Një mik më dërgoi këtë foto në e-mail me të vetmen fjali “Jam
i shqetësuar për Raqin”. Nuk dija përse bëhej fjalë. Dukej një lloj skene e
improvizuar dhe nuk arrija të kuptoja nëse i njohuri im i para emigrimit po këndonte,
mbante ndonjë monolog patriotik apo shpërndante dhurata për Krishtlindje.
Mendova më shumë këtë të fundit, dhe nuk i dhashë shumë rëndësi
faktit, që nuk kishte mjekër të bardhë dhe kapele në kokë si Santa. Do ketë
veshur shpejt e shpejt ndonjë xheke “me të therrur” nga ato të garderobës të Përpaqe
Kitës mendova dhe e përgëzova me mendje. “Ja më në fund një kryetar bashkije, që
mendon të kursejë dhe nuk shpenzon për një xhybe tjetër të gjatë, se ajo që është
në iventarin e Pallatit, e cila me siguri do jetë në trupin e Vaskë Kakamit”.
Ja përcolla këto mendime pozitive edhe mikut tim, por mora përgjigjen
lakonike “Xhekja është e tij.”
Unë nuk i njoh tendencat e veshjeve të kohëve moderne, që
reflektohen edhe në politikanët tanë. Në këto punët e modës jam “tap topi”.
Ja për shembull pantallonat e Ramës të stilit Yamamoto, më
duken si të kopjuara nga brekushet e tironcve, që luajnë vallen “Ra Faja prej
fikut!”, por kjo nuk është gjë tjetër veçse dëshmi e injorancës sime.
Veliaj, i veshur me një bluzë me drerë më duket sin jë “fëmijë
i lumtur i Republikës Popullore të Shqipërisë“, por kur mendoj thellë thellë, që
këta janë të rinj, që jo vetëm janë të rinj, por kanë edhe xhepin plot, që jo
vetëm janë të rinj edhe me xhepin plot, por kanë edhe gra, që shikojnë tërë ditën
katalogët e modës, atëhere i them vetes “Mos ja fut kot Naum!”
Ky do jetë trendi i vitit të Skënderbeut?
Kostumi modern kombëtar?
Do e ketë marrë më qafë Peleshi!
Kushedi ç’baste ve andej nga Tirana dhe i fiton me kollajllëk,
se gjithmonë do të jetë në anën fituese.
Gjithsesi, dikush, i afërt, i besuar, i dashur duhet t’i thotë
Raqkës ndonjë gjë.
Nëse kjo është shenjë e krizës së mesoburrërisë atëhere edhe
unë shqetësohem seriozisht për Kryetarin tonë racional të Bashkisë.
Për hir të Korçës!
No comments:
Post a Comment