Monday, 6 November 2017

Opozita nuk është gati për zgjedhje të reja

Një “përpëlitje” e vazhdueshme e Ramës në krye të kësaj qeverie, të dalë nga zgjedhje tashmë të kompromentuara prej “skandalit të madh të kanabisit”, që posa ka nisur me pjesën e tij “Habilaj –Tahiri”, vetëm se do i sjellë dëme të mëtejshme gjithë jetës së vendit.
Investitorët e huaj do largohen edhe më shumë dhe po të njëjtën gjë do bëjnë edhe shqiptarët që kanë mundësi për të investuar.
Ngërçi i madh politik është i pritshëm, por duhet thënë që as opozita nuk është gati “për të rrëzuar Ramën” dhe aq më pak për të shpënë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe pët t’i fituar ato.
E Djathta ka ende probleme të mëdha të brendshme ndërsa Opozita e Majtë duhet të merret me “rrjedhjet” e anëtarësisë, që po i shtohen çdo ditë.
Në këtë lloj gjendjeje politike, e vetmja mënyrë për të mos bllokuar jetën normale të vendit duket se është krijimi i një qeverie teknike me një mandat një vjeçar dhe me objektivin e vetëm të realizimit të Reformës në Drejtësi dhe ndryshimin e Ligjit Elektoral.
Duket se kjo mund të jetë e papranueshme për kryeministrin Rama, por në bashkëpunim me ambasadorët e huaj, në bisedime mes negociatorësh, kjo mund t’i sugjerohet “liderit të çoroditur” si e vetmja mënyrë për të pasur shpresën e një “gremisjeje jo të plotë“.
Alternativat e tjera të protestave dhe bojkotimeve jo vetëm kanë rezultuar të dështuara, por as kanë pasur dhe as do kenë mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.
Për të qënë e besueshme për opinionin shqiptar, tashmë të zhgënjyer thellë nga politika, në qeverinë “teknike” jo vetëm që duhet të përfshihen njerëz me reputacion, por e domosdoshme është të jenë të barzlarguar nga partitë. Mundësisht edhe kritikë të të gjitha qeverive si Fatos Lubonja apo Artan Fuga.
Vendi po i drejtohet një krize të thellë qeverisëse, ku ekipi i Rilindjes është tejet i korruptuar dhe opozita e dobët dhe jo shpresëndjellëse.
Të gjithëve ju duhet kohë për tu përshtatur në situatat e reja , që do sjellë përfundimi i Reformës në Drejtësi.
Dhe në rast se palët nuk arrijnë në një marëveshje të dobishme për të gjithë dhe sidomos për vendin, atëhere duhet të shpallin se janë kundër Reformës në Drejtësi!

No comments:

Post a Comment