Ata që i quajmë “ndërkombëtarët” (për të mos i ngatërruar me termin “komunist” internacionalët, që na shpie tek hymni i proletariatit botëror) kanë pasur një ndikim të madh në shoqërinë shqiptarët. Që të marrësh në shqyrtim se sa për mirë e sa për keq, dhe sa të dobishëm dhe sa të kotë, sa mjeshtra dhe sa amatorë, sa të kulluar e sa të korruptuar duhen vëllime të tëra, gjë që nuk është qëllimi i këtij shënimi. Dua vetëm të përsëris vetëm një aspekt, ku ndikimi i ndërkombëtarëve dhe i terminologjisë së tyre ka qënë i paqëllimshëm, por ka varfëruar fjalorin tonë në politikë, në gazetari dhe në diskutimet që lidhen me politikën dhe shoqërinë.
Mendoj se ndikimi është kryesisht nga shprehje në anglisht,
të cilat përdoren shpesh në fjalorin e politikanëve ndërkombëtarë, një pjesë e
të cilëve nuk e kanë anglishten gjuhën e nënës. Por jo të lakmueshëm nga larmia
e kanë edhe shumë të huaj që merren me politikë apo çështje të lidhura me të në
Amerikë dhe që vizitojnë shpesh vende si i joni, ku lenë gjurmë të shprehjeve të
tyre të stërpërsëritura.
Më kujtohen vetëm disa shprehje, të cilat tani jo vetëm janë
zyrtarizuar në të folurën tonë të përditshme, por përdoren aq shpesh sa
tingëllojnë artificiale, si mish i huaj në gjuhën tonë, pikërisht se janë të
përkthyera fjalë për fjalë dhe ju kanë zënë vendin idiomave tona me të njëjtën
përmbajtje dhe kuptim.
Në fillimin e viteve ’90, shprehje tipike në mjediset
parlamentare dhe në mediat shqiptare u bë shprehja “të hapësh(ose të japësh)
dritën jeshile”, e cila nuk ka nevojë të shtjellohet se i dihet kuptimi.
Shprehja e konsoliduar në vendet perëndimore e ka burimin tek semaforët, të
cilët për fat të keq, në Shqipëri hynë vetëm në vitet ’90 dhe kuptimin në fillim
ja dinin vetëm ata që ngisnin makina. Në vitin 2005, gjatë një bisede
telefonike me një 75 vjeçare në Shqipëri, mu tha se për një problem “nuk ishte dhënë ende drita jeshile”
dhe e kuptova se ishte tepër vonë për të këmbëngulur në përdorimin e të shumtave
që kemi në shqip(edhe të vjetra) rreth dhënies të pëlqimit, dhënien e shenjës për
fillim etj etj.
Një tjetër shprehje që ka fituar qytetarinë dhe që nuk e
kemi pasur më parë edhe pse kemi patur patate me bollëk dhe i kemi ngrënë edhe
të zjera dhe të pjekura, është shprehja “të
mbetet në dorë patatja e nxehtë“. E
kanë veç anglishtfolësve dhe Italianët, por megjithë pushtimin italian apo
ndikimin e RAI-t në vite, në përdorim ka hyrë vetëm kur nisën të vinin amerikanët.
Ne kemi shumë shprehje më të bukura si- “të mbetet doçi në derë“, më me pak
zarar si “të mbetet në dorë dopiogjashta”,
por dashurohemi pikërisht me shprehjen e të huajve, e cila duhet thënë se është
shumë prozaike, shumë zarzavatore dhe pa ngjyrë.
Për të mos e zgjatur shumë, po i jap fund me shprehjen “qershia mbi tortë“ e cila gjithashtu përdoret
edhe nga italianët krahas anglishtfolësve. Ne i vlerësojmë qershitë më shumë se
popujt e tjerë, se jemi të vetmit që kemi emërtuar një muaj të vitit prej tyre,
por as e kemi tortën fjalën tonë dhe aq më pak kemi ndonjë traditë për të vënë
qershi të sheqerosura ose jo mbi torta. Shumë më kuptimplotë për të gjithë
shqiptarët është shprehja “dhe në fund si
në vend të ëmblsirës”, që e ka edhe tortën ndërkombëtare brenda saj.
Gjuha evoluon si ]do gjë e gjallë, por “majmunllëku” jonë
mund të n ashpjerë një tharrje të pasurisë gjuhësore që kemi dhe nuk do mund t’ju
themi dot ndërkombëtareve shprehjen tonë të bukur “na morët më qafë!“, se do e kemi zëvendësuar me ndonjë të huaj dhe
sterile tjetër.
No comments:
Post a Comment