Ka një tregues të botuar sot se Korça është në qarqet, të
cilët janë varfëruar më shumë gjatë vitit 2016.
Menjëherë më shkoi mendja në shkëlqimi festiv i qytetit tim,
që propagandohet nga Bashkia dhe sidomos në rrjetet sociale nga të
entusiazmuarit e udhëheqjes së majtë. Në to gjen se Korça ka “pazarin më të
bukur në Ballkan”, “parkun më të bukur në Shqipëri”, “pedonalen më të
mrekullueshme”, “teatrin më spektakolar”, dhe plot të tjera si këto.
Për të qënë një “nihilist” i moderuar, më duhet të pranoj se
në Korçë vërtet ka pasur shumë investime të dukshme gjatë viteve të fundit në
zonën qëndrore dhe që kanë rritur vizitueshmërinë e tij. Të gjitha janë bërë
ose me fonde nga Qeveria, ose nga donacione institucionesh dhe fondacionesh të
huaja.
Dhe padyshim rolin kryesor në tërheqjen e fondeve e ka Niko
Peleshi dhe Bashkia. Ka gjëra, që edhe ‘nihilistët ekstremistë“ nuk i mohojnë
dot.
Por a duhet këto fonde të dhëna me bujari nga thesi i kryeministrisë
apo nga të huajt, të reflektoheshin në të ardhurat e njerëzve të zakonshëm.
Si është e mundur të ndodhë një paradoks i tillë?
Qytet që shkëlqen me njerëz që thellohen në varfëri.
“Entuziastët” mund të thonë se këto janë të dhëna për Qarkun
dhe ne na rrëzojnë Kolonja , Pogradeci dhe Devolli, të cilët nuk kanë Nikot e
tyre dhe as Bashkinë shëmbëllore të Raqkës.
Por a mund të jetohet më mirë, kur varfëria shtohet 20 km më
tutje?
Jo, nuk mund të ekzistojë dika e tillë.
Për një “nihilist” si unë, faji është në orientimin “për
shfaqje” të investimeve dhe në kalimin e një pjese të fondeve në kompani të
kryeqytetit. I zoti i thesit i jep fondet për të shkuar kryesisht në xhepa të
caktuara.
Ndaj i trembem “shkëlqimit të përkohshëm” të qytetit, që nuk
vjen nga rritja ekonomike e rajonit dhe e qytetarëve të tij.
Vetë, do të shpërndaja më shumë para për Kiçin dhe të tjerë
si ai, që jo vetëm do nxirrnin ca njerëz nga varfëria por do rrisnin konsumin,
se sa të ndërtoja me disa miliona Kullën edhe sikur kjo të ishte Eifeli vetë.
Ne “nihilistët” nuk e shikojmë dot shkëlqimin se kemi syze të
errta.
Atë nuk e le hija e Kullës.
No comments:
Post a Comment