Eshtë kjo thënie e hershme e Noam Chomsky-t, që duhet të jetë lejtmotiv për gjithë intelektualët e ndershëm, jo si detyrim moral, por për mbrojtjen e interesave të tyre, të të tjerëve dhe brezave që vijnë. Më poshtë është një pjesë e njërës nga intervistat e fundit të mendimtarit të madh e dhënë për “Jacobin”. Jep një pasqyrë të partive politike në Amerikë dhe në Europën Perëndimore, duke qënë njëkohësisht një mësim se ç’duhet të bëjnë njerëzit e thjeshtë edhe në Shqipëri për të bërë të dëgjohet zëri i tyre në jetën politike, atje ku merren vendimet e rëndësishme për jetën e të gjithëve.
Pyetje: Dua të
pyes për luftën të klasave, sepse Thomas Piketty, për shembull, ka theksuar se
në demokracitë perëndimore përbërja klasore e partive ka ndryshuar në mënyrë
tronditëse. Çfarë mund të bëhet ndaj këtij fenomeni që ka ndodhur këtu në
Shtetet e Bashkuara - por edhe në Evropë - ku partitë e majta tradicionale po
bëhen parti gjithnjë e më shumë të elitave të arsimuara dhe po mbyllen ndaj klasave
punonjëse?
Chomsky: Le të
fillojmë me Shtetet e Bashkuara. Nga fundi i viteve 1970 – fundi i presidencës
Karter - demokratët në thelb i thanë klasës punëtore, "Ne nuk kemi ndonjë
interes për ju." Përpjekja e fundit e aktivitetit pro-sindikatave nga
Partia Demokratike ishte Akti i Punësimit të Plotë i Humphrey-Hawkins në 1978.
Karter vërtet nuk e vuri veton, por e holloi me ujë që mos ishte shumë e hidhur.
Nga ajo pikë e tutje, demokratët në thelb braktisën klasën punëtore, përveç ndonjë
veprimi pozitiv sporadik.
Kur erdhi Klinton, NAFTA (Marëveshja ekonomike me Kanadanë
dhe Meksikën-shën.im) u përpilua në
fshehtësi për të shmangur kundërshtimet e lëvizjes punëtore. Ata madje nuk u
informuan deri në minutën e fundit se ç’kornizë ishte: marrëveshje për të drejtat e investitorëve. Komiteti Këshillmor i
Punës doli me një program alternativ për NAFTA, duke thënë "Ja një mënyrë
shumë më e mirë për ta bërë. Versioni i ekzekutivit do të çojë në një ekonomi
me rritje të ulët, me paga të ulëta. E jona është një mënyrë për të arritur një
ekonomi me rritje të lartë, me paga të larta. "
Programi i tyre ishte pothuajse i njëjtë me atë të vetë
Agjencisë Kërkimore të Kongresit, (Zyra e Vlerësimit të Teknologjisë.) Askush
nuk u kushtoi vëmendje; ekzekutivi nuk tregoi interes. Ata dëshironin versionin
e tyre të NAFTA, që ishte në thelb një marrëveshje për të drejtat e
investitorëve, që i vinte njerëzit që punojnë në konkurrencë me njëri-tjetrin
pa patur të drejta.
Doli që nën NAFTA të Klintonit, korporatat ishin në gjendje
të mposhtin me shumë efikasitet përpjekjet për organizimi të punonjësve - rreth
50 për qind u thyen thjesht nga kërcënimet për të zhvendosur ndërmarrjen në
Meksikë. Kërcënimet nuk ishin serioze, por të mjaftueshme për të ndalur
përpjekjen organizuese të sindikatave. Kjo është edhe e paligjshme, por kur
keni një shtet kriminal, ju mund të kryeni veprime të paligjshme. Ekziston një
studim i mirë për këtë nga Kate Bronfenbrenner, një ekonomiste në Kornell, e
cila hodhi dritë në atë që sapo thashë - që rreth 50 përqind e përpjekjeve të organizimit
ishin thyer në mënyrë të paligjshme, vetëm nga kërcënimet për të zhvendosur
ndërmarrjen. Ky është vetëm një shembull.
Në vitin 2008, punëtorët votuan për Obamën; në 2010 mbështetja
për të u tret - punëtorët kishin parë se sa vlenin premtimet e tij. Kjo në mes
të një krize të madhe financiare të shkaktuar nga kolapsi i tregut të banesave.
Kongresi nën Xhorxh Bush, në të vërtetë, kishte miratuar legjislacionin e TARP (Programit
të Ndihmës) për të bërë diçka në lidhje me të.
Legjislacioni kishte dy komponentë. Njëra ishte të shpëtonte
fajtorët e krizës: bankat që kishin shkaktuar krizë me praktikat grabitqare të
kredive dhe veprime të tjera të fshehta gjysmë-kriminale. Pjesa tjetër e
legjislacionit ishte shpëtimi i viktimave: njerëzit që humbën shtëpitë e tyre,
që humbën vendet e punës.
Kushdo që njeh historinë dhe politikën amerikane mund të
kishte parashikuar se cila gjysmë e legjislacionit do të zbatohej nga
Presidenti Obama. Brenda dy viteve, klasa punëtore - madje edhe sindikatat – thanë:
"Kjo parti nuk po punon për ne. Eshtë armikja jonë. ”
Kur s’ke nga ja mban do shkosh tek ata që pretendojnë se do
të rikthejnë Amerikën tradicionale dhe do t'ju marrin punë. E di që as ata nuk
do ta bëjnë, por të paktën e pranojnë. Shikoni votuesit e Trump; i kanë
studiuar me kujdes. Shumë prej tyre thonë, "Po, ne e dimë se ai është
karavidhe dhe nuk do bëjë asgjë. Por të paktën ai thotë se i bëhet vonë për ne
”.
Trump deklaronte: “Unë jam me
ju. Dua që ju të arrini sa më lart. Si ju përpiqem dhe unë. ” Ashtu si George
W. Bush - kujtoni se çdo fundjavë, ai shkonte në Teksas, në fermën e tij dhe
filmohej duke prerë shkurret në pikën e vapës për të treguar se ai është një
fermer i zakonshëm. Pasi u largua nga zyra, nuk besoj se është kthyer
ndonjëherë atje.
Për të bërë një përmbledhje të kësaj
pjese të intervistës dhe për ta lidhur me realitetin shqiptar duhet thënë se
njerëzit e zakonshëm, me pak të ardhura, të cilët përbëjnë edhe shumicën e
popullsisë dhe duhet të kenë peshë në ligjvënie nuk e kanë as në SHBA dhe as në
Europë. Eshtë e kuptueshme që tek ne është akoma më keq, sepse njerëzit nuk janë
as të organizuar në sindikata. Me një fjalë jo vetëm nuk duhet të shpresojnë në
ato që gjoja quhen parti të majta, por ka të ngjarë që ato janë akoma më kundër
interesave të tyre.
Por faji përsëri nuk ju duhet hedhur
as partive dhe as politikanëve, por mospëprjekjeve për tu organizuar dhe për të
marrë pjesë në jetën politike. Duken si fjalë “në hava”, por është e vetmja
rrugë e cila mund të na shpëtojë nga konfliktet e armatosura, ektremistët dhe
revolucionet. Ne kemi provuar Diktaturën e Hoxhës, kemi provuar vitin 1997 që
ardhi si rezultat i heshtjes dhe nënshtrimit tonë, po provojmë edhe regjimin
kleptokrat të Ramës. Nëse do rrimë duarlidhur duke u ankuar, pa u organizuar,
pa treguar me gisht të korruptuarit, pa protestuar në mënyrë paqësore, pa kërkuar
ndihmën e njëri tjetrit për të hequr qafe me vota hajdutët, do vazhdojmë të
zgjatim makthin tonë, që ka nisur në vitin 1944 dhe po vazhdon edhe sot.
No comments:
Post a Comment