(vijim)
Fjala –racizëm- përdoret dëndur në marëdhëniet midis popujve të Ballkanit, por unë mendoj se më e saktë do ishte të quhej një “urrejtje ndëretnike”. Në një masë të madhe popujt e ballkanit përçmojnë dhe urrejnë njëri tjetrin dhe këtu futemi edhe ne shqiptarët. E megjithatë, duke qënë më të varfër dhe njëkohësisht duke pasur pjesë të tëra të popullsisë sonë në shtetet fqinje, ne e dëshmojmë më pak superioritetin ndaj të tjerëve, ose jo rrallë tregohemi inferiorë. Të rinjtë e ardhur nga fshatrat e varfër shqiptare, që nuk dinin gjuhën greke, që ishin të veshur jo mirë, binin shumë e lehtë pre e shfrytëzuesve grekë, të cilët i paguanin shumë më poshtë se sa paguhej krahu i punës.
Duke qënë ballkanas mendjengushtë, një pjesë jo e vogël e
fqinjëve harruan vitet e tyre të emigracionit në Angli dhe Gjermani, ku i
kishin poshtëruar shumë në vitet ’50 dhe ’60. Sigurisht kishte edhe njerëz
mendjehapur, bujarë dhe të arsyeshëm, që silleshin mirë me emigrantët shqiptarë
dhe i ndihmonin në hallet që kishin. Por thuajse të gjithë nxitonin t’i kthenin
shqiptarët e fesë muhamedane (ose të paktën fëmijët e tyre) në të krishterë
duke i pagëzuar. Kjo solli ndryshimet në masë të emrave të shqiptarëve për “tu
pranuar” si pjesë e mjedisit grek për të gjetur më lehtë punë dhe sidomos për
të marrë dokumentat aq të lakmuara të “vorio-epirotit”, që të siguronin Lejen e
qëndrimit. I paspjegueshëm ishte qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj kësaj
dukurie, që ishte në shkelje të hapur të Marëveshjes së Helsinkit dhe të gjitha
praktikave të emigracionit të Bashkimit Europian. Ishte i vetmi vend i
zhvilluar perëndimor ku Ilirët u kthyen në Ilia, Fatmirët në Fotaqë dhe Hasanët
në Jani.
Gjatë vitit 1993 bëra disa udhëtime në Greqi, përsëri në
Athinë për të takuar familjen e motrës. Ata e kishin shtuar rrethin e miqve
edhe me disa familje greke dhe marëdhëniet i kishin shumë miqësore. Në bisedat
me grekët të gjithë ishim në një mendje për politikën jo të mirë ndaj
emigrantëve që ndiqej nga qeveria e Greqisë. Kur prekej çështja e Vorio-Epirit,
grekët ishin më të përmbajtur, se dukej që nga propaganda e disa brezave në
tekstet shkollore, ku ishte shkruar vetëm për padrejtësitë që i ishin bërë
Greqisë nga Fuqitë e Mëdha. Në mendjet e tyre jo vetëm që kishin humbur pjesë
të Azisë të Vogël dhe Qipros, por edhe territore të tëra në jug të Shqipërisë
dhe të Bullgarisë. Si të gjithë popujt e Ballkanit edhe ata në librat e tyre të
historisë ishin viktimat.
Disa herë udhëtova me trend he atë vit pashë diçka të cilën
nuk e kisha parë më parë kur shkoja në Athinë. Në stacionin e Platias, ku
merrja trenin që shkonte nga Selaniku në Athinë hipnin edhe shumë emigrantë
shqiptarë, të cilët kishin udhëtuar maleve për të kaluar kufirin dhe si kishin
arritur me mjete të tjera deri në stacioni i trenit donin të shkonin drejt
jugut, ku kishin më shumë mundësi për të punuar. Ishin të lodhur, të parrojtur,
pa bërë dush prej disa ditësh dhe të veshur jo mirë. Kur hynin në tren,
konduktorët dhe policët i shtynin drejt vagonit të fundit, që ishte lënë enkas
për emigrantët shqiptarë. Ndjeheshe keq, se nga një anë nuk kishe guximin të
ngrije zërin pse ndodhte kjo dhe gjithashtu të dukej pakuptim të bashkoheshe me
ta në vagonin e fundit. Kishte nisur periudha, kur shqiptarët kishin vështirësi
për të pranuar me krenari në Greqi se ishin shqiptarë.
Qeveria dhe mediat greke kishin bërë punën e tyre për të na
paraqitur si një popull jo vetëm i varfër, por edhe i pagdhendur. Ndodh rëndom,
që qeveritë për të mbuluar problemet e vendit, ju hedhin fajin të huajve dhe
dukej se këtë kartë qeveria greke e ndihmuar edhe nga televizionet dhe gazetat
po e luante fort. Ndoshta në këtë mënyrë mbante nën trysni qeverinë shqiptare për
t’i imponuar marëveshje ekonomike që favorizonin grekët dhe për të lënë në
heshtje problemin e Camërisë, të cilin nuk pranonin ta zinin goje, se dukej që i
trembeshin.
Asgjë nuk ndryshoi për shqiptarët në Greqi me ardhjen në
fuqi të socialistëve të Papandreut. Trajtimi i tyre si qytetarë “të dorës së
dytë“ vazhdoi po njëlloj dhe kishte filluar të zbehej edhe ndihma që popullsia
greke ju jepte emigrantëve në vitet 1991-92.
Një lloj gjallërimi I ekonomisë greke shtonte kërkesat për krahë pune në
ndërtim, bujqësi për burrat dhe pëkujdesje ndaj pleqve dhe fëmijëve si dhe
pastrimin e shtëpive për gratë. Shqiptarët vazhduan të emigronin në numur edhe
më të madh dhe duke patur vetëm viza turistike ose duke kaluar kufirin pa viza.
Edhe në sajë të tyre, familjet greke po kalonin një periudhë pasurimi ekonomik
dhe bashkë me të rritej edhe fodullëku. Dëfrimet e tyre në lokale që nuk
mbylleshin kurrë nuk ndodhnin në asnjë vend europian. Të rinj që nuk punonin
dhe zdërhalleshin kafeneve duke luajtur tavëll, burra me rroga të mira në punët
e panumurta shtetërore dhe gra shtëpijake, që nuk pastronin shtëpitë se ju
kushtonte pak të merrnin një shqiptare ose filipinase për t’ju pastruar. Kjo
ishte jeta për pjesën më të madhe të athiniotëve, që nuk donin t’ja dinin se
Papandreu po e fuste gjithnjë e më shumë Greqinë në borxhe. Jeta e lehtë, pa u
munduar të shton agresivitetin dhe të ul ndjenjën e mëshirimit dhe të dashurisë
për të huajt dhe të varfërit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment