Titulli i Perandorisë Otomane “bej”, i përhapur shumë edhe në trojet shqiptare, ju jepej prijësve të krahinave ose të fiseve në të gjithë territoret e perandorisë. Ishte një titull i rëndësishëm, që shpesh shoqërohej edhe me dhurime tokash apo pasurish të tjera.
I pari bej i famshëm i historisë shqiptare është Skënderbeu,
ose Aleksandër bej, i quajtur i tillë për të nderuar Aleksandrin e Madh. Sigurisht
që ka pasur edhe të tjerë para tij, por figurë më të madhe se Gjergj Kastrioti
ne nuk kemi. Më pas vijnë të tjerë të mëdhenj nga Naim bej Frashëri, Ismail bej
Qemali, Iljaz bej Vrioni dhe deri në mbreti Ahmed bej Zogolli.
Propaganda e madhe gjatë Diktaturës kundër bejlerëve, e
ktheu titullin në një emër të përçmuar nga shqiptarët, ndaj edhe sot rrallë
sheh të përmenden me vlerësim “vjen nga një familje bejelerësh” apo “i gjyshi
ka qënë bej i njohur”. Kjo është forca e çuditshme e propagandës dhe e përsëritjes
së gënjeshtrave. Edhe në një botë të të barabartëve, përsëri ka tituj, të cilët
i dallojnë njerëzit për kontributet e tyre në fusha të caktuara të jetës. Ka
tituj shkencorë, akademikë, çmime për arritje të ndryshme në fushat e dijes,
sportit, artit etj.
Eshtë e llogjikshme, që mes bejlerëve të shumtë shqiptarë
(një periudhë turqit e kishin bërë titullin me një mandat njëvjeçar dhe të
drejtë përsëritjeje), ka pasur edhe njerëz pa merita, edhe tradhëtarë të çështjes
shqiptare, por kjo nuk ishte e përgjithshmja. Pa bejlerët nuk bëhej Shqipëria! Ata ishin jo vetëm njerëz të pasur
dhe me ndikim të madh, por edhe të shkolluar, edhe me funksione të larta në
administratën turke, edhe me lidhje të forta me politikanët turq dhe europianë.
Lidhja e Prizrenit ishte një organizim i 57 bejlerëve shqiptarë.
Duke qënë titull i një shteti të huaj, detyrimisht me kalimin e kohës ai do e humbiste vlerën e vërtetë, por nuk kishte pse të humbiste vlerën simbolike. Në republikat demokratike, përgjithësisht titujt, që i përkasin feudalizmit bien, ose zëvendësohen me të tjerë, por traditat nuk fshihen dhe aq më pak të përçmohen. Ndaj të gjithë duhet të pranojmë dhe të krenohemi se në Shqipëri ka pasur edhe shumë bejlerë.
No comments:
Post a Comment