Cdo vit, në politikën shqiptare ka pasur sende
seriozo-qesharake, që janë stërkomentuar nga publiku, ose janë bërë simbole të
poseduesve apo përdoruesve të tyre. Për vitin 2016, në konkurencën e fortë mes
“çantës të zezë të Baba Takut” dhe ‘brekëve me vrimë të Shukriut”, këto të
fundit u kosideruan si më të rëndësishmet e vitit.
Këtë vit janë shumë të tilla, por dhjetë prej tyre kanë tërhequr
më shumë vëmendjen e mediave tradicionale dhe atyre sociale.
Më poshtë janë:
Palltoja e Erion Braçes
– Objekti në fjalë, i firmës Zara, u shfaq në publik, mbi trupin e
deputetit Erion Braçe, gjatë ceremonisë mortore të poetit Dritëro Agolli. Nga
komentuesit dashamirës dhe dashakeqës, palltoja blu me kuadrate të mëdha e viza
të kuqe, u quajt e papërshtatshme për tu mbajtur në funerale. Por më e rëndë
ishte dëshmija e një mediume, që kishte dëgjuar poetin të theshte me vete
vargjet: Jam i vdekur i pakallur/ S’mund
të flas prandaj po hesht/ Gjithë qajnë të përmallur/ Po
ç’është veshur kështu ky plesht?!
Atletet e Ramës- Kryeministri
Rama, i njohur për garderobën e pazakontë, bëri
të krruajnë kokën të gjithë shefat e protokollit të kancelarive
europiane, gjatë vizitave të tij zyrtare, ku paraqitej me kostum dhe atlete të
bardha. Komentet kishin qënë gjithfarëshe, që nga shpirti artisto-rebel i
politikanit Rama dhe deri në thashetheme rreth problemeve të vjetra të higjenës
personale të përhapura nga kundërshtarët e tij politikë. Vetë kryeministri
ishte lumturuar nga befasimi i të tjerëve dhe pat parashikuar, që atletet e bardha
do ishin trendi më ri në takimet zyrtare shtetërore. Menjëherë pati një reagim
të fortë nga IAR (Asociacioni Internacional i Reperve), që kanë eskluzivitetin
e veshjes së atleteve të bardha me kostum.
Radarët e Mimit –
Mimi Kodheli është e para grua shqiptare, të cilës i është besuar mbrojtja e
vendit. Do ishte thuajse një Shote Galica, po qe se do i kishin funksionuar mirë
radarët. Edhe pse Mimi kishte deklaruar që “Qeveria e ze lepurin me radar”,
radarët e Durrësit nuk zinin dot skafet me kanabis, që niseshin drejt Italisë.
Dhe nuk ishin skafe të sofistikuar me sistem anti-radar, por vetëm skafe të
thjeshtë të kushërinjve të dhjetë të ministrit Tahiri. Duke qënë pjesë e
familjes socialiste detyrimisht edhe kushërinj të njëmbëdhjetë të Mimit.
Palmat e Lali Erit- Gjatë
vitit 2017, palmat e mbjella përgjatë autostradës, shkaktuan po aq probleme në
Tiranë sa shkaktoi edhe ideatori i tyre,
Veliaj. Të ideuara si tërheqje për investitorët e huaj, që në rrugën nga
Rinasi në zyrat kryesore të kryeqytetit, të krijonin bindje se ishin në një
“Republikë Bananesh” dhe një bakshish i majmë do ishte i mjaftueshëm për të pasur lehtësi në biznes,
palmat duket se “ u ndjenë të përdorura” dhe ose u thanë, ose bllokuan kanalet
e shkarkimit të ujrave përgjatë autostradës. Në shenjë proteste, gjatë përmbytjes
së Nëntorit, Lali Eri refuzoi të mbante mbi krye një gjethe palme, por eci duke
u qullur nëpër shi dhe në dhjetor filloi shkuljen e tyre.
Qebaptorja e Kumbaros
në Butrint- E konceptuar si një pikë çlodhjeje dhe informacioni për vizitorët
e Butrintit, objekti i shumëpërfolur gjatë vjeshtës, ishte menduar të ndërtohej
vetëm me materiale të lehta dhe beton poshtë. Kundërshtimet e arkeologëve arritën
deri në zyrat e UNESKO-s, të cilat konfirmuan se Kumbaro kishte vepruar në kokë
të saj për të mirën e Butrintit, Shqipërisë dhe Rajonit. “Gojët e liga” folën
edhe për një komercializim të plotë të Butrintit, ku do kryhen kundrejt pagesës
pagëzime në Baptisterin e famshëm, dasma dhe shfaqje me muzikë tallava në teatrin
antik. Të gjitha këto e bëjnë të domosdoshme ngritjen e qebaptores dhe më vonë
të një furre buke. Mbiemri Furrxhiu i ministres lidhet krejt rastësisht me furrën.
Veliera e Vangjush Dakos-
E projektuar nga arkitekti italian Casamonte, çuditërisht objekti prej
betoni, që po ndërtohet në Durrës pranë zonës arkeologjike, mori emrin “Veliera
e Gjushit” jo vetëm se Gjushi është kryetar i Bashkisë, por edhe se është
sinonimi i betonit në Durrës. Në renderimet e projektit objekti të kujton “çadrat
e improvizuara” të viteve ’60 në Plazhin e Currilave, kur një çarçaf lidhej mbi
katër kallama dhe krijonte hije për një familje të zhurritur nga dielli dhe
Diktatura. Casamonte nuk ka si të ketë pasur njohuri për to, sepse nuk
ekzistojnë foto ose skica të tyre. Gjushi ka menduar gjithashtu, që pastrimi i
Velierës të bëhet nga puna vullnetare e të burgosurve, që do lirohen para kohe
sipas rekomandimeve dashamirëse të Bashkisë së Durrësit
Patentat e Saimir
Tahirit – Midis shumë objekteve, që lidhen me ish- ministrin Tahiri duke
filluar me Audin e tij të zi, syzet e kushtueshme, përgjuesit në zyrë dhe
gjerdhanit me diamante, “shkëlqejnë“ patentat e lundrimit, që i dhanë atij nofkën
Lundërtari i Madh. Patentat u gjendën në një makinë biznesmeni pranë afro 1
milion dollarësh, por më e habitshmja se ndodhja në makinën e tjetrit apo edhe
shuma e madhe e parave, ishte fakti, që Tahiri ishte i aftë të timononte një anije 10 tonshe. Sipas Berishës,
Saje Qorri kishtenë plan të arratisej në Kubë me një anije 10 tonshe, në kuvertën
e së cilës do ishte e gjithë “policija që duam”.
Cizmja e Monikës – Sendi
në fjalë është tashmë jashtë Shqipërisë, pasi i është shitur në E-Bay një industrialisti
kinez, për një shumë të mbajtur sekret. Flitet, që shuma tejkalon të gjithë
pasurinë e vënë me djersën e ballit nga çifti Kryemadhi-Meta, gjatë 20 viteve të
fundit. Cizmja u bë e famshme në një séancë të zgjedhjes së Kryeprokurores, kur
për të mbrojtur Kushtetutën nga shkelja me atlete e Ramës, Monika nxorri çizmen
dhe e hodhi me gjithë forcën drejt kryeministrit. Ai e pa me përbuzje dhe frikë
se nuk mban çizme. Për këtë gjest trimëror, gazetari i njohur Frrok Cupi ishte
në mëdyshje nëse duhet ta quante Kryemadhin në një shkrim të tij “Monika me çizme”
apo “Zhan D’Ark”. Për shkak të tingëllimit të ngjashëm me librin e njohur “Maçoku
me çizme”, gazetari zgjodhi përcaktimin e dytë. Në fund të fundit edhe heroina
franceze mbante çizme gjatë luftimeve..
Brekushet e Ramës – Të
gjitha periudhat e vështira të këtij viti Rama i ka përballuar duke veshur
brekushe. Ende kryeministri nuk ka dhënë një spjegim të plotë psikologjik, se
cilat janë arsyet, që gjatë krizave ai ju kthehet brekusheve të dashura. Ato mbase
e bëjnë të ndjehet diçka ndërmjet ideve moderne të Yamomoto-s dhe humorit
shpotitës të Daj Cenit nga Priska, por opinioni i gjerë shqiptar ende nuk ka
arritur ta kuptojë. Ka mendime se ato e bëjnë të ndjehet “i dhjerë, por krenar”
e megjithatë mendimi i përgjithshëm, është që me to duket më shumë “i dhjerë“
dhe shumë pak krenar. E megjithatë, des
gustibus e coloribus disputandum non est e ka thënë latini, pa menduar
thellë se në botë do dilnin çdo lloj marrokësh, që do fshiheshin pas kësaj
shprehjeje.
Cadra e Bashës- Për
shkak të simbolikës, shkrimeve të shkruara, polemikave brenda dhe jashtë saj,
Cadra e Lulëzim Bashës i kalon të gjithë sendet e politikës shqiptare nga
dramaticiteti dhe njëkohësisht nga qesharakësija e saj. E quajtur ‘parlament”,
“simbol lirije”, “embrioni i Republikës së Re”, çadra e Bashës ndenji për 3
muaj me rradhë përballë kryeministrisë duke bllokuar qarkullimin e automjeteve,
por jo jetën politike të vendit. Ishte një dukuri e re, se në çadrat e mëparshme,
të ngritura në të njëjtin vend haej fshehurazi, kurse në të, njerëzit hanin sa
mundnin. Cadra ndau intelektualët shqiptarë në “çadristë“ dhe në “joçadristë“.
Kur nuk u përfshinë në listat për depudetë, shumica e “çadristëve” u kthyen në “joçadristë“.
Edhe pse i përfshirë totalisht në jetën çadreske, ideatori i saj Lul Basha nuk
morri asnjë ditë pamje prej nomadi, por ishte gjithnjë i rruar dhe i krruar, me
kostum dhe flokët me xhel. Për çadrën, botuesi Fahri Balliu arriti bile edhe të
sigurojë të drejtën për modifikimin e vargjeve të Kadaresë dhe shkrojti:
O çadër tiranase/ O
mure me celofan/ Celofan që përdoret në riciklim/ Pragu yt ndante kohrat/ Në atë
prag ata hynin/ Jashtë natë ishte gjithnjë/ Ndaj dhe shqiptarët flinin.
No comments:
Post a Comment