Nuk di në ç’vit e kishin vënë bustin e Stalinit në Korçë.
Duhet të ketë qënë para se t’i prishnim marëdhëniet me sovjetikët.
Megithëse ishte në sheshin e kinemasë, kur ishim të vegjël
Stalini nuk na binte në sy, se kur i afroheshim sheshit, sytë i kishim në dera
e mesit të Kinemasë, për të parë nëse ishte Kiçi i Gjatë apo Kiçi Zëçka. I
gjati edhe mund të të linte të hyje dy veta me një biletë.
As si vendtakimi nuk përmendej kurrë, se do e lije ose në
Kinemaja, ose në “Moska” ose në “Agimi”. Flas për fëmijët dhe adoleshentët , që
hanin ndonjë paste ose xup, se të rriturit i kishin takimet në “Familjari” dhe
“Republika”.
Por Stalini ishte atje serioz dhe hijerëndë dhe nën hijen e
tij vërtiteshim ne njerëzit e varfër, me biçikleta dhe pa biçikleta. Më shumë
se ne, vërtiteshin hallexhinjtë dhe të “prapambeturit mendorë“ si Pandi Lula.
Flinin më pak se kishin kushte më të këqija në shtëpi apo se nuk kishin ilaçe t’i
qetësonin. Pandi Gjiza dëgjohej , që herët në mëngjes dhe deri vonë në mbrëmje
me zërin e tij të ngjirur, fjalët e përsërituar por jo pa lidhje dhe
entusiazmin për “Skënderbeun”.
Eshtë e çuditshme, që askush nga “të metët” e qytetit nuk
zinte në gojë Stalinin. Peçi Bajamka shpaloste të gjitha lidhjet e tij
imagjinare me Nolin, Miteranin, Klintonin, Gonxhe Bojaxhiun, Niko Kazanzaqisin,
por asnjëherë nuk zinte në gojë Josif Visarianoviçin.
Kaq shumë i trembte të gjithë busti i mustaqelliut hijerëndë?
Në vegjëli urrenim Hrushovin. Jo aq shumë se na kishin mësuar
në kopësht e shkollë, por nga që dëgjonim në radio një këngë popullore me fjalët:
…Hrushovi me tradhëtarë
O more baba Stalin!
Kockave ju vunë zjarrë
O more baba Stalin!
Se nuk ka gjë më makabër për një fëmijë të rritur në vendet
me fe monoteiste, se sa “djegia e të vdekurit dhe sidomos pasi e kanë tradhëtuar.
Për të na trembur?
Nuk e besoj se 99% e njerëzve nuk e kishin idenë e krimeve të
Stalinit.
Mbase se me ndihmat e sovjetikëve mbaheshe në këmbë pushteti
i sho Enver, se thjesht për ideologji nuk ma merr mendja. Nuk kam parë në ndonjë
qytet të Shqipërisë ndonjë bust të Marksit.
Një natë nga fundi i vitit 1991 e hoqën pa u ndjerë. A
ndoshta ishte në muajt e ftohtë të shkurtit ose marsit… Si ishte pushkatuar
edhe Caushesku.
Shenjë e mirë, por shumë mikroskopike.
Frikën nuk na i kishte futur Josifi në palcë.
Ishin Stalinistët shqiptarë. Disa syresh ndoshta ende vërtiten
trotuarëve duke kënduar nëpër dhëmbë:
O Stalin të ishe gjallë
O more Baba Stalin!
No comments:
Post a Comment