Tuesday, 19 December 2017

Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët

A ka dobi të shkruash për ata, që kanë ikur?
A mos i idealizoj ata, që erdhën para nesh në këtë jetë?
Këto janë “pyetje gozhdë“, që më rrinë në mendje, kur shkruaj për të kaluarën.
Mbase nuk gaboj , kur i idealizoj, se ata erdhën të formuar në një kohë të natyrshme, kurse brezi im, u formua në një kohë “të thyer. aksidentare”.
Ndaj edhe unë dhe moshatarët e mij, nuk kemi faj që jemi këta, që jemi. Deri diku materialistë, indiferentë, cinikë dhe shumë skeptikë. Shumica prej nesh nuk besojnë në Zot.
Po a duhet medoemos të ndahemi nga të ikurit?
Mos mësojmë asgjë nga jeta e tyre?
Në këtë blog kam shkruar për Piro Kasatin, Zhani Pilikën, Fredi Bitinckën. Aleksandra Ilon, Pandi Raidhin, Maqo Kostallarin, Gaqo Pecin dhe të tjerë të larguar, që më duket se e bënin jetën tonë më të bukur.
Po a është kjo nostalgjia e zakonshme, që e shkuara ishte më e mirë?
Unë nuk kam një peshore të saktë për të vlerësuar se sa peshonte e mira dhe sa e keqja në kohën kur unë nuk isha dhe në kohën kur isha fëmijë. E vetmja gjë, e cila është e sigurt, është se koha e fëmijërisë sime ishte një kohë anormale me njerëz normalë. Prindërit, mësuesit mbase heshtnin për “shtrembërimin e të vërtetës”, por nuk merrnin pjesë në “adhurimin e saj”.
Ndaj kam ende në mendje mësuesit e mij më të mirë dhe të tjerë njerëz, që “kafshonin gjuhën”, por nuk trumbetonin  mashtrimin.
Prej ‘kohës së aksidentuar” kanë dalë edhe plot “monstra”, të cilët shpesh edhe “sundojnë“ në jetën tonë politike, shoqërore dhe kulturore. Marëdhëniet me ta nuk janë të domosdoshme, sepse kjo “kohë normale” të jep mundësi edhe t’ju shmangesh. E megjithatë jo të gjithë e kanë këtë mundësi.
Njerëzit kanë nevojë edhe të operohen dhe mundësisht mos përballen me “Frankeshtajnë“, që ju kërkojnë “lëkurën”; kanë probleme , që mund të zgjedhen vetëm me gjyq dhe për këtë duhet të dalin para një trupe me tre gjyqatarë “grykës”; kanë gjithfarë probleme shitblerjesh pasurish të palujtshme dhe ndërtimesh dhe duhet të përplasen me nëpunës arrogantë, që zakonisht janë tejet të korruptuar.
Por kjo është bota e të gjallëve!
Nuk duam të ikim nga kjo botë dhe është e kotë të përpiqemi të “arratisemi” mendërisht në botën e atyre, të cilët nuk janë më.
Një grua zonjë, me prindër nga ata “të botës, që do të deshim” edhe pse ka vuajtur shumë nga politikanët dhe zyrtarët e pangopur, theshte një ditë “Nuk dua, që fëmijët t’i urrejnë!”
Eshtë një mësim filozofik i vërtetë dhe i dobishëm.
Nuk ka dobi të urresh të gjallët. Me ta jetojmë çdo ditë.
Ato, të cilat duhet të urrejmë dhe luftojmë, që mos “na ngjiten” janë veset e të gjallëve, që fillojnë me mashtrimin, grykësinë, pafytyrësinë, spiunimin, hipokrizinë , vjedhjen dhe që mbyllen me vrasjen.
Nuk është kurrë e padobishme të luftosh me ato mjete që ke, brenda botës sonë të të gjallëve, për ta bërë sadopak më të mirë. Edhe një grimcë mirësije vlen.
Të vdekurit janë në botën e tyre të përhershme, atje ku nuk i prek dot kush.

Edhe ata nuk ndikojnë dot më tek ne.

No comments:

Post a Comment