Ambasadorja amerikane Kim ju bashkua mijra pelegrinëve, që shkojnë për tu lutur çdo vit në kisha e Shna Ndout. Unë nuk e di se sa besimtare është ambasadorja Kim dhe se cilit besim fetar i përket, por di që është lutur si gjithë të tjerët dhe ka shumë mundësi që është lutur për popullin shqiptar duke dhënë njëkohësisht edhe një mesazh për të.
Mund të spekulohet shumë se ç’lloj mesazhi kërkon të japë,
por unë e kuptoj se Kim do të thotë që shqiptarëve duhet t’ju kthehen vlerave
morale bazë, të cilat mëshirohen më mirë se kudo gjetkë tek parimet e moralit të
feve monoteiste. Moral nga i cili shoqëria shqiptare u largua shumë në vitet ’60
dhe vazhdon të jetë ende shumë e larguar edhe sot. Eshtë krimi më i madh i kryer
nga Enver Hoxha dhe banda e tij, të cilët nuk ndaleshin ndaj asgjëje për të
zgjatur sundimin e tyre. Pasojat e ndalimit me ligj të fesë janë në bazën e
shkatërrimit të shoqërisë të sotme shqiptare dhe do vazhdojnë të ndjehen shumë
edhe disa dhjetvjeçarë. Ndryshimi i sistemit ekonomiko-politik ne na gjeti një
shoqëri “pa din e pa iman”.
Ka disa fakte të thjeshta, të cilat provojnë se sa të ndryshëm
ishin shqiptarët e vitit 1990 nga parardhësit e tyre të dy brezave. Nami i gjyshërve
tanë, të cilët patën emigruar në Amerikë gjatë gjysmës së parë të shekullit të
XX-të ishte thuajse i përkryer. Njerëz punëtorë, familiarë dhe thuajse të papërzjerë
me krimin. Një emër të tillë patën bërë edhe në Australi dhe në Argjentinë. Edhe
pse më të pakët, emigrantët politikë shqiptarë të fundit të Luftës së Dytë, si
dhe të gjithë të arratisurit nga Shqipëria, që i përkisnin një brezi tjetër,
ruajtën të njëjtin emër të mirë të shqiptarëve, sikundër brezi para tyre.
Pas valëve të mëdha të emigrimit të viteve ’90 emri i shqiptarëve
në Europë dhe në Amerikë nuk mbeti më i pari. Brezi që kishte kaluar fëmijërinë
dhe rininë nën komunizëm ishte shumë më i ndryshëm se të mëparshmit. Dhe kjo
nuk vinte nga varfëria e tejskajshme, se po aq të varfër kishin qënë edhe
emigrantët e fillimit të shekullit. Sidomos në Europë, shqiptarët janë të
njohur për bandit e tyre, që merren me trafikun e drogës, të qënieve njerëzore
dhe me krime të tjera si vjedhjet e shtëpive. Të njohur në botën e krimit të
organizuar janë edhe bandat shqiptare në Nju York, Detroit dhe Florida.
Të njëjtin mentalitet thellësisht “materialist” sheh në
bisedat me emigrantët nga Europa Lindore në Kanada edhe pse në pjesën më të
madhe ata kanë përfunduar universitetet. Filozofia bazë është “Cdo gjë në botë bëhet për interesa
ekonomike, ndaj cilido duhet vetëm e vetëm të luftojë për të arritur mirëqënien
sa më të madhe të familjes!” Me këtë filozofi në mendje, më të guximshmit,
më aventurierët, më pak të shkolluarit, më të rinjtë bien lehtë në rrjetën e
kriminalitetit. Nëse sheh rrjetet sociale janë të mbushura me të rinj që pozojnë
pranë makinave të shtrenjta, jahteve, me armë në dorë, me tufa me dollarë dhe
euro. Miqtë e çdo moshe nuk ju kursejnë komentet me superlativa.
Brenda Shqipërisë të rrallë janë ata që respektojnë parimet
e Moisiut “Mos vidh!”, “Mos lakmo gruan e tjetrit!” dhe “Mos jep dëshmi të
rreme!” Edhe pse të gjithë e dinë se si i kanë vënë paratë politikanët apo
gjyqtarët, që kanë pasur vetëm rroga, jo vetëm nuk I përbuzin, por i venë
kurdoherë “në krye të vendit”. Marëdhëniet jashtëmartesore tashmë janë krenari
jo vetëm në rrethet e meshkujve, por dhe grate e martuara “të emancipuara” nuk
e kanë për turp të tregojnë mes shoqesh për të dashurit e tyre.
Shoqëria shqiptare është në një krizë të thellë morale, që është
një problem më i madh se qeverisja e Ramës. Zaten tejzgjatja e qeverisjeve të
tilla është rrjedhojë e krizës së madhe morale.
Ndaj ambasadorja Kim shkon të lutet për një mrekulli në kishën
e Shna Ndout në Laç. Eshtë një mesazh për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe
sidomos për elitën intelektuale.
No comments:
Post a Comment