“LUFTETARIT KOMBETAR – ME MIRENJOHJE TE THELLE NGA POPULLI I
KORCES”
Me sa kujtoj keto kanë qënë fjalët e vendosura në bllokun
prej guri gri, që shërbente si bazament i shtatores më të bukur në Shqipëri,
“Ushtarit tonë të Panjojtur”. Odhise Paskali pati bërë edhe shumë shtatore,
ekuestra, buste dhe grupe skulpturore, por asnjë prej tyre nuk arriti dot përsosmërinë,
si është tek shtatoreja- simbol i Korçës.
Paskali kishte menduar saktësisht për dimensionet e
bazamentit dhe rrethimin e ulët me një lloj zinxhiri metalik. Ndoshta diku edhe
ka shkruar përse kishte menduar atë zgjidhje dekorative. Ishte i mençur dhe i penës Odise
Paskali.
Luftëtari jonë i bukur kombëtar, lëvizi shumë herë brenda
sheshit. Bile, u zëvëndësua edhe për disa vjet nga shtatoreja e Profesorit të
Liceut, por edhe ajo nuk e pati jetën më të gjatë se tre vjet. Përsëri dy tre lëvizje
të tjera dhe tani duket se pasi “futi duart”, “magjistari” nga Australia e
largët, Pitër Uillsën, ndoshta nuk do ketë më lëvizje të tjera.
Cuditërisht, Uillsën, me autoritetin e Arkitektit të
Panjohur, që mund të zgjidhë gjithshka, pikërisht sepse nuk i dihet saktësisht
se sa “i vlen lëkura”, e ndryshoi idenë e Paskalit, duke vendosur para Luftëtarit
Kombëtar një kaskadë uji. A thua se ideja e Odhise Paskalit, që Luftëtari i jonë
i Rilindjes, zbriste fitimtar nga Morava , pasi
kishte sjellë Mëvetësinë e Korçës dhe Shqipërisë ishte e prapambetur.
Ideja e realizuar e australianit të krijon përshtypjen se
Luftëtari ose thotë “Tani ler’ të bëhet det”, ose në një rast më vulgar: “Dhe
tani levenxet mund t’i lani në këmbët e mija!” Sigurisht, edhe pse njeh xhubletën
dhe ndonjë detaj tjetër shqiptar, Uillsën nuk ka se si të ketë patur njohuri, për
larjen e levenxeve me kopan në Lumin e Korçës. Kur u projektua pedonalja edhe
Niko Kotherja nuk kishte filluar punën e tij kërkimore-studimore.
Të mrekulluar nga anglishtja e australianit, Niko Peleshi
dhe zëvendësi i tij Raqkë e miratuan në gjendjen e sotme. E megjithatë duhet thënë
, që magjistari ka bërë “maxhi-kutruli” ku e më ku më mizore se kjo e Ushtarit
tonë.
Në një diskutim të vitit 1987, duke folur për shtatoret në qëndrat
e qyteteve europiane, Petraq Kolevica i përmbahej idesë, se ato duhet të jenë më
të afërta për vizitorin. Eshtë një parim i pranuar gjërësisht në arkitekturën
moderne.
Në gjendjen e sotme, Luftëtari Kombëtar bëhet më i largët.
Edhe nga një foto e ceremonisë të vendosjes së kurorave sot,
duket sikur ofiqarët i vendosin në breg të detit, për luftëtarët e humbur në
det gjatë betejës së Salaminës, ose asaj të Trafalgarit.
Ndoshta vërtet “është bërë det me para” në Korçë.
Por vetëm për australianin dhe miqtë e tij.
Korçaret e duan Luftëtarin tonë pa ‘ujë“ nëpër këmbë.
Ashtu si e kishte konceptuar i shumëtalentuari Paskali dhe
për atë projekt, që korçarët kishin dhuruar bujarisht me mijëra franga ari.
No comments:
Post a Comment