Wednesday, 13 December 2017

Hotel "Krimea" (fund)

(vijim)
Pas hapjes së Turizmit, “Krimea” e humbi rëndësinë si hotel dhe restorant. Ndoshta nuk i ndryshoi kategorija, por bujtësit ishin tashmë të njohur. Kishte shpesh fshatarë, që ose kishin ardhur për Pazar nga ndonjë rreth tjetër, ose nuk kishin arritur autobuzin e fundit. Përgjithësisht e ngatërronin hotelin me pallatin tonë dhe ne argëtoheshim me “paditurinë“ e tyre, sepse nuk kuptonim, që ishte vërtet jo e lehtë të gjeje hyrjen e hotelit dhe edhe Pallati i jonë me ballkone të shumta, nuk ishte larg ngjashmërisë me një hotel.
Disa nga dhomat lëshoheshin për familje të posaardhura, apo gra me probleme, që ktheheshin nga internimi ose ishin në prag internimi.
Një nga banoret e hotelit, në fund të viteve ’60 ishte Nina Nishanka. Ishte një “damë qejfi”, me flokë të shkurtra dhe të zeza dhe me një nishan të madh në faqe. Nuk di se nga kishte qënë më parë dhe kishte përfunduar në “Krimea”, por për disa muaj u bë një personazh interesant i qytetit tonë provincial. Flitej për një listë të gjatë me emra burrash të rëndësishëm. Lista e Nina Nishankës.
Po rreth atyre viteve, një familje “belge” u vendos për gati një vit. Ishin atdhesuar, pasi kishin jetuar një kohë të gjatë në Belgjikë. Ishin me origjinë kosovare ose nga shqiptarët e Maqedonisë. Të veshur të gjithë shumë më mirë se ne. Prej tyre mësuam disa lojra të reja dhe dy tre këngë fëmijësh në frëngjisht. “Frere Jacque, frere Jacques/ Dormez vous, dormez vous…”
Më e madhja e fëmijëve ishte Dezi. Ishte adoleshente dhe shumë e bukur. Mbante një pardesy krejt të pazakontë për ne, që na ishin mësuar sytë me “fësh-fëshet” e prindërve, që ishin vetëm në tre-katër lloj ngjyrash të vrara. Të gjithë fëmijët e tjerë luanin me ne, por jo Dezi.
Më vonë ikën edhe ata dhe hoteli u bë edhe më i largët, ose edhe ne ishim rritur dhe nuk mendonim më ç’ndodhte brenda tij.
Vizitat ishin vetëm në restoranti, nga dera anësore, për të blerë birra, që ishin gjithmonë 21 lekë të vjetra po të shpije shishet. Gjithmonë i mbanim 4 shishe boshe në shtëpi dhe ishte detyrë e imja të blija birrat në kamarieri legjendar Ilo. Iloja kishte 11 fëmijë dhe flitej se nuk i mbante mend të gjithë emrat e tyre, por kur kthehej vonë në shtëpi, pasi ishte mbyllur “Krimea”, numuronte këpucët për tu siguruar nëse ishin të gjithë në shtëpi.
Pas disa vitesh, hoteli do arrijë në qindvjeçarin e tij. Ndoshta, njerëz të kamur, do interesohen ta blejnë dhe ta restaurojnë. Ndoshta korçarë të pasur, që kanë nostalgji të ngjashme. Grigor Joti, që riinte në pallatin përballë nesh, e shihte edhe më shpesh se ne, prej ballkonit të tij.
Mund të bëhet vërtet një hotel luksoz, ndoshta edhe nga këta me 5 yje, për të cilët nuk do paguhen taksa sipas ligjeve të Rilindasve.
Ka shumë histori brenda atyre mureve, nga të cilat unë nuk di as një të miliontën.

Eshtë Korça e disa sistemeve brenda tij.

No comments:

Post a Comment