Tuesday, 11 August 2026

Koço Koçiu dhe “Bar Korça”


Nuk di se si e quajnë tani banesën kolektive, ku kam jetuar për më se 30 vjet. Unë parapëlqej ta quaj “pallati i Bar Korçës”, sepse ai ishte lokali më i madh i katit përdhe, por ka dhe shumë që e kanë quajtur “Bobnboneria”, sepse ashtu quhej shitorja e embëlsirave në pjesën më të dukshme të tij. Për ne, që jetonim atje, tre ishin pikat kryesore të tij, Bar Korça me hyrjen e saj nga pas ku shkarkoheshin kadet me birrë, Bonboneria ku shpesh na jepnin akullore falas dhe Berberhana, ku qetheshim dhe këmbenim të hedhura e të pritura me berberat, që na njihnin të gjithëve. Takimet mes nesh fëmijëve, liheshin në një nga këto tre pika dhe nuk përmendeshin “Demiri” apo “llustraxhinjtë, që ishin lokalet që plotësonin të gjithë katin me pamje nga bulevardi (Lenin e kishte ato kohë emrin dhe tashmë është rikthyer në Shën Gjergji.)

Banesa kolektive me tre hyrje dhe 24 apartamente ishte projektuar në fundin e viteve ‘50 nga Koço Koçiu. Nuk di nëse projektuesi i njohur korçar firmoste si inxhinier apo arkitekt, por e vërteta është se ai kishte studiuar në Greqi për “kallfë“. Këta ishin thuajse inxhinierë ndërtimi dhe thuajse arkitektë, por jo me titull të plotë. Gjithsesi Koçiu ishte një projektues shumë i zoti dhe që la shumë vepra të realizuara mirë në Korçë.

Bar Korça është njëra prej tyre dhe për të projektuesi ishte krenar. Në qëndër të qytetit, ajo ndërtesë hijerëndë tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. Shpesh, të ardhur nga qytete të tjera të Shqipërisë e merrnin për hotel dhe ne duke qeshur ju thoshim se hoteli ishte ndërtesa ngjitur, që atë kohë quhej hotel “Krimea” dhe i ripagëzuar në “Gramozi” për tu kthyer sot në origjinë, si hotel “Pallas”.

Nuk di se sa kohë i ka marrë Koçiut projektimi i banesës në fjalë, sepse projekti nuk ka qënë dhe aq i thjeshtë. Por si kam dëgjuar, shpesh Koçiu jepte detaje edhe gjatë ndërtimit dhe nuk jam i sigurt se sa i plotë ka qënë projek-zbatimi i tij.

Në fëmijëri dhe adoleshencë më dukej se jetoja në pallatin më të “bukur” në Korçë edhe pse ishin ndërtuar banesat e Kolevicës tek Sporti, Kinemaja dhe në Shën Mëria. Pak më vonë, nërsa mendoja të bëhesha arkitekt, ndjeja se diçka nuk shkonte në kollonat e rënda dhe në një lloj pamje “impozante” të tij. E mgegjithatë, duke e parë sot me shumë objektivitet, mendoj se pavarësisht nga difektet e mëdha në konceptim, Bar Korça është shëmbulli më i mirë në Korçë, i harmonizimit të një ndërtimi të ri me ndërtimet përreth. Tek ai objekt mund të gjesh “fqinjësinë e mirë arkitekturore” me banesën e stilit rumuno- bizantin (muzeu Gjon Mili), me hotel “Pallasin” dhe me Bashkinë. Tre ekzistueset i takojnë viteve ‘20-’30 të shekullit të XX dhe vepra e Koçiut viteve ‘60, por ajo “mban logjikën arkitekturore” të veprave të tjera dhe nuk stonon, sikundër bën banesa kolektive e MAPO-s.

Koçiu ishte munduar të bënte gjithshka të mirë për atë banesë, duke përfshirë edhe një tarracë të shfrytëzueshme, e projektuar edhe me “shtrate lulesh” dhe gjelbërim, një koncept tepër i përparuar për atë kohë. Sigurisht që gjelbërimi nuk u aplikua për mungesë fondesh, por shtratet në tarracë ishin të pranishme dhe shpesh herë, ne fëmijët që luanim verës atje, nuk i kuptonim pse ishin.

Gjithashtu, hyrjet në shkallën A dhe C. Ishin projektuar me dyer të mëdha nga trotuari i bulevardit, por më vonë ishin ndryshuar dhe në to ishin vendosur Kinkaleria dhe Llustro.

Zgjidhjet planimetrike të apartamenteve nuk ishin “moderne”, por ato kishin të bënin edhe me kufizimet e kohës. Apartamentet me 3 dhoma gjumi të qosheve ishin të mëdha dhe plot dritë, që i bëjnë edhe sot apartamente të lakmuara.

Unë i njoh çdo qoshe dhe detaj asaj ndërtese, se si e shkrojta më sipër, kam jetuar prej vitit 1963 dhe deri më 1994. Ndoshta kam hyrë edhe në të gjitha apartamentet, se kishim shumë shokë në fmijëri. E megjithatë, gjatë studimeve universitare, por edhe kur kam projektuar banesa kolektive nuk jam ndikuar prej arkitekturës së saj. Shkolla më pat orientuar në të tjera drejtime, por edhe sot, e vlerësoj atë vepër si një përpjekje për një arkitekturë që “thërret por nuk klith”. A ka një kuptim teknik kjo shprehje?

Peersonalisht jam kundër arkitekturës, që “injoron” mjedisin dhe objektet ekzistuese si për të thënë “shikomëni mua!” Zakonisht lidhet me prirjen e një arkitekti për të evidentuar vetveten dhe që i përket fazës fillestare të karrierës së tij.

Koço Koçiu kur projektoi “Bar-Korçën” ishte në kulmin e veprimtarisë së tij projektuese dhe nuk “tundohej” nga “marri” të tilla.

La pas një vepër dinjitoze që larton emrin e tij si projektues.

Prehu në paqe inxhinier!

No comments:

Post a Comment