Wednesday, 20 December 2017

“Poli i dështakëve”

Në një restorant të Durrësit, janë mbledhur sërish, pesë “udhëheqës” politikë. Agron Duka, Dashamir Shehi, Vangjel Dule, Ben Blushi dhe Nard Ndoka. Këtë rradhë kanë edhe një të gjashtë, ish-presidentin Bamir Topi.
Në momente krize qeverisjeje dhe politike, një takim kryetarësh partish duhet të ngjallë shpresë. E megjithatë, përveç medias, i gjithë publiku duket indiferent ndaj një takimi të tillë para gotave të verës dhe pjatave me fruta deti.
Të gjashtë pjesëmarrsit e drekës janë “politikanë të stazhionuar”, por thellësisht të dështuar.
Të gjithë, duke përjshtuar Vangjel Dulen, kanë pasur portofole ministrash në qeveritë e majta dhe të djathta.
Të gjithë, përveç Dashamir Shehit, janë përfolur për korrupsion.
Të gjithë i kanë shpënë partitë e tyre në minimume historike, përveç Ben Blushit, i cili është në procesin e “shkatërrimit” të forcës politike , që krijoi një vit më parë.
Nuk dihet nëse e vendosën ta formojnë “Polin e tretë“, i cili vërtet do jetë një mozaik i çuditshëm të djathtësh, të majtësh dhe populistësh. Ndoshta do e formojnë në vitin e ardhshëm ose nuk do e formojnë kurrë. Por të gjashtë bashkë ndjehen më të fortë.
Sigurisht, që e njohin me themel politikën shqiptare, se kanë qënë edhe në skenën dhe në prapaskenat e saj.
Të njohur për batuta plot kripë, besohet se kanë pasur një drekë të këndhme, ku kanë treguar se sa “qesharakë“ janë Rama, Berisha, Basha dhe Kryemadhi dhe se si do vepronin këta, po të ishin në vendin e tyre.
Por për të mirën a të keqen e Shqipërisë këta nuk janë në vend të tyre. Kanë nga pas nga një “partiçkë“ e cila i ndihmon të jenë në jetën politke, disa të jenë deputetë për shkak të aleancës me PD-në dhe të gëzojnë disa privilegje të vogla.
Edhe pse brenda vetes e dinë, që janë të dështuar, e kanë vështirë ta thonë në publik.
Por a mund t’i shërbejnë këta të gjashtë Shqipërisë?
Unë mendoj që mundet.
Po të formojnë “Polin e të penduarve”.
Si hap të parë duhet të tërhiqen vetë nga politika dhe t’ju bëjnë thirrje të gjithë “të përlyerve” më të mëdhenj: “Tërhiquni ose në të kundërt ne do flasim!”
Dinë shumë Topi, Blushi, Shehi dhe Duka. Ndoshta më pak Dulja dhe Ndoka.
E megjithatë të gjashtë mund ta ndihmojnë Shqipërinë po qe se do “kërcënojnë“ ish krerët e tyre se “një ditë do flasin”.

Kjo gjë do i shpëtojë edhe nga etiketimi “Dështakë“.

No comments:

Post a Comment