Dhokeja më sjell kujtimet e palavdishme të stërvitjes
ushtarake. Pa patur asnjë fije disidence, si shumica e të rriturve në qytet
edhe unë e urreja stërvitjen ushtaraken dhe uniformën. Por jo Dhokeja, që edhe
pse ishte vetëm oficer reservist, “na i merrte shpirtin” me vrapime dhe
marshime. Që të vraponim më pak, të marshonim më pak dhe të dëgjonim edhe më
pak nga rregulloret e firmosura nga “Mehmet Shehu dora vetë“, i hapnim Dhokes
muhabete futbolli dhe ai me orë të tëra mund të fliste për Jashinin dhe “Dinamon”
e Moskës. Ishte dhe pak Stalinist.
Dhoken ma kujtoi prefekti i posaemëruar i Korçës, që jo vetëm
quhet Dhori, por është edhe gjeneral në rezervë. Eshtë lindur në Pogradec, ndonëse
në kohën tonë ishin shumë të rrallë familjet nga qyteti, që i dërgonin fëmijët
në “Shkollën e begsave”. Dhori Spirollari duhet të ketë rrënjë të forta andej
nga Mokra, që e bën edhe patriot edhe pak Stalinist.
Në fjalën e tij të paraqitjes së prefektëve të rinj(të gjithë
ushtarakë) kryeministri ynë i lavdishëm Edi Rama tha që prefektët tani e tutje
do jenë si Kulla Vrojtuese, që do kontrollojnë gjithë pushtetet e tjerë. Dhe
kush më mirë mund të kontrollojë se gjeneralët dhe kolonelët. Më kujtohet që
Dhokeja na kontrollonte nëse i kishim gjithë paisjet luftarake dhe jo luftarake
me vete, që fillonin me karabinën vetmbushëse dhe vazhdonin me vezmoren, kundragazin,
helmetën, pelerinën, gambalet, pecet e këmbëve dhe mbylleshin me lopatën
xheniere.
Tani Dhori Spirollari do kontrollojë gjithë pushtetet e Korçës
nga Kulla Vrojtuese, e cila më në fund do marrë një funksion.
Prej atje mund të shikojë edhe zjarret që do bien në
Voskopojë (larg qoftë kjo!) dhe do nisë atje tërë trupat e specializuara, e të
mos lerë si këtë vit, kur me zjarrin u përball vetëm Kryebashkiaku Raqkë me
shoferin e tij, gjë që habiti edhe mogulët dhe ish-mogulët e medias lokale.
Tani do kemi gjeneral Dhoken.
Të jetë tifoz futbolli?
No comments:
Post a Comment