Nuk jam i sigurt për emrin e tij, nëse e kishte Abraham,
Pashko apo Novruz edhe pse shitoren nuk e kishte larg shtëpisë sime. Kujtoj vetëm,
që mbiemrin e kishte Plepi. Bile ime bijë, kujtonte se Plepi i theshin se
rrinte mbështetur gjithë ditën pas një plepi, që kishte ngjitur me shitoren dhe
ju jepte vaftin kalimtarëve duke ju kujtuar njëkohësisht edhe festat fetare. (Këto
në qytetin tim janë të shumta.) Nuk besoj se ishte besimtar, por ngjarjet
fetare i dinte të gjitha se lidheshin edhe me xhirron e shitores. Ishte një njësi
si ato të “artikujve të imët”, që lulëzuan gjashtë muaj në kohën e sho Ramiz.
Kishte qirinj për vakëf e për xhami, bojë për të ngjyer vezët, grurë të pazjerë
për hashure, qilima të vegjël për tu falur, çomage për kolendra, tapita me
pamje nga Meka, mandolina për evangjelistë, hixhabe, riprodhime ikonash, poçe
prej balte, mbishkrime në arabisht, revista fetare dhe spango. Nuk di nëse
kishte shumë kërkesa për artikullin e fundit, se njëri nga raftet e shitores ishte
plot me rrotulla spangoje.
Disa herë, kur më kishte buzëqeshur tmerrësisht përzëmërsisht,
sa sytë i bëheshin vetëm një vijë dhe të kujtonte më shumë një lufëtar mongol,
se një malësor të Shqipërisë Juglindore, dhe unë i tembur nga buzëqeshja e përzëmërt,
që mund të përkthehej “Ke kohë që nuk ke blerë gjë këtu tek unë!”, pata hyrë në
shitore dhe nga që nuk më duheshin qirinj, çomage mandolina apo poçe, pata blerë
një rrotull me spango. Shoku Plepi më shikonte hetueshëm dhe më pyeste “Veteëm
kaq do blesh?” dhe unë i turpëruar mërmëritja nëpër dhëmbë, që ato kohë nuk
kisha edhe shumë punë se njerëzit po i fusnin paratë në kompanitë e investimeve
, të cilat atë kohë nuk i dinim që ishin piramidale, por edhe po qe se do i dinim
se ishin të tilla përsëri paratë do i fusnim në to, se çdo gjë madhështore ka qënë
piramidale dhe çdo gjë piramidale si rrjedhim do jetë madhështore. Kështu më
ishin mbledhur katër-pesë topa me spango në shtëpi dhe nuk dija se ç’të bëja me
to. Gjithkujt, që t’i thuash a do një top me spango pa para, do të të shikojë
me dyshim edhe sikur të jetë këpucar. Se ç’mund të bësh me një top me spango në
një qytet në pllajë dhe ku nuk ka shumë punë. Po
ta dhuronje në lagjen e të varfërve, që ka emrin me Kullë, por Kullë nuk ka, do
të shikonin shtrembër dhe të theshin “Se mos kujton që jemi akoma në kohën e
Enverit dhe i mbajmë bollkat me spango?!” Kështu që topat me spango mbetën në
një qoshe të qilarit tim me mure butobetoni, se më vinte zor kur ika nga Shqipëria
t’i shpija në shitoren e shokut Plepi, se mund të më theshte “Po
ti le që nuk blije gjë për të qënë, por kur nuk të duhej spangoja përse e blije
dhe nuk blije fjala vjen tapita?!”
U bënë vite që nuk kam qënë në mëhallën time. Më kanë thënë
se shoku Plepi edhe pse i moshuar vazhdon të shesë në shitore, por ose nga
konkurenca, ose nga një bjerrje e kërkesave për sende që lidhen me ritet
fetare, tani shet flamurë. Sidomos gjatë veprimtarive ndërkombëtare sportive,
ka aq shumë punë, sa një pjesë të flamujve i var edhe në degët e plepit. Në kohë
të tjera, (normal) më të shiturit veç flamurit shqiptar, janë amerikani, i EU-së,
i Kosovës, i “Skënderbeut” dhe flamuri grek. Ka flamurë të të gjitha
dimensioneve, bile hyn edhe në tendera për të shitur flamurka të vegjël
tryezash, që përdoren në gjithë zyrat e pushtetit vendor. “Gojët e liga” thonë
se për arsye fitimi është anëtarësuar në Aleanca Kuq e Zi, por mua më duket më i
zgjuar se aq. Asnjëherë nuk ka qënë në anën e të humburve. E vërteta , të cilën
e besoj, është se ka paditur për antipatriotizëm këngëtaren Arilena Ara për këngën
“Nëntori” dhe ka kërkuar një dëmshpërblim bajagi të majmë.
Nuk i ve faj!
Nëntori është muaji , kur shiten më shumë flamuj.
Për më tepër, edhe rruga ime, ku është edhe shitorja e tij,
quhet “29 Nëntori”!
No comments:
Post a Comment