Thuhet, që afatet e vendosura nga doktrinat fetare, për
mbajtjen e zisë për dikë të larguar nga jeta, përputhen me studimet e sotme të
psikologëve. Sigurisht bëhet fjalë për psikikën e të gjallëve dhe jo të atyre,
që ikin. Nuk është bërë ende e mundur të studiohet psikika e të vdekurve.
Këto afate, të lidhura edhe me rite të ndryshme, hyrje dalje
njerëzish, vizita në varreza, biseda rreth të larguarit, bëjnë të mundur mënjanimin
e traumave psikike tek të dashurit.
Në qendrë të saj është “mosngutja” për veprime emocionale të
çastit. Ndaj njerëzit kanë krijuar të tilla ‘barriera” kohore(7 ditë, 40 ditë,
6 muaj e me rradhë) për tu përballur me durim me dhimbjen.
Mosngutja ëstë edhe më e domosdoshme në gjykimin e asaj, që
le pas i ikuri. Eshtë vepra e një jete të tërë, e karaktereve të ndërlikuara, që
shpesh nuk i ngjajnë dikujt tjetër dhe nuk duhet t’i klasifikosh.
Një ngutje të pajustifikuar gjej në shkrimin e Mustafa
Nanos rreth personalitetit dhe veprës të Kasëm Trebeshinës. Për sensacion(mbase
dhe për të hapur debat) shumë gazeta dhe portale e kanë botuar shkrimin
“klasifikues” të Mustafajt.
Sipas tij, Trebeshina duhet klasifikuar si “disident” se si
shkrimtar është i dobët. Sikundër e pranon edhe vetë, deri tani Muçi nuk kishte
idenë e veprës së të ndjerit, por posa vdiq, bleu 4-5 libra, i lexoi dhe dha
verdiktin.
Më tepër se sëmundje i Mustafa Nanos, gjykime të tilla, tepër
të nxituara, janë një sëmundje e publicçistikës sonë. Në këtë rast, përgjegjësija
bie më shumë në gazetat , që e botojnë dhe ribotojnë se sa në autori. Shkrime të
kësaj natyre, kudo, ju botohen vetëm autoriteteve të kulturës dhe kritikës, sepse
ata kanë jo vetëm kualifikimin e duhur, por dhe se gjykimet mbi veprën e një
shkrimtari apo artisti, i japin pas një njohje të thellë.
Ka disa arsye, që nuk duhet të botohen të tilla shkrime
rreth një autori si Trebeshina.
E para, vepra e tij është shumë voluminoze dhe në pjesën më
të madhe e pabotuar dhe e pastudiuar.
E dyta, veprën e tij nuk duhet ta ndajmë edhe nga kornizat
kohore, shkëputjet nga realiteti për shkak të burgimeve dhe internimeve të
gjata, si dhe nga karakteri kompleks i vetë autorit. Një mendje aq të veçantë
sa të Trebeshinës, që ta kuptosh, duhet të lexosh e të rilexosh veprat e tij më
të mira, që janë vlerësuar lart jo vetëm nga dishepujt e tij(sipas Nanos), por
edhe nga shumë kritikë të mirënjohur të Kosovës dhe Europës.
E treta dhe më e përgjithshmja, është ajo, që veprat e artit
duhen kundruar duke bërë disa hapa pas në kohë dhe hapësirë, për të mos i
hedhur në kosh me një të lexuar.
Në veprat e botuara të Kasëmit ka vërtet shkëndija gjeniale,
që i bëjnë nder letërsisë shqiptare, por ky nuk është objekt i këtij shkrimi.
Gjithashtu nuk dua të ngatërroj qëndrueshmërinëe tij të
pashoqur morale me cilësinë e shkrimeve të tij, edhe pse mendoj, që dikush që
nuk bën kompromise në jetë, nuk bën kompromise as me cilësinë e asaj, që nxjerr
nga dora.
Problemi nuk është i Kasëm Trebeshinës dhe i veprës së tij,
por i joni.
Ne paprapëlqejmë të hidhemi në përfundime, duke vlerësuar
personalitetet e kulturës ose me notat gjenial, i madh, i jashtëzakonshëm, ose
i dobët dhe i pavlerë.
Kasëm Trebeshina la një boshllëk në letërsinë shqiptare, që
hë për hë duket e vështirë, që mund të mbushet nga dikush me prodhimtarinë dhe
filozofinë e tij.
Por në vend të bëjmë durim për të kapërxyer dhimbjen, disa
prej nesh janë të gatshëm të “varrosin” shpejt e shpejt të gjithë veprën e tij.
Ndaj për Mustafa Nanon dhe ata, që e botojnë kam këshillën:
“Po duro 40 ditë o
Mustafa!”
Eshtë kohë e mjaftueshme për t’i rilexuar ato 4-5 libra.
No comments:
Post a Comment