(vijim)
Eshtë e çuditshme se gjithë besimtarët më të vendosur të feve të ndryshme në Amerikën e Veriut, gjatë 17 muajve të fundit kanë qënë më rezistuesit ndaj masave antiCovid të qeverive amerikane dhe kanadeze. Mes tyre edhe çifutët ortodoksë, të cilët edhe në kohët më të vështira të pandemisë mblidheshin në turma të mëdha për të festuar apo për të bërë varrime. Nuk jam i sigurt nëse është kontradikta fe-shkencë e proklamuar dikur nga illuministët dhe më vonë nga komunisto-ateistët, ajo që I bën fundamentalistët fetarë që të mos respektojnë ligjet, apo është ndjenja më e fortë e bashkësisë tek të tjerët dhe nevoja për ta, nëse besimi tek Zoti i bën të jenë më të mbrojtur, apo është një përzjerje e të gjithë arsyeve të sipërenditura së bashku me të tjera që nuk më shkojnë ndërmend. E megjithatë nuk ka të dhëna statistikore të thuash nëse viktimat e Covid kanë qënë më të shumta tek fundamentalistët, besimtarët më liberalë, tek ata që nuk janë fetarë apo tek ateistët.
Gjithsesi, të gjithë ata që vishen në mënyrë të çuditshme në
Amerikën e Veriut dhe që të kujtojnë se vijnë nga Europa dhe Azia e shekullit
XIX, XVIII dhe më thellë në kohë lindin edhe shumë fëmijë dhe e kanë të sigurt
mbijetesën e bashkësisë të tyre në shekuj. Bruklin dhe të tjera vende që kam
parë më vonë në Amerikë dhe në Kanada, ku shikon menonitë që shkojnë rrugëve me
karroca përkrah automobilave të shtrenjtë, gra në Nju Xhersi të mbuluara kokë e
këmbë me burka, policë kanadezë me një çallmë të madhe në kokë, gra indiane me
veshjet e tyre larushanka, kupton se çdo të thotë “Vend i lirë“. Liria e plotë
e individëve dhe bashkësive për të jetuar në kohën e tyre, sipas mendësive të
tyre dhe duke bërë ato ç’ka ju pëlqejnë pa cënuar jetën dhe lirinë e të tjerëve.
Pak më poshtë se zona e Hasidikëve ishte një pjesë publike
me gjelbërim dhe kalime këmbësorësh, që të nxirrte në një lirishte të madhe përballë
East River, ku shumë njerëz çlodheshin shtrirë mbi bar, bënin banjo dielli,
hanin dhe pinin dhe i gëzoheshin diellit pa parë rrotull se kush ishte dhe se
sa i veshur apo i çveshur ishte. Flisnim pa frikë shqip se përreth dëgjonim
njerëz që këmbenin biseda në të gjitha gjuhët e botës dhe nuk ishte aspak
Babiloni. Vërtet që kjo nuk është jeta e plotë e Bruklin, se një “turist” nuk
mund të shohë njerëzit që punojnë me orë të zgjatura për të paguar qeratë e
larta, familjet që luftojnë me problemet e drogës tek fëmijët, minoritetet që
kanë problem të mëdha të shëndetit për shkak të varfërisë dhe dhjetra plagë të
tjera të shoqërisë amerikane. Por këto janë problem që ju takojnë t’i zgjidhin
vetë bashkësitë dhe veprimtarët shoqërorë dhe politikë. Një vizitor i huaj mund
të shkruajë vetëm rreth asaj që është e dukshme në rrugët dhe trotuaret e
Bruklin, në linjat e metrosë dhe në kafenetë dhe restorantet që mbushin këtë
pjesë të Nju Jorkut.
Diku kam përmendur, që edhe në Bruklin nuk mu nda figura si
prej zogu e Sali Berishës. Një zogu grabitqar. E shihja ndryshe kur isha herën
e parë në Bruklin, megjithëse e gjykoja që kishte vepruar gabim që sa kishte
arrestuar Fatos Nanon, duke i dhënë atij padashje statusin e një heroi të së Majtës.
Por ishin 28 vite më parë dhe dija shumë më pak rreth arkitekturës, botës,
Shqipërisë dhe Amerikës, po qe se e krahasoj me ato që kam mësuar deri më sot.
Ashtu si Hasidikët që ruajnë traditat e tyre qindravjeçare
dhe ndryshojnë shumë pak, për fat të keq edhe ne shqiptarët kemi ndryshuar shumë
pak nga ç’ishim 130 vjet më parë, 80 vjet më parë dhe 30 vjet më parë. Edhe nëse
nuk mbajmë më mbi kokë feste apo qeleshe të llojeve të ndryshme sipas
krahinave, ato që kemi në kokë nuk kanë ndryshime thelbësore me ato të gjyshërve
tanë. Ne jemi dinakë, paragjykues, racistë, mendjengushtë, maskilistë,
interesaxhinj, materialistë. Rendita disa cilësi negative, të cilat i kanë edhe
gjithë ballkanasit e tjerë dhe që i manifestojnë edhe në emigrim. Kemi edhe cilësi
të mira, por ato nuk po i përmend se nuk duhet që t’i ndryshojmë.
A ndryshojnë njerëzit dhe bashkësitë me të njëjtin ritëm që
ndryshon teknologjia, arkitektura, mënyra e të veshurit etj.?
Jo. Dhe kjo nuk më hiqej nga mendja në Bruklinin e
ndryshuar, ndërsa shihja qindra të rinj, të qetë, të shkujdesur, me kufje në
vesh dhe telefonë “të squar” në duar, që ecnin me nxitim ose vraponin për të
mbajtur trupin në formë.
Nuk besoj se do jem në gjendje të rikthehem pas 28 vjetësh në
Bruklin për të parë se si janë çifutët Hasidikë, ndërtimet e reja, parqet dhe
njerëzit. Dy vizitat e mia kanë qënë krejt të rastësishme, por më kanë lënë
mbresa.
Nëse vërtet mund të ndodhë diçka e tillë, uroj që edhe unë të
kem ndryshuar për mirë!
No comments:
Post a Comment