Në ato netë të marsit 1997, kur të gjithë ishim mbledhur në
shtëpitë tona për të mbajtur fëmijët e mbrojtur nën krahët tona, kishte njerëz,
që dolën për të bërë diçka të mirë. Vetëm.
Nuk jam i sigurt nëse ishte nata e dytë apo e tretë, pasi çdo
gjë ishte dorëzuar e shkatërruar, kur plumbat ishin jo vetëm në ajër, por edhe
në vitrina dyqanesh, edhe në porta shtëpish, kur shoku im Riku doli nga shtëpija
për të mos pritur vetëm nga të tjerët.
“Po ty ç’të duheshe?” e pyeta të nesërmen dhe ai si i zënë në
faj më tha “Po mund të rrihet pa bërë gjë
fare?” As nuk më tregoi se ç’i shkonte në mendje, vetëm më tha se si i kishte “telendisur”
disa delenxhinj, që ishin kapardisur në Prefekturë, në krye të Komitetit të Shpëtimit
Publik. Njerëz të thjeshtë, i kishin treguar se disa nga njerëzit e Komitetit,
kishin qënë në krye të bastisjeve në Depot e Rezervave.
Riku nuk ka luftuar kurrë për të pasur një post. I përket një
brezi dhe një shoqërie, që qëndron larg të qënit mes Prijësave. Ndonëse ka shumë
cilësi të dikujt, që mund të drejtojë shumë mirë.
Atë natë as nuk telefoni ndonjë nga ne, shokët e tij, për të
mos qënë i vetëm. E dinte, që ishte me rrezik.
Jo të gjithë janë në gjendje të marrin të tilla vendime.
Pjesa më e madhe e jona, presim që gjërat të na i bëjnë të
tjerët dhe pastaj çuditemi, që këta “të tjerë“ në të shumtën e rasteve janë ose
kriminelë ose oportunistë.
Kështu ndodh edhe tani, kur përditë pyesim njëri tjetrin “Po si s’u gjend një i mirë të merret me këto punë? Vetëm
legenat dhe hajdutët!’
Dhe kur shikojmë dikë të mirë, që përpiqet të bëjë diçka dhe
për këtë e sulmojnë e kemi në majë të gjuhës: “Po
atij ç’i duheshe?”
Psuhtetin pas viteve ’90 ne nuk na i rrembyen të
korruptuarit dhe hajdutët.
Ne ja u lamë atyre.
Cdo ditë e nga pak.
Dhe kështu, ata, që kishin dalë për të mbrojtur bustin e Enverit,
si Ridvan Bodeja në Librazhd u bënë ministra në kohën e Piramidave dhe edhe 8
vite të tjera pasi Piramidat patën shkaktuar atë tmerr të vitit 1997.
Ne I lamë duke thënë “C’më duhet mua?”, “Po
ti ç’ngatërrohesh me këto punë?” deri sa një ditë të bukur menduam vetëm si të
shpëtonim fëmijët nga vendi ku kemi eshtrat e të parëve.
Shpesh, kur shkruaj, më vjen turp për këtë.
E megjithatë shpresën nuk e humb sepse ka edhe njerëz të
ndryshëm nga unë.
Si shoku im Riku.
No comments:
Post a Comment