Duket, që opozita e qeverisë(duke përfshirë këtu jo vetëm
partitë politike) është e pakënaqur nga pritja, që ju bë Ramës në Bruksel.
Por nëse pjesa e opinionit public, që e shikon të
domosdoshme largimin e Ramës, ka të drejtë të çuditet me reagimet e Juknerit
dhe Mogerinit, politikanët “e stazhionuar” dhe gazetarët, që e njohin mirë
Brukselin prej paradhomave e deri në “dhomat e errëta” nuk ka pse të bëjnë
sikur befasohen.
Të gjithë e dinë mirë se Brukselit i duhet stabilitet në
qeverisje, ose një alternativë e re me mbështetje të madhe në popull dhe në
aksion politik.
Për fat të keq të Shqipërisë, opozita e sotme nuk ka arritur
të bëhet strumbullari i një lëvizjeje popullore, që kërkon rrëzimin e qeverisë.
Arsyeja e parë është se Partia Demokratike nuk është shkëputur
dot nga e kaluara e saj “zullumqare”, që përfshin Gërdecin, 21 janarin dhe
Lazaratin.
Arsyeja e dytë është paqartësija në objektivat e saj
afatshkurtra. Flitet shumë për mosplotësim të kushteve për hapjen e
negociatave, kur edhe vetë opozita duhet formalisht të paraqitet pro hapjes.
Gjithashtu përmendet një “qeveri antimafia”, një koncept që duket se do të zëvendësojë
“qeverinë teknike”, por që nuk ka asnjë precedent në vende me Mafia të vërtetë,
si në Itali, Kolumbi apo Brazil.
Arsyeja e tretë është mungesa e koordinimit të aksionit
politik ndërmjet saj dhe pjesëve të shoqërisë, të cilat duan t’i jepet fund sa
më shpejt “regjimit të Ramës”.
Europianët dhe amerikanët, të cilët ndjekin me vëmendje
zhvillimet në Shqipëri( sigurisht nëpërmjet syve të Lu-së dhe Vlahutin-it) e
dinë që për interesat e tyre, por edhe për ato të rajonit, në këto kushte,
“alternativa Rama” mbetet më pak e keqja.
A është kjo alternativeë më e mira për Shqipërinë?
Këtë duhet ta dinë dhe ta zgjidhin vetë shqiptarët, por nuk
ka dobi të sulmojnë ambasadorët si të korruptuar apo Mogherinin si komuniste. Të
tilla akuza foshnjarake vlejnë vetëm për të mbuluar pazotësinë ndaj elektoratit
që të mbështet.
Eshte e vërtetë, që për një pjesë të mirë të popullsisë
gjendja është bërë e padurueshme, por nëse shpresa është thuajse e vrarë, për
këtë nuk mund të fajësohet vetëm qeveria. Aq më pak akoma, si bëhet nga disa
analistë të djathtë, që quajnë popullin- dele.
Shqiptarët nuk janë as thjesht dele dhe as thjesht luanë.
Janë njerëz , që duan të rrojnë më mirë, por për t’i bërë
pas vetes duhen qëllime të qarta dhe aksione politike të sinqerta.
Nëse opozita nuk i bën dot këto, atëhere le të presë që të
zbulohen rregjistrime të tjera mafiozësh, ku të përmëndet edhe Edi Rama.
Por do i duhet të presë gjatë se Rama nuk është aq budalla.
No comments:
Post a Comment