E pranoj që në nisje, që qëndrimi im është tejet maskilist dhe nuk merr shkas nga që fjala “populli” mbaron me “i”, se në të vërtetë ajo është e gjinisë asnjëanëse, por nga mentaliteti im i cungët, që historinë e Shqipërisë e kanë bërë vetëm burrat.
Një studiues serioz do më justifikojë, se meqënëse qysh në
matriarkatin e pellazgëve, ne kemi qënë gjithnjë një shoqëri patriarkale dhe si
e tillë është e kuptueshme që rolin kryesor dhe vendimtar do e luanin burrat.
Ndaj dhe unë po vazhdoj ta shtjelloj idenë time se ne kemi ecur shtigjeve të
historisë me “atë“ në dorë. Jam i sigurt që do has në përçmimin e historianëve
Milo dhe Xhufi, por unë për dy historianët e sipërpërmendur nuk e çaj shumë “atë“.
Bindja më është përforcuar, kur kam krahasuar elementët e vërtetë
të historisë sonë me ato të popujve të tjerë të Mesdheut si fenikasit,
kartagjenasit, darët e thrakasit, që janë zhdukur pa nam e pa nishan me genet
dhe me gjuhët e tyre. Kurse ne, edhe pse nuk ka dokumenta se kemi pushtuar
ndonjë vend tjetër, por vetëm na kanë pushtuar, jemi mirë e bukur edhe sot në
trojet tona, të mirëvetqeverisur dhe flasim e shkruajmë të njëjtën gjuhë. Eshtë
mëse i natyrshëm spjegimi, që kjo ka të bëjë me pjellorinë e grave dhe
gatishmërinë e burrave për t’i pllenuar. Dhe rrjedhimisht dalim në mbajtja e
“atij” me dorë.
Në mira vjetët që vijuan ne jemi karakterizuar nga të tjerët
si një popull paqedashës, por pak i pagdhendur dhe e vërteta është se të dyja i
kemi pasur, por jo në mënyrën se si i kanë përvijëzuar të tjerët. Ne kemi qënë
një popull seksualisht i kënaqur. Se pushtimet gjatë gjithë historisë botërore
pas kanibalizmit nuk janë bërë vetëm për hapësira dhe për para. Ushtritë
mblidheshin lehtë edhe kur ju kujtonin rekrutëve robinjat e bukura të vendeve
matanë lumenjve dhe deteve. Meshkujt e “frustruar” seksualisht mezi prisnin të
arrrinin në vendet e tjera ku me hir dhe me pahir do shfrynin defet e tyre
erotike. Ilirët duke mos pasur problem të këtij lloji mbanin sehir kur të tjerët
luftonin. Tipike ishte lufta mes Cezarit dhe Pompeit , që vendoste fatet e
perandorisë romake dhe zhvillohej në trojet tona, ndërsa ilirët flinin me gratë
e tyre.
Për mospërmbushjen e dëshirave seksuale dhe sulmin ndaj
vendeve të tjera ka shumë e shumë shembuj në gjithë historinë e Europës, por
brezi jonë u keqinformua nga historiografia komuniste e cila jo vetëm i jepte
eskluzivitet faktorit ekonomik, por ishte edhe kundër Frojdit. Gjithnjë më ka
bërë të mendoj balada e Gjergj Elez Alisë dhe e bajlozit të ardhur nga deti, që
kërkonte 30 deshinj dhe 30 vasha të reja. Vetëm dikush tmerrësisht “i
paplotësuar” seksualisht si balozi(që duhet të ketë qënë Viking nga
përshkrimet) mund të kërkonte 30 vasha. Eshtë një rast tipik i ëndrrave të tipave
neurotikë. Ne nuk kemi nxjerrë balozë.
Një tjetër arsye, e cila më shtyn më shumë drejt kësaj
teorie historiografike është fakti, që ne kemi qënë populli i fundit në Europë
që e shkruam gjuhën tone aty nga fundi I XIX-tit, që ka të ngjarë të jetë në mos
më e vjetra, ndër më të vjetrat e gjuh[ve europiane. Nëse flasim për shkrime të
bukura, për poezi të mrekullueshme dashurie, për përkthime thuajse hyjnore, për
kaligrafi estetikisht të përsosura, këto të gjitha ju takojnë murgjëve të
shekujve nga i pesti dhe deri tek i nëntëmbëdhjeti. Dhe dihet se cila është
karakteristika kryesore e murgjve. Ilirët dhe më vonë arbërit kishin një numur
shumë të kufizuar murgjërish sepse ishin fillimisht paganë dhe më vonë jo
fanatikë në besimin fetar.
Dhe kështu vijmë në ditët historike më të afërta, kur kishim
gjetur rehat me Babën, sepse jetohej në një shoqëri shumë liberale nga pikpamja
seksuale. Bota e vogël shqiptare kishte prej burrneshave deri tek dylberët,
prej lalëve qejflinj tek çingenetë dhe prej bejlerëve që kishin të drejtën e
natës së parë dhe deri tek ata që kishin shtatë gra. Ndaj edhe figura e dytë më
e rëndësishme e historisë sonë, Ismail Qemali, mbante pas vetes gruan, fëmijët
dhe një dashnore stabël. Dhe e ngriti flamurin pa e hequr dorën nga “ai”.
Historitë erotike të të vetmit mbret që kishim nuk ka pse të
përsëriten deri sa arritëm tek ai, të cilit i atribuohet shprehja “…e shpatës
në dorë“. Ka zëra , që me shpatën ai ka pasur parasysh “atë“, sepse ishte një
“nofkë“ që i kishte vënë në vitet e qejfit në Francë, por edhe sikur kjo të mos
jetë plotësisht e vërtetë dihet se sinonimi i shpatës është palla dhe po ashtu
dihet se ç’ësht sinonimi i drejtpërdrejtë i pallës.
Ndaj nuk duhet të na shqetësojë fakti që udhëheqësit e sotëm
e mbajnë pak si shumë dorën në “atë“. Më shumë duhet të shqetësohemi për
këmbënguljen që po tregohet në plotësimin e kuotave gjinore, gjë që jo vetëm na
nxjerr nga tradita, por dhe ka mundësi të na heqë të vetmin mjet me të cilin
mund të çajmë edhe më tej rrugën e historisë.
Shënim: Nuk e përmenda hundën e Skënderbeut për vetë faktin
se u përqëndrova në dora.
No comments:
Post a Comment