Ka diçka që nuk shkon (mes mijra gjërave të tjera) në politikën e sotme në Shqipëri. Mungesa e ndikimit të një “lobi korçar”. E them që nuk shkon, sepse në Shqipëri mes “super të pasurve” shumica janë korçarë duke nisur me Zamir Manen, Grigor Jotin, Lekat dhe të tjerë emra, të cilët nuk i njoh. Nga përfaqësimi në politikë thuajse është shkretëtirë, ku “oazi” i vetëm është “klani Peleshi”, që në të vërtetë nuk është as klan dhe as ka ndonjë ndikim në politikën e Partisë Socialiste dhe në qeverisjen e saj.
Edhe pse mund të duket si e gabuar idea, që një qytet apo një
zonë e caktuar të ketë ndikim dhe peshë në jetën politike të vendit është plotësisht
brenda logjikës të shoqërisë kapitalisto-demokratike. Cdo bashkësi dhe çdo zonë
do mundohet të tërheqë në drejtim të saj dhe të ketë sa më shumë ndikim në
vendimmarrje për çështjet ekonomike dhe shoqërore.
Nuk dua të bëj asnjë individ apo grupim politik për mbetjen
e qytetit dhe zonës me shumë pak peshë në jetën politike të vendit. Ka 30 vjet,
që i vetmi politikan korçar që ka arritur të jetë në disa kabinete është Niko
Peleshi. Para tij, jo vetëm deputetët korçarë nuk arrinin zinin vende të rëndësishme
në qeveri, por edhe korçarët me banim në Tiranë ishin shumë shumë larg qëndrave
ku merreshin vendimet për vendin.
Nuk e kam fjalën vetëm për investime publike në zonën tonë,
se ato janë vetëm një pjesë shumë e vogël e asaj që unë e quaj peshë në politikë.
Në interesin e Korçës dhe korçarëve është që pushteti të jetë
sa më i decentralizuar. Periudha kur Korça dhe zona përreth njohu bumin
ekonomik ishte pikërisht fundi i shekullit të XIX-të dhe periudha deri në Luftën
e Dytë Botërore. Korçarët kanë dy cilësi që ju sjellin avantazh ndaj të tjerëve
dhe që janë edukata e mirë e punës dhe respektimi më i mirë i ligjeve. Këto dy
cilësi po qe se shoqërohen edhe me pavarësi më të madhe të pushtetit lokal,
transformohen shpejt në gjallërim ekonomik, tërheqje të investimeve të huaja,
rritje të popullsisë.
Në interesin e Korçës është gjithashtu që shteti shqiptar të
ketë marëdhënie sa më të mira me Greqinë dhe Maqedoninë. Janë fqinjët tanë dhe
e para është dhe pjesë e Bashkimit Europian. Për fat të keq, në një pjesë të
mirë të Shqipërisë është e ngulitur një ndjenjë anti-greke. Por më tepër se
kaq, politika e Ramës me afrim të pakufizuar me Turqinë dhe marëdhënie të
ftohta me Greqinë, ka bërë që ndjenja të tilla (të ndërsjellta) të mos shkojnë
drejt zbutjes, por në të kundërt të forcohen.
Kujt duhet t’ja kërkojmë
ne korçarët rritjen e ndikimit tonë në politikën shqiptare?
Askujt tjetër veç vetes! Dhe këtë e kam kryesisht me klasën
e biznesmenëve korçarë që e kanë veprimtarinë kryesisht në Korçë dhe më tej me
korçarët e Tiranës, ata korçarë të cilët merren me politikë dhe më tej me
intelektualët, rininë studentore dhe të gjithë njerëzit e zonës sonë. Nëse duam
të jetojmë më mirë ne dhe fëmijët tanë mos i kenë sytë për të ikur drejt Tiranës
apo Durrësit duhet të bëjmë ç’është e mundur për të kërkuar ato ligje dhe qëndrime
qeveritare, të cilat na favorizojnë. Vërtet që mund të jetë shumë e vështirë për
shkak të regjimeve tradicionalisht autokrate të Ramës, por edhe vetë Rama është
në gjendje të dallojë se cilët grupe kanë peshë dhe cilët janë “pendë të lehtë“.
Nëse do vazhdohet duke e lënë fatin politik të Korçës plotësisht
në duart e Niko Peleshit apo Aldo Manos, zona do vazhdojë të jetë plotësisht “pa
probleme” për “politikanët e Tiranës”. Ata do vazhdojnë në listat e deputetëve
të venë njerëz që jetojnë në Tiranë dhe nuk ju bie ndërmend për Korçën, si dhe
disa “eunukë“ që jetojnë në qytet dhe që nuk shkojnë dot as në banjë pa marrë
leje nga Gramoz Ruci dhe Taulant Balla.
Në çdo gosti i rëndësishmi është ai që qëndron në krye të
tryezës dhe jo ai që “i bie qitharës”. Korçës jo vetëm që i kanë lënë “qitharën”,
por edhe ja kujtojnë ditë e natë si “hyner’.
No comments:
Post a Comment