Wednesday, 2 June 2021

Përsëri në Bruklin


Thuajse pas 28 vjetësh jam përsëri në Bruklin. Më mirë të them në Sauth Broklin.

Të parën herë mu duk shumë i ndryshëm nga Manhaten, që më kishte impresionuar në mënyrë gati të frikshme me qiellgërryeset aq pranë njëra tjetrës. Më ishte dukur shtypës, impozant, i egër dhe i ftohtë. Ishte ende në kohën kur kriminaliteti ishte i lartë.

Pjesa e Bruklin, ku kishin shtëpinë të afërmit e mij ishte shumë ndryshe. Shtëpi druri dykatëshe me një arkitekturë tipike të Amerikës, që nuk të entusiazmon, por në të njëjtën kohë të jep një ndjenjë qetësie dhe sigurie. Shtëpi të vëna në rradhë, të një shoqërie të vënë në rradhë, ku të pakta janë “objektet që gërthasin dhe duan të bien në sy”. Isha mësuar me idenë tonë të projektimit të fillimit të viteve ’90, që çdo shtëpi duhet të jetë e ndryshme. Ndoshta edhe duke ndjekur mentalitetin e shoqërisë shqiptare “të bëj një shtëpi që të bjerë në sy, t’ja kalojë asaj të fqinjit!”

Në gjykimin e hapësirave dhe arkitekturës së një qyteti të panjohur, ne arkitektët shqiptarë, ndoshta nga izolimi, ndoshta nga formimi i pjesshëm, kemi prirjen të japim mendim të bazuar në perceptimin shqisor pa I dhënë kohë të menduarit. “Kjo është e bukur!”, “C’i kanë këto ndërtime!”, “Sa keq projektojnë!” e të tjera të ngjashme, konstatime të cilat janë të natyrshme për njerëzit e zakonshëm, por që nuk duhet t’i bëjnë specialistët. Këta të fundit (dmth ne) duhet të rrekemi të kuptojmë më shumë “pse-të“ e organizmit hapësinor dhe të karakteristikave ndërtimore të një zone të caktuar, para se të japim gjykimin tonë. (Krejt ndryshe, në krahasim me 28 vite më parë e shoh Manhaten dhe Bruklin.)

Le të kthehemi në Bruklin i shtatorit 1993. Për herë të parë pashë shumë burra të veshur me pallto të zeza, me kapele të zeza, me syze dhe me nga një lloj cullufeje të përdredhur, që ju binte pranë veshëve. Ishin ebrejtë ortodoksë, që jetonin në atë zonë. Mu dukën të sjellë nga një kohë tjetër ndërsa ecnin vetëm, ose në shoqërinë e ndonjë tjetri, të menduar dhe pa u ndjerë. Në oborret e vogla ose në ballkonet e shtëpive kishte të krijuara disa çadra të mëdha plastike, për të cilat im kushëri më tha se po afrohet viti i ri i tyre dhe është në traditë ta festojnë jashtë shtëpisë dhe brenda çadrave. Mu dukën të çuditshëm, sepse deri atë kohë nuk kisha njohur asnjë çifut ortodoks apo liberal. Në Korçë nuk kishte patur familje hebre dhe në kontaktet me të huajt nuk njihja kënd që të më kishte thënë se ishte i tillë.

Bruklin i këtij maji ishte shumë i ndryshëm nga ai që ishte ende në mendjen time. Ndërtimet e larta ishin shtuar dhe me to edhe prania e të rinjve me profesione të mira dhe të ardhura të shumta, që përpiqen ta shijojnë jetën pas orëve të gjata të punës. Por gjatë një shëtitje të gjatë në Sauth Bruklin hasa sërish në burrat me pardesy të zeza dhe me kapele të zeza. Këtë rradhë ishin më të shumtë dhe një pjesë e mirë syresh mbanin mbi kokë një lloj “daulleje” me qime që quhet shtreimel. Shtreimel nuk është një gjë e re në çifutët ortodoksë të sektit Hasidik, por ose në vitin 1993 unë nuk kisha hasur ortodoksë të tillë, ose ditën që eksplorova Bruklin gjatë këtij Maji duhet të ketë qënë një festë e rëndësishme e Hasidikëve. Si është e zakonshme dhe e lehtë në këtë kohë, në ndihmë më vjen google dhe dalja e gjithë këtyre burrave me shtreimel në kokë, bëhet se është mbyllja e festës Shavout. Megjithëse shumë nxehtë dhe të veshur me pardesy të zeza dhe një “daulle me lesh” mbi kokë, hebrejtë e devotshëm nuk tregojnë asnjë shenjë bezdisjeje  apo djersitjeje. Më lindi një dëshirë kalamanore t’ju rrëzoja nga koka ndonjë shtreimel, se më dukeshin lehtësisht të rrëzueshme, por tundimi nuk ishte më i madh se frika e ndonjë përplasjeje dhe akuze pr anti-semitizëm. Më pas mësova se nuk është kaq e lehtë të rrëzosh nga koka një shtreimel dhe që teknologjia e prodhimit të tyre është sekret. Vazhdova rrugën time nën diellin e nxehtë, duke menduar se ç’mendojnë për ne besimtarët ortodoksë, ndërsa ju kalojmë përkrah me pantallona të shkurtra dhe kanatiere dhe nga një shishe me ujë të ftohtë në dorë. “Njerëz pavlerë“, “insekte të bezdisshme”, “të pamoralshëm të gjorë“, “qënie që nuk do i rezistojnë dot ferrit”? Mbase Hasidikët as mendojnë për ne, ose të paktën nuk e vrasin mendjen kaq shumë sa e vras unë për ta.

(vijon)

No comments:

Post a Comment