Monday, 25 December 2017

U dashka edhe “Baraba”!

Nuk kam ndonjë konsideratë për Presidentët shqiptarë të tranzicionit.
I pari syresh, i ndjeri Ramiz Alia, kishte shumë mëkate të rënda mbi kurriz, që përfshinin edhe vrasje njerëzish apo “shitje” të shokëve të ngushtë, ndaj prej një Jude të tillë nuk mund të prisje shumë.
I dyti, më ekstremisti për mirë ose për keq, kishte një nacionalizëm të verbër, të cilin e zbuti vetëm kur fëmijët e tij filluan të bënin para me thasë.
I treti, intelektuali Meidani, lëkundej mes ateizmit të tij si ish-komunist dhe si dhëndër i Sofokli Lazrit dhe njëfarë europianizmi “dibran”, ndaj nuk ishte në gjendje t’i jepte nënshtetësinë shqiptare Janullatosit.
Pastaj erdhi i vetmi ortodoks President, Alfred Moisiu, i cili nuk u kuptua asnjëherë përse e shtynte dosjen e nënshtetësisë së Hirësisë së tij. Ndoshta i vinte nga të qënit gjeneral dhe dihet që ushtarakët(sidomos ata komunistë) nuk kanë raporte të mira me kishën , që predikon paqe. Ose duke qënë po aq budalla sa i jati(kjo sipas dëshmive të oficerëve anglezë gjatë Luftës së Dytë) mendonte se Kryepeshkop i Shqipërisë duhej të bëhej Nikolla Marku, i të njëjtit kapacitet mendor si edhe Presidenti.
Pastaj erdhën Bame Topi dhe Buçi Nishani , të cilëve “ndjeshmëria e theksuar haxhiqamilse” nuk ju lejonte të bënin Hirësinë nënshtetas shqiptar, sepse prishnin ekuilibrat fetare!
Nënshtetësija i jepej çdo italiani, që donte të shpëtonte nga taksat në Itali, ishte apo jo trainer kombëtareje, egjiptianëve islamikë, që donin të shpëtonin nga regjimi ushtarak në Egjipt dhe plot turqve dentistë, që heqin dhëmbët e shëndosha të fukarenjve shqiptarë.
Nuk ishte i mjaftë një komunitet i madh ortodoks, që e kërkonte këtë për udhëheqësin shpirtëror; nuk mjaftonte Ringjallja e Kishës Ortodokse; nuk mjaftonte, që Kisha Ortodokse ishte i vetmi institucion fetar apo laik shqiptar ku nuk kishte hyrë krimbi i korrupsionit. Ndoshta dhe kishin të drejtë.
Anastas Janullatos nuk është si ne.
Anastas Janullatos nuk është as si grekët.
Eshtë një misionar i krishterë, që për zellin, përkushtimin dhe njohuritë do e kishte zili çdo kishë sot në botë.
Që të bëhej hapi më minimal i mirënjohjes, do duhej më “hajduti” mes Presidentëve të këtyre 27 viteve – Ilir Meta.
U dashka edhe “Baraba”!
Janullatosi i përket një bote tjetër, e cila nuk mund të konceptohet nga ne vdekëtarët e zakonshëm.
Nëse ai e ka falur Metën, le ta falim edhe ne!

No comments:

Post a Comment