Tuesday, 7 November 2017

Një popull që nuk nderon Kasëm Trebeshinën do e ketë të vështirë të ardhmen

Sot është përcjellë për në botën e të heshturve Kasëm Trebeshina.
Mes heshtjes së plotë të të gjithëve.
Pak e kishin dëgjuar se cili ishte në rininë e tij. Më pak akoma gjatë burrërimit. Pushteti i komunistëve ishte kujdesur, që jo vetëm ta mbante në burg, por të krijonte edhe legjendën e “një të sëmuri mendor”.
Pas rënies të Diktaturës, kur dukej se mund të dëgjohej më shumë rreth tij dhe veprave të shumta, përsëri ra heshtja. Më e çuditshmja se janë me dhjetra televizionet radiot, gazetat, shtëpitë botuese.
Edhe kur dikush mundohej të nxirrte në pah gjenialitetin dhe idealizmin e tij, kishte dhjetra që vraponin ta mbulonin me baltën e “themeluesit të Sigurimit të Shtetit”.
Më të shumtë janë ata, që nuk kanë dëgjuar për të dhe një pjesë tjetër e shqiptarëve e dinë të vdekur prej kohësh.
Një i ri i mençur, shumë më tepër se bashkëmoshatarët e tij, po të lexosh edhe raportimet e tij thjeshta brenda Partisë Komuniste, kur ishte vetëm 17-18 vjeç.
Promemoria e tij drejtuar Enver Hoxhës në vitin 1953, të befason për qartësinë dhe kuptimin e historiesë botërore të një rinoshi vetëm 27 vjeçar. Vetëm Migjeni ka pasur një gjenialitet të tillë në moshë të re. Të mëdhenjtë e tjerë të letrave shqip kanë arritur të shohin qartë shumë më vonë.
Në Tiranë, sot, askush nuk është kujtuar të shkruajë diçka për Trebeshinën. Thua se ende i tremben dritës së tij.
Ne jemi një popull , që presim e përcjellim me fanfara sharlatanët. Jo shënjtorët. Prej të vërtetave të tyre kemi frikë. Ndoshta se janë tepër tronditëse ose se nuk jemi në gjendje t’i rrokim me mendje.
Ndaj kemi për të mbetur një turmë që vrapon pas larushanisë të prestigjitatorëve të fjalës. Ndaj dhe do e kemi të vështirë të ardhmen.
Mundohemi t’i mbushim mendjen vetes se “Ndoshta jetohet edhe pa të vërtetën”.
Kasëm Trebeshina nuk mund të jetonte dot pa të.

Prehu në paqe njeri i mençur dhe i ndershëm!

No comments:

Post a Comment