Përgjigja ime e menjëhershme do ishte: Me patjetër!
E kam shkruar disa herë se mungesa e figurave të mëdha të teatrit,
si dhe arsyet politike e kanë sjellë vendimin e 70 viteve më parë. Cajupi nuk
ka asnjë lidhje me Korçën dhe teatrin e saj dhe meritat edhe në dramaturgjinë
shqiptare të Andon Zakos janë modeste. Cajupi ka merita të mëdha si patriot dhe
është nga të parët që ka shkruar mirë në shqip dhe për Shqipërinë, por deri më
kaq.
Korça ka shumë e shumë njerëz të lidhur me teatrin shqiptar
dhe botëror sa që ndryshimi i emrit është shumë i vonuar.
Si dramaturgë korçarë, që meritojnë të konsiderohen për
emrin e teatrit do përmendja Kristo
Floqin dhe Viktor Eftimiun.
Si regjisorë do veçoja Sokrat Mion, Pandi Stillun,Mihal
Luarasin dhe Piro Manin.
Disa aktorë shqiptarë ose me origjinë shqiptare i bëjnë nder
teatrit të Korçës me emrin e tyre sidomos Xhon Belushi, që është edhe shqiptari më i njohur
në botë pas Nënë Terezës. Por kontribut të shquar kanë edhe disa të tjerë dhe për
tu konsideruar në listën e kandidatëve janë Pandi Raidhi dhe Vangjush Furxhi.
Ndryshimi i emrit nuk është çështje për tu diskutuar, por për
tu diskutuar vlen se cili mund të jetë emri i duhur, që jo vetëm do ketë jetëgjatësi,
por edhe mund të ngjallë interesin e të huajve për skenën korçare, megjithëse
edhe këtu duhet shtuar, që teatri e ka vlerën tek trupa dhe pjesët që ve në
skenë.
Teatri i Korçs është I ri, me një eksperiencë vetëm 70 vjeçare,
nga të cilat 40 vjet i takojnë kohës të një regjimi shtypës dhe 30 vjet të
tjera një tranzicioni të çoroditur. Ka në këto 70 vjet edhe periudha të mira të
tij, edhe pjesë të veçanta të vëna me sukses, edhe aktorë të talentuar. Por
duhet t’i kursejmë superlativat kur flasim edhe për sukseset e teatrit dhe për “yje”
apo për gjenij të skenës. Sepse nuk do kemi të tilla për të përdorur kur flasim
për Moisiun, Laurenc Olivierin, Stanislavskij, Etel Barrymore, Dario Fo, Lee Strasberg
e të tjerë të kalibrit të tyre.
Le të shpresojmë se do gjendet një emër i goditur, që të jetë
si frymëzim për të arritur nivele të mira artistike. Se nëse do duhet të gjejmë
një emër, i cili i përshtatet nivelit të sotëm të teatrit të Korçës, atëhere më
i qëlluari do ishte i gjirokastritit tjetër, Koço Qëndro.
No comments:
Post a Comment