Wednesday, 13 December 2017

Hotel “Krimea”

Duhet të ketë qënë ndërtesa më e lartë në Korçë, pas Shën Gjergjit, kur u ndërtua në fundin e viteve ’20. Nuk di pse më kanë shpëtuar komentet në “Gazeta e Korçës” të kohës së ndërtimit dhe të përurimit edhe pse e kisha pjesë të studimit tim për mbrojtjen e diplomës. Ndoshta se e njihja më mirë se godinat e tjera, të përfshira në atë studim. Isha rritur para hyrjes së atij hoteli dhe pjesën e tij lindore e njihja mirë.
Kishte një pamje hijerëndë, të cilën ja shtonin edhe bliret e mëdhenj, që i mbulonin fasadën kryesore, të cilën pakkush e kishte parë të plotë pas viteve ’60. Dritaret dhe dyert e ballkoneve mbuloheshin nga grilat e drunjta, të lyera gjithnjë në një jeshile të errët, që duhet të ketë qënë asokohe, boja e vajit , që prodhohej më me shumicë nga NISH Kimike Tiranë. Hoteli mbetej një lloj misteri në një kohë, kur shoqëria dhe shteti “fusnin hundët” edhe në atë, që ndodhte brenda familjeve shqiptare. Ndoshta brenda dhomave të hoteleve, shteti  “i fuste hundët” edhe më shumë, por për ne fëmijët, hoteli përbri pallatit ku jetonim mbetej misterioz.
Deri në fillimin e viteve ’70, kur u hap Hotel Turizmi, hotel “Krimea” ishte hoteli kryesor i qytetit. Në hyrjen e tij arrinim të shikonim më të shquarit e atyre viteve, duke filluar me Vaçe Zelën dhe Nina Mulën e duke vazhduar me Pino Shkurtin, Skënder Sallakun, Farije Hotin, Mexhit Haxhiun, Vaso Shakën, Ali Bushatiniz, Bukuroshe Shtizën dhe dhjetra sportistë dhe artistë të shkëlqyer të viteve ’60.
Emri “Krimea” kishte ngjitur dhe askush nuk kujtonte emrin e vjetër “Pallas” dhe as të riun “Gramozi”. Ishim kureshtarë në fëmijëri ta shihnim nga brenda. Bodrumet e hotelit i njihnim mirë, se në kohën e daljes nga Traktati i Varshavës, i kishin kthyer në “vend strehimi ajror” dhe banorët e bllokut atje futeshin gjatë alarmeve ajrore provë. Sirena e vendosur në çatinë e Pallatit të Kulturës buçiste me një ulurimë ngjethëse dhe të gjithë “me kuç e me maç” zbrisinm shkallët e pjerrëta të bodrumit dhe zinim vend në kthinat më të pastra të tij. Një pjesë jo e vogël e tij kishte ujë. Atje kam parë për të parën herë “minj gjirizi”. Të mëdhenj, të zinj e të lagur. Ashtu i imagjinoja më vonë spiunët. Të zinj, me kurriz të përkulur dhe të lagur.

Të dy hyrjet e hotelit (në vitet ’70 u ndryshua hyrja nga ana e pallatit tonë në atë, që përdoret edhe sot) ishin projektuar, si të gjitha hyrjet e hoteleve jo lluksozë në Europë, Të vogla, të mjafta për një recepsion të vogël dhe me shkallë relativisht të gjëra. Ndoshta për shkak të të ftohtit, recepsioni ishte ngjitur në katin e dytë, në një nga dhomat e hotelit, me një “sportel” të madh prej xhami. Kur donim të shihnim hotelin nga brenda, mundoheshim të ngjiteshim tinëz pas mureve të shkallëve për t’i shpetuar “vigjilencës” të sportelisteve. Pas dhjetra dështimesh, një herë kishi arritur gjithë frikë të “zbulonim” misterin e hotelit. (Zaten nuk kishim fjetur kurrë në një hotel.) Në katin e dytë ishte një corridor i çuditshëm, rreth një holli të brendshëm katror, që ksihte dyer të mëdha, që e lidhnin me korridorin. Në korridori i vogël ishin dhomat me numur. Njëri nga ne dinte se cila kishte qënë dhoma ku kishte fjetur Vaçja. Ne mundoheshim të imagjinonim se si mund të kishte qënë “diva” brenda dhomës së saj. Nuk kishim parë dhomë hoteli. Nuk kishte ende aparate tv në Korçë dhe në kinema kishim parë vetëm një dhomë hoteli të vogël në melodramaën italiane “Më fal”.
(vijon)

No comments:

Post a Comment