Ajo, që ndodhi sot në Kuvendin Popullor nuk ishte më një
show. Ose të paktën pjesa, që ju bie Monika Kryemadhit dhe Sali Berishës, se
brenda të gjithë ngjarjes së sotshme kishte edhe 5-6 “skeçe” te tjera. Duke
nisur me bluzat e deputetëve dhe duke përfunduar në vjedhjet e kartave të
votimit. Një “foto” e shëmtuar ishte edhe ajo e betimit të Kryeprokurores, ndërsa
tymi i kuq ngrihej brenda sallës së Kuvendit.
Por le të kthehemi në mospërmbjatja e Kryemadhit dhe e
Berishës. Të dy e kishin seriozisht. Po i bënin të qartë Ramës, që do mbaheshin
me thonj për të mos lejuar të hynin në burg të afërmit e tyre Ilir Meta dhe Shkëlzen Berisha. Ose më mirë, për t’i thënë Ramës,
që mos guxonte t’ju bënte shantazh gjatë vitit , që po vjen se do e merrnin
edhe atë me vete. Nuk kanë se si të kërcënojnë ambasadorin amerikan, por për atë
do durojnë edhe 7-8 muaj.
Në gjithë këtë lojë të fëlliqur, ku të gjithë personazhet
kryesorë janë jo vetëm të zhyer në “m… e korrupsionit dhe kriminalitetit”,
ekziston një rrezik i madh për të gjithë të sipërpërmendurit. Ajo, që loja të
dalë nga kontrolli i tyre i plotë, që kanë pasur deri tani.
Unë nuk i besoj “përrallat naïve” të Spartak Ngjelës, që
tashmë çdo gjë do shkojë mbarë se ka hyrë në lojë Amerika apo FBI-ja.
Me gjithë vullnetin e mirë të amerikanëve, Shqipëria është
një shtet i vogël dhe i pavarur. Qoftë për interesat e tyre, qoftë për rëndësinë,
amerikanët nuk kanë ndërmend të ndërtojnë gjithë strukturën e shtetit shqiptar.
Nuk do e bënin as në Porto –Riko, që është
brenda bashkësisë të shteteve amerikane.
Reforma në Drejtësi për ta është një projekt, për të cilin
janë ngarkuar disa burokratë dhe që mund edhe të kurorëzohet me sukses, por
edhe mund të dështojë. Dhe do e quajnë një projekt të dështuar. Nuk mund të
realizosh një Reformë rrënjësore në një nga shtyllat e pushtetit, kur kundër
saj ke Presidentin, Kryeministrin, shefin e Opozitës, një dorë me politikanë
dhe shumë gjykatës e prokurorë.
Por kontrolli i plotë i Drejtësisë nga politika nuk mund të
jetë më i tillë. Detyrimisht do ketë forca dhe individë, që nuk janë ushtarë të
bindur të Berishës , Ramës dhe Metës,
Ajo ç’ka pritet të ndodhë është “ç’montimi” i prokurorëve
dhe gjykatësve “thellësisht të komprometuar” dhe vendosja e një procesi më të
saktë emërimi.
Por edhe të gjithë ata, të cilët do vendosen, jo vetëm nuk
mund të jenë të kulluar, por janë të lidhur me njëmijë fije me politikën, me
bizneset apo me interesa të tjera. Jemi një vend i vogël dhe me një mentalitet
fisnor, brenda të cilit është e vështirë të funksionojë një Drejtësi e tipit
Perëndimor dhe aq më pak e tipit Anglo-Sakson.
Edhe shpresa se disa “peshq të mëdhenj” si Meta ,
Berisha, Bode, Beqja apo Ahmetaj do shkojnë shpejt pas hekurave ka pak të ngjarë.
Ramës i intereson të
bëjë presion mbi kundërshtarët, pot jo t’i dënojë.
E di, që pas tyre është rradha e tij ndaj nuk do të krijojë
atë preçedent dhe jo se i dhimsen kundërshtarët.
Ndaj dhe tërbimi i Kryemadhit dhe i Berishës i drejtohej një
përpjekjeje të mundshme të tij për shantazh në të ardhmen. Shantazh me dosje të
hapura, të rihapura dhe të mbyllura.
Loja mes bandave do vazhdojë edhe mot edhe tjetrin.
Do jetë mirë mos kthehet në luftë, se ajo ka viktima dhe si
gjithnjë viktima do jenë të pafajshmit.
No comments:
Post a Comment