Tuesday, 8 June 2021

“Kur vjen behari dhe qershitë“


Në qershor diçka ndodhte në anët tona, që kishte shpënë dikë që të shkruante se pikërisht në atë muaj, në kodrat dhe malet, ku behari është pak më i vonuar se në trevat e tjera, “vajzat e bukura, faqkat paputhura/ andej kërkojnë djemtë“. Jo vetëm melodia që në refren i përngjiste një himni dashurie, por edhe vargjet ishin të goditura, se kënga ka mbetur ndër më të kënduarat në festat dhe gëzimet e anëve tona.

Edhe autori e ka theksuar se bëhet fjalë për vajzat në vitet e para të adoleshencës dhe jo ato që një qershor më parë janë puthur dhe mbase kanë luajtur e qeshur pak më shumë mezhdave. Përse ndodh pikërisht në qershor dhe jo në maj apo në korrik, kjo nuk kuptohet në vargjet e këngës dhe nuk ka asnjë studim të mirëfilltë, por studimet rreth seksit në vendin tonë janë ende në fazën e tyre fillestare dhe herët a vonë edhe në kjo dukuri mund të hidhet dritë.

I gjithë entusiazmi që ngjall refreni i këngës dhe zakonisht përbën edhe hyrjen e saj, shuhet në strofën ku autori i thotë syzesës që nuk duhet të ishin dashuruar se do hidhëroheshin më vonë. Ka mundësi që kjo të ketë ndodhur diku nga fundi i gushtit ose shtatori, por se pse mbetet shumë e paqartë. Vazhdon të theksohet se dashuria në qershor vërtet është e ëmbël, por pas disa muajsh të hidhëron. Diçka duhet të lidhet me martesën.

Nuk di se sa shtresëzime janë shtuar gjatë viteve në këngë, por krahasuar me lirizmin e disa strofave, njëra ku autori nuk i drejtohet më vajzës faqepaputhur, por “satëme dhe titeti”, të bën të dyshosh se duhet të jetë bërë nga ndonjë “i pagdhendur” se i mëshohet faktit që “vajzat mbushin gjashtëmbëdhjet vjet dhe duhet të martohen!” Ky shtresëzim problematik nuk kishte se si mos ju binte në sy të huajve, që mbrojnë të drejtat e minorenëve si dhe gazetarëve konservatorë vendas, që demaskojnë Kabalën dhe pedofilinë e Demokratëve të Klintonit. Përpjekje për ta ndryshuar janë bërë edhe nga grupi i                   “4 Vaskave”, të cilët tani në bujtinat e Korçës, kur e këndojnë për jabanxhinjtë, moshën e martesës për vajzat e kanë rritur në 18 vjet.

Por “efekti qershor” nuk vepron vetëm tek faqkapaputhurat e anëve tona, por edhe tek gazetarët e pakorrruptuar dhe të virgjër politikisht, të cilët këto ditë kanë vrapuar andej këtej nëpër botë për të gjetur njëri tjetrin, “që të shkruajnëëëëë të vërtetënëëëëëë“. Të djelën e parë të qershorit e kanë mbërthyer njëri tjetrin dhe jo vetëm që janë lidhur në një Union (që është pak a shumë një martesë kolektive), por dhe janë betuara se “në mundkë dhe në sëmundkë, në qershor e në dhjetor”, do shkruajnë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër veç të vërtetës. Eshtë themeluar pra UGPSHD, që në dallim nga mediat e blera dhe thellësisht të korruptuara të Atdheut, do ushqejë publikun shqiptar vetëm me fakte dhe të vërteta të verifikuara nga tre, katër dhe deri pesë burime të ndryshme. Si garanci për ata që e njohin dhe nuk e njohin gazetarinë shqiptare, kryetar nderi i Unionit është zgjedhur gazetari me banim në Zvicër Skçnder Buçpapa, që ka qënë dikur drejtor i RTSH-së më të pavarur, më profesionale dhe plotësisht të pandikuar nga politika. “Nderi objektiv” i kryetarit të nderit të ngjall shpresë, se “gazetarët mbushin 60 vjet dhe duhet të skopiten!”

Ky është i bukuri qershor i anëve tona, që veç qershive sjell edhe gjallërim të hormoneve sensuale dhe të atyre që lidhen me të vërtetën objektive.

Po hëngre shumë qershi ka të ngjarë të sëkëlldisësh rropullitë dhe shumë hormone të lidhura me seksin shkaktojnë gjithashtu probleme, por me të vërtetën objektive njeriu nuk ngopet kurrë!

No comments:

Post a Comment