Thursday, 14 December 2017

Rikthimi i Themijeve dhe Manokëve

Duket se pas një letargjije 15-20 vjeçare, “Rilindja” e famshme po risjell përsëri vitet ’80 në Shqipëri. 
Në televizione gjithnjë e më shpesh po shfaqen “funksionarët” dhe “shkencëtarët” e dhjetvjeçarit të fundit të Diktaturës, tamam në vitet kur përgjithësisht u ngritën më të dobtit, duke nisur nga Byroja Politike dhe deri në institucionet më të thjeshta.
Tani mund të dëgjosh edhe ligjëratat e Themije Thomait, se si pastronin rezervuarët dhe hidrovoret duke shmangur përmbytjet e plot dëngla të tjera. Nuk ka çudi të ftohet edhe shoqja Lenka për të treguar se si i bënte misrat 3 metra të lartë në Krutje, apo se si drejtonte sektorin e kuadrit në Komitetin Qëndror bashkë me Mihal Bishën.
Por këto lloj nostalgjish kanë një efekt të dëmshëm vetëm të karakterit historik. Shtrembërojnë përfytyrimin , që kanë të rinjtë për kohën e Diktaturës dhe jo më tepër.
Problemi më i madh është se për shkak të mungesës së kompetencës dhe prirjeve të tyre Partiake, Rilindasit po kthejnë sytë dhe mendjen nga gjoja specialistët e asaj kohe.
Flitet , që programin e Bujqësisë, për vitet, që vijnë, e ka përpiluar Ylli Manoku, që qënka dhe profesor me titull.
Ylli Manoku ishte një nëpunës i zellshëm i seksionit të bujqësisë, që përpilonte raportet në kohën , që Korça sundohej nga “agronomët”.
Kishte katandisur vetëm në rreth bujqësor dhe detyrimisht edhe “kokat” e rrethit do ishin agronomë. Të tillë ishin sekretarët e parë, kryetarët e komiteti, nënkryetarët. Dhe jo se kam ndonjë gjë kundër agronomëve, por për ata , që janë të rinj, duhet të dinë se të vetmit agronomë të zotë të diplomuar në vitet ’60 dhe ’70 ishin ata, që kishin kleçka në biografi. Të tjerët ishin pa përjashtim nxënësit më të dobët të gjimnazeve.
Nuk di nëse Manoku ka mbaruar agronomi apo ekonomi agrare, veç ma merr mendja, që ishte më i zellshmi mes “qypave”, që sundonin Korçën. Për këtë zell edhe e vunë të drejtonte Institutin Bujqësor të Korçes në ato vite.
Po a nuk ka në Shqipëri, njerëz, që njohin ekonominë e tregut dhe sektorin e saj bujqësor, por duhet të kthehemi sërish 40 vite pas dhe të bazojmë të ardhmen e vendit në këta “mendjekrimbur”?
Nuk mund të thirret si konsulent i Ministrit të Bujqësisë, agronomi dhe gjenetisti Ilia Ballauri, shkencëtar, që ka punuar edhe në Perëndim?
Mund të ketë edhe shumë të tjerë në Tiranë, Shkodër a Fier, por përsëri këmbëngulet në ata, që fundosën ekonominë shqiptare me injorancën e tyre fshatareske.
(Po kujtoj një episod, në prag të përurimit të Muzeut të Arsimit më 1987, që nuk ka shumë të bëjë me programin e Bujqësisë. Me një historian shoqëronim sekretarin e parë, një agronom, të cilin ka vite, që e ka ndjerë Perëndia dhe pasi i spjegonim gjendjen e punimeve dhe eksponatët, prisnim të na jepte ndonjë mendim apo sugjerim. “Atje kini një vrimë“- na tha duke na treguar një qoshe të dyshemesë dhe u largua gjithë seriozitet. Sigurisht, që ne e zumë vrimën.)

No comments:

Post a Comment