Friday, 14 August 2026

“Unë dhe korbi” tashmë libër


Gjatë muajve të parë të këtij viti shkrojta dhe postova duke krijuar poemën “Unë dhe korbi”. Pata përshtypjen, që kishte ndër vargjet më të mira, që kisha thurrur deri më sot dhe që përmbanin një përzjerje trilli, mendësie individuale dhe këndvështrimi për disa nga problemet thelbësore të ekzistencës. Pa pretenduar se është një poemë “filozofike” m’u duk se ishte mirë të përmblidhej në një libër edhe me vargje të tjera. Nuk kisha pasur në plan të botoja një libër të ri këtë vit.

Përfshiva edhe poemën “Eja në tropik” të shkruar më 2017 dhe të pabotuar, përveç postimit ndoshta jo të plotë në blog. Poezitë që plotësojnë librin (ose zenë numurin më të madh të faqeve) janë të shkruara pas vitit 2023, kur u botua përmbledhja “Flokët e Frejas”. Mund të ketë tek tuk ndonjë përjashtim.

Për herë të parë bashkëpunova me botuesin Aurel Kaçulini të shtëpisë botuese “Jozef” dhe kam mbetur plotësisht i kënaqur. Kaçulini ka qënë në fillore në të njëjtën shkollë me mua, por më pas familja e tij u çvendos në Durrës, ku punon edhe sot.

E ndërmorra këtë“aventurë“ edhe pse e di që poezia lexohet shumë pak në Shqipëri dhe ndoshta edhe në botë. E kam shkruar disa herë edhe këtë vit në blog. Madje po mos ketë një i njohuri im në Korçë një librari, nuk di as nëse do jetë e mundur të tregëtoj ndonjë libër. Por “kostoja” e botimit ja vlen të ndash me miq dhe të njohur, vargje, të cilat të duken se kanë vlerë emocionuese. Ndoshta jo të gjithë nga ata, që marrin libra nga unë kanë kohë dhe dëshirë t’i lexojnë, por një libër me poezi shqip nuk sjell asnjë dëm për asnjë, që e ka në bibliotekën personale.

Libri u redaktua, si të gjithë librat e mij, nga shoku im Riku (Henrik Ligori). Mbi të bie përgjegjësia e plotë e gabimeve, por edhe e ndonjë poezie të dobët, që nuk duhet të kishte parë dritën e botimit. Por ai është avokat dhe di t’a shmangë përgjegjësinë dhe ta lerë mbi shpatullat e mija apo të shtëpisë botuese.

Nuk dua të “deklaroj” më se ky është libri i fundit me vargje, që botoj, se po vazhdoj të shkruaj poezi, pa e detyruar aspak veten ta bëj.

E ndava me ju këtë lajm të mirë, që është i rëndësishëm për mua, sepse jo gjithnjë jemi në gjendje të botojmë libra.

Uro që ‘tju pëlqejë atyre që do e lexojnë.

No comments:

Post a Comment