“… ata kërkojnë revolucionarizimi i metejshem i shkollës ..ëë..u”, kështu
i mbyllte shpesh frazat një mësues i jonë, në biseda private, teksa tregonte për
mbledhjet e organizatës së partisë së shkollës.
Ne qeshnim me fundin e përhershëm “…ëë..u” dhe ja vinim
mungesës së formimit të tij “ideo-profesional”, por sot unë mendoj ndryshe. Ndoshta të gjithë atë kohë flisnim
me pak “…ëë…u” se nuk na rridhte goja në frazat e përsëritura, të cilat ishin
krijuar diku në dhomat e Komitetit Qëndror të Partisë dhe kishin zbritur më pas
në bazë, ku duhet të thuheshin e të rithuheshin nga instructorët e partisë,
sekretarët e rinisë dhe deri në nxënësit e thjeshtë të gjimnazeve.
Një herë kishim shkuar të propagandonim tufëzimin e plotë të
bagëtive në Lekas, kur ishim 17-18vjeç dhe me siguri kur ja u spjegonim fshatarëve
se sa do prfitonin nga tufëzimi i plotë, fjalitë nëpër dhëmbë i theshim me “…ëë…u”
se dinim vetëm se ç’ishin bagëtitë dhe as kishim idenë e tufëzimit, pse duhet të
ishte i plotë dhe se ç’do përfitonin fshatarët e shkretë prej tij. Ata të gjorët,
që ndjenin se thika po ju shkonte çdo vit e më thellë, kushedi ç’shkonin në
mendjet e tyre teksa shikonin ca qimepadirsur, që ju tregonin se ishte më mirë
t’i kishin bagëtitë e imta në stallat e kooperativës se sa në hauret e tyre.
Tani të gjithë flasim e shkruajmë pa frikë dhe pa “…ëë..u”.
Nuk më jepet rasti shpesh të flas me bashkëkombës dhe sidomos ata, që jetojnë në
Shqipëri, por edhe kur kam pasur rastin të flas më duket se janë të lirshëm. Përdoren
“parafabrikatet” e Tiranës dhe kanaleve televizive, si “normal”, “e papame”, “je
i realizuar”, “ në një dimension të ri” e të tjera si këto, por janë ku e ku më
larg se “Indiferentizmi është armiku i revolucionit”, “tu qepemi kodrave e
maleve e t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat” apo “të jetojmë, të mendojmë e
të punojmë si në rrethim”.
Tani ke edhe me dhjetra mundësi të zgjedhësh mes thënieve të
politikanëve të majtë e të djathtë dhe ti vendosësh ato në rrjetet sociale duke
shtuar vetëm shumë pika në rradhë dhe sa më shumë pikçuditëse. (Si është kjo
puna e pikëçuditëseve, që është shtuar kaq shumë, apo atëhhere kishim frikë të
vinim, se mos na theshte sekretari i partisë ;”Po
ti ç’ke që çuditesh?’)
E megjithatë ka raste, ku duhet me doemos edhe “…ëë ..u”. Për
shembull doja të kuptoja diçka të shkruar nga një tjetër mësues dhe t’ja
spjegoja edhe një mikut tim, por nuk mundja. Fjalia e shkruar në rrjetet
sociale ishte “…duke mos njohur “brendësinë,
vullkanimin e shfrenuar financiar informal”.
Unë nuk kuptoja as ç’ishte brendësia , as vullkanimi dhe aq
më pak pse ky i fundit ishte edhe i shfrenuar edhe financiar edhe informal. Ndaj mikut, që më priste me padurim t’i spjegoja,
për të mos u treguar i paditur i thashë nëpër dhëmbë:
‘…ata kërkojnë vullkanimin e shfrenuar financiar informal…ëë…u”.
Ai tundi kokën gjithë gëzim.
No comments:
Post a Comment