Ndër gjërat që më bënë më shumë përshtypje gjatë vitit të parë në emigrim nuk ishin as qiellgërvishtëset e qelqta në qendër të Torontos, as qielli çuditërisht i ulët, as automjetet e shumta dhe autostradat, as gjelbërimi i kudondodhur dhe as njerëzit e shumë racave. Ishin diplomat dhe çmimet e vendosura në zyrat e mjekëve, avokatëve, arkitektëve, biznesmenëve, masazhatorëve, specialistëve të gjelbërimit dhe veterinerëve. Të vendosuar krahas njëra tjetrës, mbi njëra tjetrën, të kombinuara, të harmonizuara, informaciondhënëse, të hijshme.
Në një nga ato ditë të vitit të parë të emigrimit vendosa që
një ditë edhe unë të kisha shumë të tilla, të larme, të akorduara nga
institucione të rëndësishme, të firmosura e të vulosura dhe edhe pse mund të
mos kisha praktikën time profesionale, t’i varja në murin e dhomës-studio në
shtëpi. Ndaj bleva kornizat. Në fillim mendova që një dyzinë me korniza do
ishin të mjafta, por për fat të mirë qëlloi, që Wal- Mart ato ditë të kishte një
ofertë shumë të mirë për korniza- “bli dy dyzina dhe e treta falas”, kështu që
pagova për 24 korniza dhe mora 36. Mendova se edhe po të mbeteshin mund t’ju shërbenin
fëmijëve, po njëlloj si kishte menduar dikur sekretari i organizatës së partisë
të shkollës, kur bleu 10 fjalorë të gjuhëve të huaja edhe pse nuk dinte asnjë
prej tyre.
Me shumë zell bëra edhe projektin e vendosjes së tyre në
murin e madh të dhomës së gjumit (atëhere nuk kisha dhomë-studio), sepse përvoja
që kisha në organizimin e muzeve, dhomave muze dhe shtëpive muze në Korçë më
jepte dorë. Muri më i madh ishte i mjaftë për 22 korniza me diploma e çmime, të
organizuara sipas një modeli asimetriko-piramidal, ku në krye imagjinoja të
kisha kornizën me Cmimin Pritzker, që mund të merrja në një të ardhme të largët.
“Imagjinata është më e rëndësishme se njohuria” ka thënë Ainshtajni, kështu që
gjatë 3-4 viteve të para në emigrim i dhashë shumë rëndësi imagjinatës.
Kanë kaluar 24 vjet dhe në murin e madh të dhomë-studios nuk
kam varur dot asnjë kornizë me diplomë ose çmim. Edhe pse kam ndruar disa shtëpi
kornizat i kam marrë gjithnjë me vete. Jam thellësisht i zhgënjyer nga gjithë
fondacionet, institucionet, shoqatat, organizatat jo qeveritare, këshillat e
komunave dhe ato bashkiake, juritë e konkurseve anuale dhe bienale, si dhe dhomat
tregëtare të Kanadasë dhe Shqipërisë, që nuk kanë ditur të vlerësojnë
kontributin tim aspak modest në shumë fusha të veprimtarisë njerëzore.
Vetëm Presidenti Meta ka dhënë në këto 3 vjetët e fundit mbi
6 mijë çmime e dekorata, pa dashur të përmend këtu çmimet e dhëna nga Kryeministri
Rama, Erion Veliaj, këshillat bashkiake të Korçës dhe Maliqit, fondacioni “Sorros”,
Klubi i Shkrimtarëve “Bota e Re”, Universiteti
Europian i Tiranës, Fondacioni “Opari”, këshillat e komunave Pejë dhe Tetovë,
UGSHPD-ja, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, Bashkimi i Emigrantëve të
Amerikës së Veriut, Unioni për Shqipërinë Etnike, Organizata për Mbrojtjen e Faunës
të Dunavecit, Albanian Canadian
Excellence, Klubi Rotarian i Beratit, Organizata e Veteranëve Pa Parti dhe
Unioni i të Moshuarve të Divorcuar.
Nuk u gjet të shkretën një çmim i vetëm? Le të mos jetë dhe
aq prestigjioz.
Mes 36 kornizave vetëm njëra ka dëftesën time të gjimnazit.
Për djall edhe diplomën e Universitetit na i kanë dhënë në format, si ato
citatet e Maos, që tundnin dikur turmat e gardistëve të kuq në sheshin Tien An
Men dhe nuk e ve dot në kornizë. Dëftesën nuk mund ta var në mur se kam frikë
mund të akuzohem se është e rreme, se është e firmosur nga një krushk i afërt i
imi.
Tamam e ka thënë populli: “U bë deti kos dhe lugë për fukaranë nuk u gjend!”
No comments:
Post a Comment