Titulli është një perifrazim i vargut të Nolit, “C’është ky sheqer-kësmet?” tek vjersha-bejte “Kënga e Salep Sulltanit”. Noli mund të ketë qënë aktor i shkëlqyer edhe pse pak është shkruar rreth nivelit të tij aktorial. Me zgjuarsinë, finesën dhe njohjen e gjuhëve, Mavromati duhet të ketë mbajtur peshë në trupat teatrale shëtitëse, ku ka qënë për disa vite dhe ku ka njohur më të mëdhenjtë e dramave në vargje. Kjo ka ndikuar në veprimtarinë e tij si përkthyes dhe si poet. Nuk di të ketë qënë regjisor.
“Po ç’tu kujtua “sheqer-kësmeti” i Nolit?” do pyesë plot dyshim avokati im që shëllëhet diku në Mesdhe, sepse e di që kur shënimet nisin krejt “të pafajshme” kanë nga një dozë me helm më pas.
Nuk ka aspak helm por sherbet!
Një i njohur, që kupton shumë nga arti i skenës dhe i filmit, më shkrojti se shkrimi im rreth regjisorëve ishte “i sinqertë, por i mungonte sherbeti”. Më pas kishte një lloj shtjellimi, por unë nuk kuptova mirë nëse mungesa e sherbetit kishte të bënte me mungesën e ëmbëlsisë, apo mungesën e një lidhësi dhe zbutësi, rol që sherbeti e luan në pengjirët, bakllavatë dhe trigonat.
Gjithsesi, mendova të thellohem më shumë në shënimin origjinal dhe të shihja se ç’ka ishte kaq e mangët, qoftë nga “ëmbëlsia”, qoftë nga “ lidhja dhe zbutja”. Kuptohet që nuk ishte fjala për zaharosje të sherbetit, se këtë gjë në një shkrim nuk do e dalloja dot kurrë.
E rilexova dhe pashë që i nxirrja “fishek’ thuajse të gjithë regjisorët shqiptarë të 80 viteve të fundit, duke përjashtuar këtu Esat Oktrovën, Mihal Luarasin, Dhimitër Anagnostin dhe Kristaq Dhamon. Për opinionin tim të “hidhur” përdorja edhe opinionin e babait tim duke e bërë dopio-zeher të gjithë shkrimin. Në fakt, shënimi bie në kundërshtim edhe me disa shkrime të mijat të mëparshme për Piro Manin dhe Drita Kallamatën, por më duhet të them, se ishin shkrime pasi dy regjisorët ishin larguar nga jeta dhe nuk besoj se “ngrija në qiell” artin e tyre. Gjithashtu kam pasur simpati për shfaqjet e vëna në skenë nga Serafin Fanko, por edhe për të nuk mund të them “një regjisor si ai!”. Kufizimet kanë ardhur nga mungesa e Traditës në regjizurë, nga kufizimet ideologjike në Diktaturë dhe nga dobësia e shkollës së regjisorëve.
Për fat të keq, si për shumë Universitete të tjera, niveli nuk u ngrit as pas viteve ‘90 dhe për më tepër, mundësitë financiare për të ndihur teatrin dhe filmin kanë qënë të kufizuara.
Shkurtimisht këto i shkrojta edhe Mevlan Shanajt, kur ngriti pyetjen “nëse unë kisha mbaruar shkollën e kinematografisë së Devollit”, shkollë kjo krej e panjohur për mua. Në përgjigje unë i thashë se Shkolla e Aktorëve e kohës së tij dhe e kohës sime, ishte pak a shumë si Shkolla e Kulturës, por Mevli shumë i indinjuar theksoi faktin se “Koncert në vitin 1936” ishte pëlqyer shumë nga skenaristë dhe regjisorë të huaj.
Për tu kthyer tek “mungesa e sherbetit”, unë vazhdimisht kam qënë kundër qëndrimit ” ka pasur arritje të mëdha , por edhe ndonjë të metë“, sepse nuk kam hasur tek filmat tanë (përjashto “Përrallë nga e kaluara” apo dy tre të tjerë) atë ngacmim që të mban lidhur emocionalisht të lidhur me veprën gjatë gjithë shfaqjes. Po kështu edhe në më të shumtën e shfaqjeve teatrale. Për më tepër, në këto të fundit, edhe kur materiali ka qënë i mirë, pak është ndjerë një dorë “guximtare” e regjisë, që sjell rritjen e dramës apo komedisë.
Një miku im më tregoi këtë vit për një pjesë teatrale të vënë në skenë nga regjisori kosovar Fatos Berisha, shfaqje nga e cila publiku dilte duke qarë për shkak të emocioneve të fuqishme. Ndoshta ka ndryshime pozitive në teatrin shqiptar, të cilat unë s’kam si t’i njoh, për më tepër duke qënë paragjykues si në shënimin tim.
(Por të shoh shfaqje të teatrit të Korçës, që drejtohet nga Zamira Kita, nuk kam për tu tunduar kurrë, edhe sikur të ngjallet dhe të vijë për t’i vënë në skenë Sergei Bondarçuk!)
No comments:
Post a Comment