Monday, 18 December 2017

Dhjetorët e Konicës

Faik Beu mbylli sytë 75 vite më parë në dhjetor. Ishte më shumë se një “bej” i letrave shqipe. Princ i tyre. Edhe pse gjatë Diktaturës ishin munduar të hidhnin një heshtje të plotë mbi të, shkëndijat e tij të gjenialitetit, vinin tek publiku i gjerë, kryesisht nëpërmjet botimeve rreth Nolit dhe shkrimeve ku “kritikohej ashpër” nga shërbëtorët më të vegjël të regjimit. Të mëdhenjtë e letrave shqipe nuk e preknin Konicën.
Qëlloi të ishte dhjetor, kur për herë të parë dëgjova që “Partia” po ndryshonte qëndrimin ndaj tij. Viti ishte 1986 dhe edhe pse kishte shënja të qarta zbutjeje, sinjale të tilla tregonin se di]ka më shumë po ndryshonte.
Kishim disa javë që punonim me itensitet për të konceptuar se si do paraqiteshin materialet e historisë të Arsimit Kombëtar, mbi bazën e një platforme shumëfaqëshe të ardhur nga Tirana. Koha ishte “me kët” se brenda dimrit duhet të përfundonte rikonstruksioni i Mësonjtores së Parë dhe të plotësoheshin të gjithë interieret për të dhënë një ide të qartë të rrugës që kishte ndjekur Gjuha Shqipe dhe shkollat shqip. Më 7 Mars pritej të festohej “me madhështi” 100 vjetori i Mësonjtores.
Emri i Faikut, u shfaq papritur gjatë një séancë të spjegimit të përmbajtjes së Muzeut para një grupi të madh të ardhur nga Tirana me Tefta Camin në krye. Ishte gati një formalitet se të gjithë ishin të ndërgjegjshëm, që nuk kishte kohë për ndryshime. Ndërsa së bashku me historianin Myslym Islami mundoheshim t’ju paraqisnim të pranishmëve para një maketi dhe disa stendave përmbajtjen e materialeve dhe mënyrën e ekspozimit u dëgjua një zë gruaje; “Po “Albania” e Konicës përse nuk paraqitet këtu?” Ishte Teuta Hoxha, që ato kohë punonte diku në Muzeun Kombëtar ose në Institutin e Historisë. Mbretëroi një heshjtje. Në fytyrën e tulët të Tefta Camit nuk u pa asnjë lëvizje. Askush tjetër nuk ishte në gjendje të jepte përgjigje, sepse ajo, që kërkonte të paraqitej Konica në Muze ishte jo vetëm e reja e Diktatorit të vdekur, por dhe e mbesa e postDiktatorit.
“Princi i madh” i letrave shqipe “ju kishte mbyllur gojën” edhe një herë të gjithëve, ashtu si e kishte bërë me qindra herë gjatë jetës së tij.
Në platformën e Muzeut nuk ndryshoi gjë dhe Faiku nuk erdhi as atë rradhë në takim me publikun shqiptar.
Por një ndryshim të madh kishte lajmëruar me autoritetin e padiskutueshëm të veprës së tij në dobi të kombit.

Për Historinë nuk mund të gënjehej pafundësisht!

No comments:

Post a Comment