk mund të jetë i
menjëhershëm tek arkitektët, sidomos tek ata europianë dhe të amerikanojugorë,
ku jo vetëm është krijuar një traditë relativisht e gjatë me këto lloj ndërtimesh,
por edhe arkitektura tradicionale ka qënë e bazuar kryesisht tek guri. Më e
thjeshtë është në Amerikën e Veriut dhe në Azi, ku ndërtimet me struktura druri
kanë qënë dhe janë shumë të përhapura. Por edhe tek vendet europiane dhe
sidomos në ato mesdhetare ky largim nuk është i pamundur. Dhe nuk është fjala për
aplikim të mënyrave të ndërtimit në Amerikën e Veriut apo në Japoni, por për të
rigjallëruar teknikat e përdorura më parë, të kombinuara me elementë të rinj ndërtimorë
të vendit apo të importuar, që për fat të mirë tani gjenden me shumicë tani në
treg.
Më e lehtë është për ta nisur nga banesat individuale dhe
ato të grupuara (por jo shumëkatëshe), të cilat po fillojnë të ndërtohen në
stil më të gjërë dhe prirja do jetë, që ndërtimet e këtij lloji do shtohen.
Pandemia në mënyrë të veçantë shënoi një të ardhme të banimit jashtë qyteteve,
pra edhe një shtim të banesave individuale.
Sa i përket Ballkanit është e nevojshme rishikimi i përdorimit
të drurit në stil të gjërë dhe sidomos si element konstruktiv. Eshtë tashmë e
mundshme, që soletat prej betoni të armuar, të zëvendësohen plotësisht me
dyshemetë tradicionale me trarë ose me kapriata druri me lartësi të vogël. Në të
njëjtën mënyrë mund të bëhet zëvendësimi i skeleteve mbajtëse prej b/armeje me
skeletë metalike dhe një thjeshtëzim i tillë strukturor do sjellë edhe përmirësime,
që lidhen me plotësimin e cilësive sizmike të ndërtimit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment