Në verë, në fëmijërinë tonë, jo të gjithë mund të shkonin me
pushime në plazh. Kabinat ishin të pakta dhe duhej mik i fortë në Komitet ose në
Komunale, të gjeje për një “pesëmbëdh jediç” në korrik ose gusht. Për fëmijët e
qyteteve, argëtimet ishin të pakta dhe ndoshta për këtë arsye, Partia kishte “shpikur”
fushatën “Mblidhni bimë medicinale”. (Mund të ketë pasur edhe arsye të tjera të
forta për sigurim valute, por nga që tashmë dyshojmë për çdo gjë të asaj kohe,
nuk është ndonjë çudi që në seksionet e Komitetit Qëndror të ishte ideuar edhe
ajo fushatë.)
Në qendër të qytetit(pikërisht në kangjellat e Villës
Themistokli) vendoseshin, sa përfundonte shkolla, tabela të mëdha, ku
paraqiteshin llojet e bimëve medicinale, me emrin e tyre në latinisht dhe ç'ishte
më e rëndësishme për ne, çmimin e grumbullim “të njoma” dhe “të thata”, (Te njoma
e të thata ishin kategoritë e gjendjes së bimëve, se shpërblimi sigurisht do
ishte në “të thata”)
Duke lexuar çmimet, të habitur edhe të joshur, bënim plane
me njëri tjetrin se si të fillonim menjëherë mbledhjen e “maraqkave”, të cilat
gjendeshin më lehtë dhe më pranë qytetit. Por ato që na ndiznin fantazinë ishin
“salepi” , “dëllinjat”, “boronicat” dhe disa bimë të tjera të cilave nuk ja u
kishim idenë, që kishin çmime të kripura. (Shiko ore salepi i thatë me 2800
kileja!)
Në darkë bëheshin planet se nga do dilnim, sa qese të
merrnim me vete dhe nëse do ishte më mirë t’i linim të thaheshin apo t’i shpinim
të njoma në Pikën e Grumbullimit në Pazar, ku do na “tringëllinin” në dorë
paratë.
Me zell të madh niseshim që herët në mëngjes dhe si “hanim
inat” se cilat ishin të buta dhe cilat të egra, i futeshim mbledhjes për disa
orë deri sa mërziteshim dhe vendosnim të ktheheshim. Përfundonim në Pazar, ku
pas “ëndrrës” për shumë para, përfundonim me 15 lekë ose 20, që i “asgjesonim”
menjëherë për akullore dhe aranxhata.
Kjo përsëritej edhe verën tjetër, edhe më tjetrën deri sa u
rritëm dhe kuptuam, që nuk fitohej gjë me maraqka.
Por “bimët medicinale” kanë qënë e do jenë në shekuj.
Ka një rikthim të vëmendjes së Rilindasve ndaj tyre, se po t’i
referohemi Ministrisë së Bujqësisë, ato zenë vendin e parë në eksportin e
prodhimeve bujqësore të Shqipërisë! Nuk di nëse kanabisi është pjesë e “mjekësoreve”,
por një ekonomi, që ka në vend të parë në
eksport “maraqkat”, “xinxifkat” dhe “salepin” vërtet është një ekonomi për të
qarë hallin.
A do “gënjehen’ fëmijët verën , që vjen, sikundër ëndërronim
ne, fëmijët e varfër dhe të lumtur të Republikës Popullore, kjo mbetet për tu
parë.
E megjithatë, nuk është e çuditshme, që Ministrija e Bujqësisë
të ketë marrë “grante” nga Europa dhe Japonia për zhvillimin e kësaj dege kaq
fitimprurëse të eksportit shqiptar. Në takimet e shpeshta të Ministrit të Bujqësisë
shfaqen rëndom disa europianka dhe japonezka, që të lenë përshtypjen se janë
farmaciste ose njohëse të “medicinaleve”.
Ndoshta edhe problemi i papunësisë në Shqipëri mund të
zgjidhet të paktën për sezonin e verës, ku të rinjtë, në vend të thonë parrullën
e njohur “Hajde shkojm’ për i kafe!” ta zëvendësojmë me “Hajde vemë për
maraqka!”
No comments:
Post a Comment