Wednesday, 8 November 2017

Lufta ndaj krimit si “Pazari i peshkut”

Deklaratat e fundit nga të gjitha krahët e politikës, të shoqëruara edhe me premtimet e ambasadorit Lu se nga janari e tutje do kapen edhe “peshqit e mëdhenj” në detin shqiptar të krimit, ka ngjallur edhe shpresë, por edhe cinizëm në publikun shqiptar. Komentet me “peshq dhe peshkaqenë“ në rrjetet shoqërore online dëshmojnë se një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk besojnë shumë në të.
Dhe jo pa të drejtë.
Në 20 vitet e fundit, të gjithë partitë politike i fituan zgjedhjet me premtimin se do luftonin korrupsionin dhe ky jo vetëm nuk u luftua, por arriti në përmasa të paimagjinueshme.
Tash e pesë vjet, Prokurori i Përgjithshëm Llalla premton se në vjeshtë fillojnë arrestimet e politikanëve (Llalla ka qënë i kujdesshëm në përdorimin e fjalorit të Pazarit të Peshkut)dhe të gjitha sezonet e gjuetisë së tij kanë qënë të pafrytshme.
Kjo është vjeshta e parë, ku në sajë të hetimeve të Prokurorisë së Katanias, të gjithë mburren se do bëjnë namin mbi “peshq të mëdhenj”.
Kryeministri Rama është i pari, që merr atributet e “peshkatarit të madh” ndonëse “peshkulin Tahiri” e mbante në krahun e tij të djathtë.
Ministri Xhafa gjithashtu mundohet të tregojë se nuk ja u ka frikën as peshkaqenëve, por nuk është në gjendje as të largojë as Haki Cakon nga kreu i policisë së molepsur.
Politikanët e opozitës bërtasin se i dinë se cilët janë “peshqit”, por për ta nuk dorëzojnë prej vitesh asnjë fakt konkret, që mund të sjellë ndjekje të ligjshme penale.
Një tufë me gazetarë investigues janë më “të entuziasmuarit’ në këtë Pazar të Peshku me gjysëm lajme, gjysëm të vërteta dhe me shumë “shkelje syri” se “ne dimë shumë gjëra”.
Shpresa të rreme krijohen në arritjen e dy zyrtarëve të FBI-së, të cilët si gjithë të amerikanët e tjerë do përdorin shprehjen e njohur “Ne këtu nuk jemi t’ju sjellim peshk, por t’ju mësojmë si të peshkoni”.
Lufta ndaj krimit të organizuar fillon me denoncime dhe vazhdon me hetime të kujdesshme deri sa arrihet në arrestime “të mëdhenjsh”, por kjo ka gjasa mos ndodhë ende në Shqipëri.
Njerëzit dinë shumë por nuk kanë besim të denoncojnë.
Punonjësit e papërlyer në polici dhe prokuroritë janë në minoritet dhe me duar të lidhura.
Ndaj ideja se ‘le të flemë të qetë deri në janar, se pastaj është FBI-ja me dosjet e trasha që do sjellë arrestimet” është një ide naïve.
“Të mëdhenjtë“ kan]ë për tu kapur kur zhurrma e Pazarit të Peshkut të jetë fashitur.

Për të duhet kohë dh e ndërgjegjësim i të gjithëve se nuk mund të jetohet më në këtë det krimi!

No comments:

Post a Comment