Tuesday, 8 June 2021

Postimi me numur 1600


“Paskam dërdëllisur si tepër këto 10 vjet!” ishte mendimi i parë që më erdhi në, kur pashë rastësisht se poezia “Shtëpia Soho” ishte postimi me numur 1599 në blog-un tim 10 vjeçar.

I bie thuajse një postim në dy ditë. Nëse do i ktheja në minuta të të folurit me vete, sa orë e ditë do bëheshin? Mbase shumë ditë duke pëshpëritur, tundur kokën dhe lëvizur duart, sikundër bëjnë shumë hallexhinj ndërsa ecin trotuareve të Kanadasë. Kam “dërdëllitur” aq shumë sa e kam lodhur edhe Miun e Gjirizave, që parapëlqen ta shkojë tëre kohën kanaleve pornografike të internetit dhe të mos e nxjerrë më kokën në “kuendemi”.

Por pas kësaj maratone llomotitjesh, unë jo vetëm që nuk i kam dhënë dot përgjigje pyetjes “Ku endemi?”, por jam edhe disa shkallë më poshtë se ku pata filluar në mars të vitit 2011. Në kokë kam edhe më të turbullta portretet e Trump, Ramës dhe Peleshit, idetë rreth marëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët janë edhe më të çoroditura, qëndrimet në temat shoqërore edhe më kontradiktore dhe kam humbur të gjitha betejat ligjore edhe pse kam patur ndihmën e pakursyer të avokatit tim , që dikur ka qënë në Berlin.

Nëse nuk do kisha harxhuar kohën për këto 1600 postime, do kisha arritur të mësoja pianon, ose do i kisha rënë kryq e tërthor më këmbë Amerikës së Veriut, ose do kisha nisur të flisja spanjisht, ose do kisha bërë një ekspozitë pikture si ajo e Xorxh Bushit, ose do kisha ndihmuar të moshuarit në shtëpitë e pleqve, ose do kisha përkthyer Kadarenë nga shqipja në korçarishten e vjetër, ose do kisha mbjellë 1600 fidanë në një tokë djerrë, ose…ose…ose…

Po unë zgjodha “t’i bija legenit” në blog dhe meqë tani nuk gjen dot më legena prej llamarine ose prej çingoje, se janë plastikë, edhe legenrënia më “ka shkuar jabana”.

Tani kam hyrë shumë thellë dhe është vonë të tërhiqem. Kam bërë armiq në këtë botë dhe në të përtejmen. Për të këtejshmit nuk më bëhet shumë vonë, se mund t’ju kërkoj 1600 herë ndjesë të pandjerë dhe “koka e falur nuk pritet”. Për të përtejmit jam fare i papërgatitur. Ndoshta ata falin më me lehtësi.

Po sikur dikush të jetë menduar më thellë pasi ka lexuar një postim timin dhe ka gjetur diçka nga të vërtetat që na rrethojnë?

Mbase 1600 postime kanë vlerë edhe sikur të kenë bërë të mundur vetëm kaq!

No comments:

Post a Comment