Po bëhen 29 vjet që nga dalja ime e parë jashtë kufijve të Atdheut. Një udhëtim i ëndërruar prej shumë e shumë vitesh, që kur çdo gjë ishte e mbyllur dhe kur mund të dilje “jashtë shtetit” vetëm nëse shkëlqeje në art ose në sport. Unë nuk pata shkëlqyer në asnjë nga këto fusha dhe as në profesionin që kisha zgjedhur. Ndaj duhet të prisja rënien e Murit të Berlinit dhe më pas rrëzimin e shtatoreve të Enver Hoxhës për të menduar se me të vërtetë një ditë mund t’i hipja edhe avionit.
Për herë të parë e kalova kufirin më 29 nëntor të vitit 1992
për të vizituar familjen e motrës në Athinë. Trojet kodrinore të Greqisë së
Veriut, të ngjashme me tonat, por të sistemuara shumë më mirë, ishin të parat
vende të huaja të globit që shihja drejtpërsëdrejti me sytë e mija dhe jo në
një ekran televizori apo kinemaje.
Mundohesha të përpija me sy nga dritarja e makinës çdo gjë që
ishte rrotull, rrugët e vijëzuara, ndërtimet e reja nëpër fshatra, gjelbërimin
e kursyer, njerëzit e veshur më mirë se ne, automjetet e shpeshta, pikat e
sistemuara të karburantit, tabelat me shkronja greke dhe latine. Për të shkuar
më thellë në Europë, çuditërisht udhëtonim drejt juglindjes.
Të njëjtën gjë bëra edhe kur mora trenin që vinte nga
Selaniku dhe shkonte drejt Athinës, që ishte i mbushur me njerëz, por nuk ishte
as aq i shpejtë dhe as luksoz sa e prisja. Peisazhe të ngjashme me jugun e
Shqipërisë me të njëjtat male jo shumë të lartë, me makje dhe gjelbërim të pakët,
midis të cilëve herë herë dukej Egjeu. Stacioni i trenit i Athinës ishte më se i
zakonshëm me njerëz që nguteshin mes vapës, që nuk prisnin rradhën, që flisnin
me zë të lartë. Një stacion shumë i vogël për një qytet 5 milionësh. Qyteti i parë
europian ku vija këmbën. Tirana kishte qënë deri atëhere qyteti më i madh që
kisha parë, dhe Athina e krahasuar me të dukej e pafund, por edhe me ndërtime të
stërngjitura me njëra tjetrën.
Mbrëmja e parë ishte mahnitëse, në një shesh të madh në
lagjen Nea Smyrnis me lokale të mbushur me të rinj të shkujdesur, që hanin e
pinin duke qeshur dhe duke flirtuar me njëri tjetrin. Nuk e tepronin me të
thirrura dhe “lagavitje”. Ishte rinia që kisha humbur 10 vjet më parë në Tiranën
e sunduar nga “xhahilët”. Hëngra edhe unë darkë mes tyre pa u bezdisur nga vështrime
shpërfillëse, pa qënë pjesë e tyre dhe duke u ndjerë po aq i lirë sa ata.
Disa javëiI kalova duke ecur sa mundja lagjeve të Athinës për
të parë se si jetohej, se si ishte ndërtuar dhe nëse kishte mundësi pune në
profesionin tim. Edhe pse dukej që ndërtimet sa kishin kaluar një periudhë
krize dhe nuk dukej ndonjë rritje e menjëhershme, njerëzit ishin miqësorë dhe
kureshtarë të kuptonin se si ishim nee shqiptarët, që vinim nga një vend aq i afërt
por edhe aq i mistershëm. Të njëjtat përvoja tregonin ata që kishin emigruar
gjatë vitit 1991 dhe gjysmës së parë të 92-shit. Grekët kishin qënë mikpritës
dhe kishin ndihmuar me sa kishin mundur. Kishte edhe aspekte të ]uditshme për
mua, si një zyrë në afërsi të sheshit “Omonia” që drejtohej nga një dropullit
dhe lëshonte dëshmi “vorio-epirotësh”, por dukej se edhe pse me ndihmën e
shtetit grek, ajo nuk ishte pjesë e administratës greke. Megjithatë shqiptarët
ndiqnin pas Foto Prasin, që dukej se kryesonte zyrën dhe kishte në dorë t’i ndihmonte
për dokumentat e nevojeshme për leje qëndrimi.
Kjo anomali ishte në rrënjët e marëdhënieve që do
krijoheshin më vonë mes shqiptarëve dhe grekëve. Kufijtë nuk kontrolloheshin më
dhe dy shtetet pranonin në marëveshje , që shqiptarët të shkonin për të punuar
pa viza pune në Greqi dhe të mos gëzonin asnjë të drejtë. Marëveshja e
pashkruar ishte bërë edhe me bekimin e Brukselit, që jepte fonde të shumta për
Greqinë, pikërisht për punësimin dhe shfrytëzimin e shqiptarëve, të cilët nuk përfitonin
ato që përfitonin punëtorët grekë apo emigrantë nga vende të tjera.
(vijon)
No comments:
Post a Comment