Edhe pse e kam në kokë të ngulitur, se koha e Diktaturës nuk
ka të krahasuar me kohën në të cilën jetojmë, gjithsesi, ka gjëra në
funksionimin e pushtetit lokal, që lidhen me miratimin e objekteve qëndrore në
qytet, që janë përkeqësuar.
Vërtet, në ato kohëra, Partia dhe partiakët e saj, kishin “edhe
gurin edhe arrën” dhe bënin si e mendonin ose si ju kishin thën shokët e “Birosë“,
por kishte edhe raste jo të pakta, kur merrej mendimi i specialistëve ose
intelektualëve të qytetit. Ndoshta edhe bëheshin “për sy e faqe”, por nuk përjashtohej
edhe mundësia e ndryshimeve, si rrjedhojë e këmbënguljes të atyre, që “dinin më
shumë“.
Për shembull një mbledhje e zgjeruar e këshillit teknik
rreth vitit 1985, ndryshoi projektin e Postës, i cili parashikonte prishjen e
ndërtesës së “Bopit” dhe të tjerave ngjitur duke e shtyrë në territorin e lirë
të ish- Bar “1 majit” dhe me një projekt tjetër ashtu si është edhe sot(ndërtesa
e Telekomit).
Edhe Komandanti, që mund “të shkonte në hell” qindra njerëz,
edhe zëvendësi i tij arrogant Shehu, ishin më të përmbajtur në çështjet e
urbanistikës dhe arkitekturës, se sa “Kryearkitekti” Rama dhe Veliajt, Dakot,
Sejdinët apo Filot e tij.
Në atë kohë, të paktën ekzistonte koncepti: “gabimet në ndërtimet
kryesore mbeten në shekuj”, gjë që duket se nuk ekziston më në këtë kohë.
Vërtet interesat e investitorëve privatë janë të mëdha dhe
korrupsioni është i pashmangshëm si në gjithë vendet e botës së tretë, por më e
çuditshmja është me veprat publike, të cilat vërtet mund të sjellin para në
xhepa politikanësh, por po njëlloj do sjellin edhe po të jenë më të studiuara,
më të hijshme dhe me konsensusin e një pjese më të madhe të banorëve të një qyteti.
Kam shkruar më shumë për Korçën se e njoh më mirë dhe “dhemb”
më shumë, por besoj se marrëzitë e tyre në qytet e tjera janë edhe më të mëdha.
Kam përmendur shpesh Kullën, Bibliotekën e Re, Muzeun e Gjon
Millit dhe tani edhe Harkun e Voskopojës dhe duket se edhe më “fanatikët” e Rilindasve
nuk kanë mundësi t’i mbrojnë. (Nuk e kam fjalën për kolegët e mij që punojnë në
Bashki, se ata gjithnjë kanë mërmëritur “E dimë po ja se kjo dhe ajo dhe ai dhe
ata…)
Gjithsesi, këto që ndodhën, ndodhën.
Por a nuk duhet gjetur një mënyrë për të mos lënë të përsëriten
nga të tjerë, që do vijnë pas tyre?
Se këta e bënë beli, që kanë “edhe gurin, edhe arrën, edhe
dhëmbët”. Dhe e marrin gurin, I bien dhe e thyejnë arrën dhe e mbllaçitin. Duket
se dhëmbët nuk ja u heq dot njeri!
No comments:
Post a Comment