Monday, 4 December 2017

Amsterdami (pjese nga "Ikse të thyera")

.....
Amsterdami ishte i gjithi i qullur. Në tokë dhe në qiell. Në tokë më shumë edhe pse uji vinte nga lart.
Adresa që më kishin lnë në dorë tregonte një rrugë afër portit. Porti duhet të ishte më i qullur se e gjithë ajo rrugë e ngushtë ku prisja të pushonte shiu. Edhe marinarë duhet të kishte më pak. Eshtë e vështirë tani t’i dallosh marinarët. Edhe anijet, se mbajnë të gjitha emra anglisht dhe flamuj të një vendi tjetër.
Me veshje ushtarake nuk do bije në sy po të shkoj drejt portit. Flamurin e kam të fshehur mirë në gji. Dy shqiponjat janë të stilizuara bukur edhe pse ti më the se duken si “ikse të thyera”. Dy shqiponjat mëmë e bijë.
Nuk mund të na akuzojnë më për Shqipërinë e madhe. Janë dy shqiponjat në sfondin e kuq. Edhe forma e re e flamurit nuk ka agresivitetin e një ideje të madhe. Janë dy pjesë trekëndore.
“Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin” i kishte thënë piktori, kur pat shpënë skicat për flamurin e ri dhe duart i kishin mbetur gati të lidhura para gjoksit. Letrat e mbështjella si fyell i kishte nën sqetull. Duart gati të lidhura mbi gjoks në formë shqiponje dhe një fyell nën sqetull “… kraharorin ma kanë shpuar/ ma kanë bërë vrima vrima”- mendoi ndërsa e shihte ashtu të stepur në pragun e derës së tij. E kishte ftuar brenda dhe pasi kishte shpalosur fyellin me letra, dy gotat me raki i kishin vënë mbi to.

Pat pëlqyer skicën me dy trekëndësha dhe më pas kishin pirë për orë të tëra. Piktorit i kishte dalë droja dhe para se të largohej kishte kërkuar një pistoletë “nëse do ishte e mundur”. Kishte ikur duke marrë vetëm premtimin. Fyelli me letra kishte marrë sërish të njëjtën trajtë të rrumbullt, por i ngjiste më shumë një gryke fagoti…”Koncert për fagot dhe orkestër në mi maxhor do jetë e goditur për hymnin e ri” mendoi dhe e kuptoi që rakija kishte bërë punën e saj. Në qoshe të skicës dalloi gërmat FK dhe u mundua të kujtoja emrin e piktorit. Ai kishte një emër shumë të shkurtër por jo Fran…
.....

No comments:

Post a Comment