Detektivi Kolumbo, me pamjen e tij prej një “njeriu të dështuar”,
i veshur me një pardesy të vjetër dhe me një makinë sportive po aq të vjetër,
ka “mbërthyer” para televizorit në vitet ’70 dhe ’80, miliona telespektatorë,
jo vetëm në Amerikë, por në gjithë botën. Ishte fabula e policit të thjeshtë
dhe të ndershëm, që arrinte të përballonte arrogancën e “kriminelëve”, që
shpesh vinin nga pozita të fuqishëme, t’i shpinte pas hekurave. Në njëfarë mënyre,
personazhi simpatik, i interpretuar mjeshtërisht nga Peter Falk, arrinte të
krijonte bindjen në shikuesit, se “para ligjit të gjithë janë të barabartë“.
Edhe pse një serial artistik (fiction), pas tij është një e
vërtetë e madhe. Me rrogën e një detektivi, inspektori policije apo edhe
prokurori, në Amerikë nuk mund të bëhesh i pasur. Blerjet e mëdha, apo
transaksionet me shifra të pajustifikuara, menjëherë fillojnë dhe ndiqen nga
Kontrolli i Brendshëm i institucioneve përkatës.
Kolumbon ma kujtoi shkrimi rreth pasurive të kandidatëve për
Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm i botuar dje në politiko.al. Me më pak
se 25 vite karrierë, një pjesë e mirë syresh kanë shumë prona, të cilat nuk
mund të justifikohen. Dhe ndoshta këta, të cilët u paraqitën si konkurues, mund
të jenë më “të varfërit” mes prokurorëve, gjykatësve dhe oficerëve të lartë të
policisë. Ka qënë në gjithë këto vite, një “garë“ e verbër për të bërë para, për
të cilën mund të jenë penduar shumë prej tyre.
Dhe është lehtësisht e kuptueshme, se prokurorët dhe policët,
paratë e shumta i kanë bërë duke liruar apo lehtësuar trafikantë të drogës.
Atje kanë qënë edhe lëvizjet më të mëdha. Nuk përjashtohen edhe rryshfetet e
marra mosveprime apo lehtësime për krime të llojeve të tjera, por mbi të gjitha
është Droga, ajo që po fundos edhe ish-Ministrin
e Brendshëm Tahiri.
Problemi kryesor dhe i vetmi është dobësia e tejskajshme e
sistemit të Drejtësisë dhe institucioneve të tij.
Pa institucionet e forta amerikane nuk mund të kishte as
dedektiv Kolumbo.
Ndaj është kaq e domosdoshme Reforma në Drejtësi.
Duket si një rreth vicioz, nga i cili është e vështirë të
dilet.
Eshtë shumë e vështirë të flakësh një kostum prej mijëra
eurosh në këmbim të një pardesyje të vjetër, apo më keq akoma, në këmbim të një
dysheku burgu.
Dhe këto djall kostume firmato, sa më shumë shkojnë vitet,
aq më shumë shtrenjtohen!
No comments:
Post a Comment