Duhet pranuar, që nuk ka rregulla të caktuara për “perversitetin”
në poezi dhe jo vetëm e justifikuar kjo me lirinë e mendimit të autorit, por
edhe se raporti i shoqërisë njerëzore me “perversen” ka ndryshuar. Dhe kjo në
planin ligjor, por edhe në atë moral. Diçka , që ishte moralisht dhe ligjërisht
e pranueshme në kohën e Safos, kur shkruante: “ Vetëm të vdes dua./ Ajo, me
sytë mbushur lot, ndërsa më linte/ Më tha mua;/ “Oh, të dyja kemi vuajtur aq
tmerrësisht/ Safo, nuk dua rrugën të marr sërish…”, nuk ishte e pranueshme
në Anglinë viktoriane apo në Francën e shekullit të XIX. Të dy vendet çensuruan
apo edhe dënuan autorët duke filluar me Bodlerin, Rembonë dhe duke përfunduar në
Oskar Uajlld.
Eshtë e çuditshme, se në të njëjtën kohë, kur dënoheshin
poetët e mëdhenj, në një shoqëri ku e ku më të prapambetur, si ajo e Shqipërisë
të Mesme, kishin fituar “qytetarinë“ këngë me tekste si “…Po na vjen nji vark me vela/ Thon‘ se ka manifaktur’/ O qenka mbushur me
dylbera / Ishalla Zot shkarkojn’ këtu…” Pavarësisht se teksti është një
bejte dhe nuk përmban asnjë vlerë artistike, përsëri të befason fakti, që këngë
të tilla këndoheshin në gjithë festat dhe gëzimet shoqërore dhe familjare, bile
edhe në praninë e grave. (Këto këngë janë edhe sot të pranishme në lokalet me
muzikë tallava edhe pse nuk kanë të bëjnë aspak me përparimin e shoqërisë
shqiptare.) Duke e parë jo vetëm nga këndvështrimi i shoqatave LGBT, por edhe nga
ai normal i qytetarëve perëndimorë, tekste të tilla kanë një paradoks të madh,
që bën në vetvete një dukuri “perverse”. “Dylberët”, që kryesisht kanë qënë
djem adoleshentë, shihen si “mall”, që mund të shiten dhe blihe nga “lalët
qejfllinj” , njëlloj si “manifaktura”. Eshtë me të vërtetë një përpjekje e dështuar
për të bërë art mbi dukuri të dënueshme ligjërisht si “pedofilia” dhe “skllavëria
seksuale”.
Por edhe për shoqëritë e përparuara, do duheshin
revolucionet shoqërore të viteve ’60, që “temat tabu” të mos damkoseshin më si “perverse”.
Në një këngë të njohur të vitit 1972, të Sharl Aznavurit “Comme
ils dissent” (Siç i quajnë), pasqyrohen me art dhe pa përbuzje ndienjat e shumëfishta,
droje, frikë, pafajësi, të një homoseksuali, që luan në një kabare si një “drag
queen”.
“…Atëhere kur zbardh
dita e re/ Dhe kthehem atje ku gjej/ Vetminë e plotë Dhe heq qëpallat dhe
parruken/ Pudra dhe bojrat nga faqet zhduken/ Jo lodhja, lotët/ Unë shkoj në shtrat po s’mund
të fle/ Kujoj dashuritë që pas i le/ Sa patetike/ Mendoj djaloshin si Zot të
bukur/ Që thellë në mendje më është futur/ Pa m’dhënë çikë…”
(vijon)
No comments:
Post a Comment